Zbulohet  romani i panjohur
i Kadaresë, "Dashuria e dytë"

24 Prill 2013, 01:04| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Nostalgjia e shkrimeve që Ismail Kadare ka bërë në moshën 17-vjeçare nuk mbaron me librin më të fundit të tij “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”. Burime nga shtëpia botuese “Onufri” na njoftojnë se së shpejti do të vij në treg një vepër nga arkivat e Ismail Kadaresë e shkruar në moshën 17-vjeçare.

Bëhet fjalë për dorëshkrimin “Dashuria e dytë”, që edhe vetë autori Ismail Kadare nuk e ka ndarë mendjen në cilin zhanër do të klasifikohet, roman apo novelë”, shprehen përfaqësues të shtëpisë botuese “Onufri”. Ismail Kadare ka nisur të punojë me këtë dorëshkrim duke e nisur si një projekt të guximshëm për të botuar romanin e tij të parë.

Por romani i parë ka ngelur prej më shumë se 60 vjetësh një dorëshkrim sekret, i zverdhur nga koha dhe i privuar të dalë në dritë prej drojës, ëndrrave dhe zhgjëndrrave të Ismail Kadaresë në rrugën e tij për t’u bërë shkrimtar. Zanafilla e këtij romani, pohojnë botuesit është dashuria e një 17-vjeçari.

Edhe pse mendojnë se është herët të zbulojnë surprizat përpara botimit dhe na e mbajnë sekret fabulën, botuesit që e kanë në dorë këtë libër nuk ngurrojnë të pohojnë se në qendër të veprës “sigurisht që është një femër. E ku ka letërsi pa një femër më mes”, shprehen, pasi kemi insistuar që të zbulojmë diçka nga fabula e dorëshkrimit.

Ndërkohë botuesit e Onufrit na bëjnë të ditur edhe sesi po komunikojnë aktualisht me shkrimtarin Ismail Kadare gjatë fazës së parabotimit. “Do ta botoj pa e ndryshuar.- thotë Kadare, -jo nuk më lejohet ta ndryshojë, origjinali kaq ka, kaq do të botohet”. Pra romani “Dashuria e dytë” do të botohet fjalë për fjalë siç gjendet edhe në dorëshkrimin e shkruar me dorë nga Ismail Kadare, 60 vjet më parë.

“ONUFRI” BOTON ARKIVAT E KADARESË

“Ismail Kadare e ka dhënë verdiktin e tij se nuk do të shkruajë më vepra letrare”,shprehen botuesit e shkrimtarit, por megjithatë ai do të vijojë të botohet dhe ribotohet, ku do të përfshihen përmbledhjet e një krijimtarie për më shumë se 60-vjeçare të Ismail Kadaresë si dhe arkivat me shkrimet e tij të pabotuara.

Në kuadrin e botimit të arkivës së plotë të Kadaresë, botuesit e “Onufrit” na bëjnë të ditur se së shpejti do të dalë në dritë romani në dorëshkrim “Dashuria e dytë”. “Është interesante të shikosh sesi në çdo paragraf të tij, që në moshën 17-vjeçare ai kishte ide të qarta.

Dorëshkrimi është shumë interesant, çdo gjë ka shenjat e kohës dhe moshës së tij. Ka shënime amash me laps, korrigjime dhe dalje fjalësh anash që tregojnë një përmirësim të gjuhës dhe përpjekje të autorit për të gjetur fjalën e duhur. Është një odise e tërë për të kaluar nga dorëshkrimi në libër”, shprehet redaktorja e “Onufrit”, duke vërejtur se “Është një mister i madh sesi shkrimtari e përpunon çdo frazë të tij” dhe më tej shton se “është fat i madh të punosh me Kadarenë”.

Për mënyrën e pacenuar të botimit të dorëshkrimeve të Ismail Kadaresë në moshën 17-vjeçare, studiuesja Persida Asllani thotë se “Shkrimet e hershme të një autori gëzojnë gjithmonë një lidhje të privilegjuar me të.

Jo pse janë të parat në vargun e gjatë të veprave, por se mundësia e rikthimit drejt tyre udhëhiqet nga nostalgjia intime për shkëndijën që i krijoi, për gjurmën zanafillore të shkrimit, për jetën e fshehtë në errësirën e heshtur të një arkivi, për kureshtjen joshëse të ritakimit me to si të një dashurie të parë”. Kadareja vetë tashmë i është kthyer kureshtjes për shkrimet e veta, ku i duhet të njihet me sprovat e para letrare.

“Mbas thuajse 60 vjetësh, Ismail Kadare iu dha nostalgjisë së shkrimit, ashtu siç i jepemi një dashurie të madhe, pa kushte dhe të pambrojtur, ndonëse, përtej nostalgjisë, botimi ose ribotimi i tyre ka kaluar sprovën e heshtur të një droje delikate, të një stepjeje fisnike. “Atëherë, le të botohen… ashtu siç janë…!”, thotë kritikja Asllani.

Ismail Kadare sjell me dorëshkrimin e romanit “Dashuria e dytë”, nostalgjinë e shkrimit me dëshirën për të ndarë me lexuesit e vet atë pjesë që i përket sinqeritetit rinor, duke zbuluar tashmë të gjitha orvatjet e tij të hershme të shkrimit letrar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?