Zbulohet historia e “Ëvetares”
së Naum Veqilharxhit

11 Dhjetor 2013, 06:48| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Historia e librit shqip në Rumani, e cila fillon nga Abetarja (Ëvetare) e Veqilharxhit, 1844, është ekspozuar dje në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë bashkë me 60 ekzemplarët e librit shqip, botuar në periudhën 1844-1913. Rilindësit në këto vite kishin hedhur rrënjët e marrëdhënieve kulturore e miqësore me Rumaninë. Dhe si rrjedhojë, vite më vonë Rumania ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Shqipërisë më 1913-n. Çeljen e kësaj ekspozite e ka organizuar Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ku janë zgjedhur nga fondet e rralla të Bibliotekës Kombëtare rreth 60 tituj librash shqip.

Gjatë çeljes së kësaj ekspozite ambasadori i Rumanisë, Viorel Stanila, tha dje se “fillimi i marrëdhënieve diplomatike i kujton kontekstin shumë dramatik të krijimit të shtetit të ri shqiptar”. Ndërsa drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, studiues i letërsisë shqipe, e ka përmendur këtë kolanë veprash të ekspozuara si sjellje në kujtesë të një fakti të harruar, që në tekstet universitare të historisë së letërsisë sonë mungon.

“Pas vitit 1913 mund të flitet fare mirë për një shkollë letrare shqipe të Bukureshtit”. Këtë studiuesi Plasari e argumenton edhe me faktin se raportet mes dy vendeve kishin marrë një zhvillim të ri. Titujt e librave të ekspozuar përkojnë edhe me titujt e veprimtarive që janë bërë në shërbim të çështjes kombëtare kolonitë shqiptare në Bukuresht. Biblioteka Kombëtare i ekspozon librat bashkë me dokumentet e kohës që shkruajnë për këto veprimtari në shenjë simbolike për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Rumanisë.
 
Ja si lindi historia e botimeve shqipe në Rumani
Shoqëria kulturore “Drita” kishte siguruar një shtypshkronjë në Bukuresht dhe aty në vitin 1886 nisi botimi i veprave letrare dhe teksteve mësimore të rilindësve. Nën kujdesin e saj botohet i plotë Naim Frashëri, “Gramatika e parë e gjuhës shqipe” e Sami Frashërit, botimet origjinale të Muhamet Çamit e Jani Vretos. Ndërsa Naum Veqilharxhi në 1884-n njihet si hartuesi i një abetareje me 8 faqe, në të cilën gjemë shënimin “Fort i shkurtër e i përdorshim “Ëvetar” shqip për çdo si cilin që do të mësojë të kënduarit e të shkruarit bukur shqip”.

Pak më tej ekspozohet abetarja e dytë, që e ka bërë më 1845-n me 5 faqe, që e boton me shënimin shqip: “Ëvetar i ri shqip për djelm nismëtorë, nxjerrë e dhënë mbë dritë tani herën e parë për djem të vegjël me një të zgjedhur nga disa gjë të mirash e të fitimshme”. Vlerat e themeluesit të Abetares shqipe dalin në dritë edhe nga një letër që korçarët ia dërgojnë më 4 maj të vitit 1845 Naum Veqilharxhit për Abetaren (Ëvetare), të cilët ndër të tjera i shkruajnë: “Duke lavdëruar dhe lartësuar të plotfuqishmin Perëndi, që iu ka ndriçuar për t‘i paraqitur në gjuhën tonë shkronja...., kombi ynë do të numërohet me këtë fillim me kombet e ndriçuara të Europës dhe emri i Zotërisë suaj do të mbetet i pavdekshëm deri në fund të shekujve”.Pas ekspozitës së Tiranës do të hapet edhe një ekspozitë e ngjashme më 16 dhjetor në Bukuresht, ku do të përfshihet literatura e rilindësve shqiptarë shkruar në gjuhën rumune. Të dyja ekspozitat plotësojnë kuadrin e gjallë të marrëdhënieve mes popullit rumun dhe atij shqiptar në kohët më të vështira të Shqipërisë.
 
 Shkrimi u publikua sot (11.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?