Zbulohet historia e panjohur
e  Skënderbeut në Kroaci

28 Prill 2013, 05:40| Përditesimi:

  • Share
Qytetet bregdetare Dalmatine ruajnë në arkivat dhe bibliotekat e shumta, qofshin ato publike, shtetërore, kishtare apo private, një lëndë jashtëzakonisht të pasur dhe të vlershme për shqiptarët dhe Shqipërinë. Është më se e vërtetë se një pjesë e kësaj lënde është vjelur, fillimisht nga studiues të huaj, e më vonë edhe nga disa studiues shqiptarë.

Këta të fundit, edhe pse është dashur që t’i hulumtojnë këto burime më me përkushtim, vëmendje dhe këmbëngultësi se sa të huajt, nuk kanë arritur të tejkalojnë botimet e njëanshme e të vjetruara të shekullit XIX dhe XX.

Është e domosdoshme që të bëhen hulumtime dhe kërkime në mënyrë sistematike, me një përgatitje serioze, në gjitha qytetet bregdetare të Adriatikut, sepse ekzistojnë të dhëna të shumta dhe të sakta për burime shumë të vlefshme. Studiuesit dhe hulumtuesit e këtyre burimeve duhet të përgatiten profesionalisht, si në aspektin gjuhësor ashtu dhe në atë paleografik, diplomatik dhe epigrafik dhe të tillë nuk mungojnë më në Shqipëri.

Studiues të shumtë të specializuar dhe të profilizuar në fusha të ndryshme nga shumë shtete të njohura e pak të njohura janë marrë me studimet për origjinën, kulturën, traditën, gjuhën, religjionin dhe gjithçka tjetër që ka të bëjmë me shqiptarët dhe trojet e tyre etnike.

Thellësia dhe serioziteti i këtyre studimeve është në disa raste edhe sot e kësaj dite i patejkaluar dhe një nga pikat referenciale në fushën e albanologjisë, burimologjisë dhe historisë kombëtare shqiptare.

Debatet e shumta të mirëfillta me bazë shkencore, botimet e korpuseve të dokumenteve, analizat studimore dhe librat e shumtë, të botuar që nga zbulimi i shtypshkronjës së Gutenbergut e deri sot, janë një nga dëshmitë më të forta, për një interes të veçantë që kishin të huajt për popullin shqiptar, fatin dhe rolin e tij gjatë shekujve mesjetarë, por edhe gjate zhvillimeve të vrullshme të rilindjes dhe të iluminizmit evropian dhe atij shqiptar.

Zbulimet e dorëshkrimeve janë gjithashtu një thesar i vërtetë ngaqë pasurojnë shumë herë boshllëqet e krijuara në epoka të caktuara kohore ose plotësojnë e saktësojnë njohuritë që kemi deri tani për ngjarje, personalitete dhe data të rëndësishme historike.

DORËSHKRIMI I PANJOHUR PËR SKËNDERBEUN

Në Shibenik, në famullinë e Shën Lovrit, në fondin e pasur me dorëshkrime të kësaj famullie, ruhet një dorëshkrim i át Mate Zoriçiqit, me titull: Ogledalo prisvitloga i ponosnoga vojevagna vlastelina Jure Castriochianina, recenoga Scanderbeg /Pasqyrim i të përndritshmit dhe të nderuarit fisnik Gjergj Kastriotit të quajtur Skanderbeg/.

Ky dorëshkrim ruhet me signaturën: R. K - 17/I. II. Edhe pse ka vlerë burimore dhe rëndësi kohore marrë parasysh kohën kur u shkrua, ky dorëshkrim nuk është botuar kurrë deri me sot. Vetëm dy studiues, Ivan Kukuljeviq Sakcinski e Zeqeria Neziri, e kanë përmendur deri me sot dhe ashtu kalimthi, pa dhënë informacione të sakta, përshkrim të përmbajtjes apo përshkrim fizik.

Gjatë qëndrimit tonë në Shibenik, patëm fatin që ta studiojmë në vend origjinalin e këtij dorëshkrimi mjaft voluminoz dhe shumë të vlefshëm: arritëm të bëjmë edhe transkriptimin e tij dhe njëkohësisht të nxjerrim edhe një riprodhim të tërësishëm fotografik dhe një tjetër të skanuar me rezolucion shumë cilësor. Dorëshkrimi ka 92 fletë, format të madh, (in foglio) me dimensione: 26.3 x 49.5 cm dhe ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga nëntë kapituj; ndërsa pjesë e dytë ka trembëdhjetë kapituj, dhe gjithsej përbëjnë njëzetë e dy kapituj.

Çdo kapitulli i paraprin një nëntitull i shkurtër, i cili në mënyrë përmbledhëse paraqet se për çfarë bëhet fjalë në tekstin në vazhdim. I tërë teksti është i mbushur me data dhe vite të sakta, gjë që e rrit vlerën dhe rëndësinë e dorëshkrimit. Përveç kësaj, emrat e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut dhe të kundërshtarëve të tij janë shënuar me një korrektësi të jashtëzakonshme.

Në disa raste, vërehet njëanshmëri e lehtë në favor të Venedikut, qëndrim ky të cilin autori e arsyeton me mjeshtëri të veçantë, duke treguar madhështinë, forcën dhe diplomacinë e përkryer që kishte Republika e Shën Markut, në atë kohë. Megjithatë, autori nuk lë pa përmendur as rolin e paçmuar që luan në këtë kohë (mesjetë) Republika e Shën Vlashit – Raguza (Dubrovniku i sotëm) për Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

Ai rikujton figura dhe autoritete të shquara shqiptare që jetuan e vepruan në Dubrovnik në këtë kohë ose vite më vonë si vëllezërit Gazuli (Gjoni, Pali e Ndreu), pastaj Marin Beçikemin, disa nga pinjollët e Topiasve, Muzakajve dhe Engjëllorëve të Drishtit etj.

