Zbulohet skenografia
surprizë e “Marije Krajës”

28 Nëntor 2013, 09:51| Përditesimi:

  • Share
Organizatorët e festivalit operistik “Marije Kraja” kanë vendosur që të godasin me një simbol, ngjitjen e një statuje rreth 5 metra të një violinisteje nudo në skenë. Kjo për skenografin Bashkim Zahaj është “diçka klasike e delikate, por me një efekt skenik të fuqishëm”.

Vepra e artit, e vlerësuar për plastikën dhe formën e saj përsosur, ka qenë e preferuara e regjisorit Pali Kuke dhe skenografit Bashkim Zahaj, por edhe surpriza të cilën dje organizatorja e festivalit, Zana Çela, u kujdes ta mbante të fshehtë.
Merret me mend kontakti i parë me këtë statujë, sidomos kur vëreje se edhe ata që punonin për të ngritur skenën e rrethonin hera-herës duke e vështruar me kërshëri absolute.

Një gjë është e sigurt, nudo ose jo, violinistja e skulptorit Pjerin Kolnikaj ka gjithë sharmin e një Muze frymëzuese. “Vepra është ngjitur në skenë duke ndjekur një imazh modern të skenografit Bashkim Zahaj dhe Pali Kukes”.

Kështu tha organizatorja e festivalit Zana Çela, duke lënë pas enigmën për këtë pjesë të skenografisë.
Regjisorin Pali Kuke e gjejmë duke admiruar veprën dhe komplimentonte autorin Pjerin Kolnikaj. “Ç’kuptim ka në skenën e festivalit operistik “Marije Kraja” kjo violiniste nudo?”, -e pyesim Pali Kuken. “-Nuk është nudo. Femra në art, s’ka lidhje me nudon”, -thotë ai sikur vetëm një copë pëlhure përmbi këmbën e majtë të statujës të bënte diferencën mes të qenit nudo dhe artit.

Kuke e sheh këtë statujë si një detaj simbolik të Muzës. “Muza që gjithmonë i ka ngacmuar artistët në jetë të jetëve ka qenë femra”, thotë ai. Ndërsa Skenografi B. Zahaj tregon se me regjisorin e festivalit janë marrë vesh që dy-tre elementë modern të skenës të mbështillen gjatë natës së shfaqjes nga “një elektronikë vizive dhe do të krijojnë një kontrast shumë të veçantë në këtë lloj spektakli, që e ka krijuar Zana Çela”.

Regjisori Kuke shprehet se falë një bashkëpunimi me të gjitha krijuesit “pritet një ngjarje shumë e madhe në kryeqytet; festivali ku dashamirësit e këtij arti kanë mundësi të shohin artistë nga të gjithë kontinentet”. Statuja e violinistes nudo do të ekspozohet bashkë me elementët e tjerë skenikë në festivalin operistik “Marije Kraja”, që do të mbahet në datat 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.


Shkrimi u publikua sot(28.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?