Kultura

Zbulohet varri monumental në Parkun Arkeologjik të Amantias, daton në shekullin e III para Krishtit (VIDEO+FOTO)

23 Qershor 2021, 18:10| Përditesimi: 23 Qershor 2021, 18:17

  • Share

Arkeologët punuan intensivisht për dy muaj derisa zbuluan plotësisht këtë varr monumental që mendohet se i përket shekullit të tretë para lindjes së Krishtit. Gërmimet u kryen në pjesën në pjesën juglindore të parkut arkeologjik të Amantias. 

Varri, i mbuluar me qemer është një ndër ekzemplarët e rrallë që i ruan thuajse të gjithë elementët arkitektonik. Përmasat e mëdha, veçoritë e ndërtimit i bëjnë arkeologët të mendojnë se i përket ndonjë personi të pushtetshëm që ka pasur kontribut në zhvillimin e qytetit.

“Varri dyshohet se i përket shekullit të 3 para Krishtit, është në prej varreve monumentale më të rëndësishme të zbuluara në harkut kohor të mbi 20 viteve të parkut të Amantias. Varri është struktura arkitektonike e ruajtur shumë mirë dhe ka mbyllim me tjegulla, është varr me qemer dhe ruhet shumë mirë dhe pjesa e brendshme e tij. Brenda varrit janë gjetur pak të dhënë, ku përveç skeleteve ka pasur edhe disa enë qeramike, jo të ruajtur mirë”, tha Orges Feimi, drejtor i Trashëgimisë Vlorë.

Varri monumental dy mijë vjeçar është një xhevahir i shtuar në parkun antik dhe së shpejti do t'i nënshtrohet restaurimit të plotë, për t'u vënë në funksion jo vetëm të historianëve por dhe të të turistëve, sidomos atyre që janë të fokusuar tek turizmi kulturor.

“Rëndësia e këtij varri është vlerë e shtuar për parkun arkeologjik të Amantias pasi shtohet edhe një itinerar i ri për turistët. Ky park shumë pak është zbuluar dhe punuar për gërmime dhe gjetje të reja”, tha Feimi.

Drejtori i Trashëgimisë në Vlorë tha se kanë hartuar projekte të reja të cilat presin miratimin e institucioneve në mënyrë që të vazhdojnë gërmimet për zbulimin e varrezave të reja në Amantia.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?