Një vëmendje të veçantë i kushton dhënies së titullit të “qytetarisë së nderit” Gj. K. Skënderbeut, por edhe djalit të tij Gjonit, si dhe ndihmës që Republika i ofroi Donikës (bashkëshortes së Skënderbeut) dhe djalit të saj Gjonit pas vdekjes së prijësit shqiptar etj. Shënimet janë të sakta dhe fitohet përshtypja se át Mate Zoriçiqi ka shfrytëzuar burimet arkivore raguzane të kohës.

Dorëshkrimi është shumë i dëmtuar, sidomos faqet e para dhe ato të fundit. Edhe në brendësi, në disa vende lexohet me vështirësi. Lagështira, e në disa vende edhe ngjyra, e kanë gërryer letrën, e cila ishte e cilësisë së dobët. I tërë dorëshkrimi është shkruar në të ashtuquajturën “bobinë letre”. Teksti lexohet lehtë. Ai është i shkruar në gjuhën kroate, në dialektin e ikavicës, fillim e fund nga një dorë e vetme, pa ndërhyrje redakture, gjë që le të kuptohet se ishte përgatitur për botim.

Për studimin e tij Át Mate Zoriçiqi ka përdorur burime të shumta, veçanërisht literaturë të botuar të kohës të cilën ai ka pasur mundësi ta shfrytëzonte meqenëse jo vetëm udhëtonte shpesh në Venedik, Romë, Milano, Paris, Vjenë, Budapest etj, por edhe sepse një gjë të tillë ia mundësonte vetë qyteti i Shibenikut dhe qytetet e tjera përreth ku kishte biblioteka mjaft të pasura. Sipas informacioneve të tërthorta kemi arritur në përfundim se át Zoriçiqi ka shfrytëzuar edhe burime të dorës së parë, d.m.th. lëndën arkivore të Raguzës (Dubrovnikut të sotëm), Venedikut dhe Romës.

Át Mate Zoriçiqi i shtjellon me kujdes të veçantë të dhënat burimore historike, ngjarjet, personalitetet e kohës, datat dhe informacionet e tjera, duke sjellë mjaft gjëra të reja jo vetëm për kohën kur u shkrua teksti, por edhe për ditët e sotme. Ai i qasej në mënyrë krejt të veçantë figurës së Gj. K. Skënderbeut.

Pasi flet për dorëzimin e tij si peng në moshën tetëvjeçare, përshkruan lidhjet e tij me të atin Gjon Kastriotin, ndërsa kur flet për Gjergj Kastriotin si intelektual át Mate Zoriçiqi në f. 14 të studimit të tij në dorëshkrim shkruan: “Skënderbeu lexonte dhe shkruante arabisht, turqisht, greqisht dhe kroatisht.”

Fare qarte e ka shënuar “kroatisht” (Hervatski), që nënkupton se Skënderbeu ka shkruar edhe kroatisht, nëse me këtë át Zoriçiqi nuk ka menduar për sllavishten – çirilicën, sepse mesa duket ai ka pasur në dorë edhe dokumentet origjinale në shkruara në çirilicë nga kancelaria e Gj. K. Skënderbeut, dokumente këto që ruhen edhe sot e kësaj dite në Arkivin Historik të Dubrovnikut (Si ilustrim ne po botojmë njërin nga këto dokumente). Në vijim të dorëshkrimin nuk gjejmë shënim tjetër për gjuhët e tjera që fliste ose shkruante Gj. K. Skënderbeu siç ishin gjuhët: shqip, latinisht e italisht, etj.

Tërheq vëmendjen edhe pohimi i át Mate Zoriçiqit se e ëma e Gjergj Kastritotit, Vojsava, ishte nga një derë fisnike e njohur e fisit të shquar të Tribalëve shqiptarë të Pollogut (Maqedoni e sotme). Këtë pohim, át Zoriçiqi nuk e mbështet në ndonjë burim ose literaturë, por sidoqoftë për ne është mjaft interesant qëndrimi i tij. Pra sipas át Mate Zoriçiqit nëna e Gj. K. ishte shqiptare.

Po ashtu, ndoshta është ndër biografët e parë të Gj. K. Skënderbeut, që pohon se tre vëllezërit e Skënderbeut nuk i vrau Sulltani, por ata vdiqën nga vdekje natyrale, pra as të helmuar dhe as në robëri, siç jemi mësuar të lexojmë në ditët e sotme. Ky pohim i át Mate Zoriçiqit gjen mbështetje sot në dokumentet dhe burimet arkivore që janë zbuluar e botuar ndërkohë nga arkiva e biblioteka të ndryshme.

Dorëshkrimi është përfunduar më 29 shkurt të vitit 1752. Këtë të dhënë na e ofron vetë autori, në faqen e fundit /f. 92/. Kjo datë, na bën të pohojmë, se ky është njëri ndër krijimet më të vjetra deri sot të njohura për Gjergj Kastriotin Skënderbeun shkruar nga një autor kroat.

Dokumente dhe faqe të dorëshkrimit të At Mateo Zoriciq për Skënderbeun me logo












































(Në foto Dokumente dhe faqe të dorëshkrimit të At Mateo Zoriciq për Skënderbeun në Sllavisht)

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?