Zbulohet fotografia e rrallë e Ismail Qemalit

30 Tetor 2012, 10:27| Përditesimi:

  • Share
Zbulohet një fotografi e rrallë e Ismail Qemalit në pragun e 100-Vjetorit të Pavarësisë. Portretin e qartë të themeluesit të Pavarësisë, shikimin depërtues dhe vizionar, të cilin s'e arritën dot qindra skulptorë në vitin 2012 për një shtatore..., e zbulon koleksionisti Shpëtim Sala. Historia e kësaj fotoje bëhet e njohur nga studiuesi Moikom Zeqo, i cili e ka botuar foton e rrallë në librin-album që sapo ka dalë në dritën e botimit. Pra, veç fotos së spikatur të Ismail Qemalit, ky libër-album i titulluar "Flamuri që ringjalli një komb, 100 vjet pavarësi" i studiuesit Moikom Zeqo, sjell në këtë 100-vjetor të reja interesante. Në këtë libër janë përzgjedhur dokumentet kryesore që përbëjnë burimologjinë historike për ngjarjen e pavarësisë. Veç kësaj albumi i studiuesit Moikom Zeqo nxjerr në dritë dokumente të rralla të shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Disa nga këto të reja janë 6 procesverbalet e qeverisë së Vlorës që s'i ka botuar kush deri më sot. Pjesa më e madhe e këtyre procesverbaleve janë bërë gjatë muajit nëntor, ku shënohen në letër të gjitha përpjekjet e mëdha për shpalljen e Pavarësisë. Moikom Zeqo, përveç fotos zbulon në librin e tij edhe një mumër intervistash befasuese dhe të panjohura të Ismail Qemalit.

FOTOGRAFIA E RRALLË
Fotografia e panjohur e Ismail Qemalit është bërë në Bruksel në vitin 1900 dhe botohet për herë të parë. Fotografia është e veçantë edhe për sa i përket cilësisë së saj artistike. Shfaqet një portretet i munguar i Ismail Qemalit, një imazh i vërtetë i themeluesit të pavarësisë, fytyra e të cilët deri më sot na është dhënë e turbullt. Tani shikojmë një pamje të qartë, vështrimin e tij të pastër, depërtues, fisnikërinë e qëndrimit të tij. Fotoja në fjalë, lidhet me një vizitë të veçantë në Bruksel, kur Ismail Qemali ka shkuar dhe ka takuar Faik Konicën. Lidhur me këtë takim ai "ka botuar në gazetën "Albania" një rrëfim tronditës për jetën e tij dhe për qëllimet që ka për pavarësinë e Shqipërisë", thotë autori i librit Moikom Zeqo. Megjithëse në këtë album gjen një mumër të madh fotografish historike, të cilat nuk janë botuar më parë, kjo foto që të vëren "sy ndër sy" është më e veçanta. Albumi ka edhe disa nga fotografitë e Ismail Qemalit të disa studiuesve që kanë botuar librin e kujtimeve të tij të vitit 1920 në anglisht. Por, megjithëse ky album ka edhe një numër të madh pikturash të autorëve evropianë, të cilët kanë portretizuar shqiptarët, pavarësisht se në vitin 1912 ata nuk ishin paraqitur ende si popull me një shtet, albumi i studiuesit Zeqo është përqendruar në figurën e Ismail Qemalit.

"Fotoja e rrallë e tregon si ishte në të vërtetë, një figurë e qartë, ndryshe nga dhjetëra foto të fotokopjuara nga gazetat dhe nga arkivat. Fotoja relike është gjetur prej një arkivi familjar, e vendosur në kornizë nga koleksionisti Shpëtim Sala", rrëfen studiuesi Moikom Zeqo. Ai thotë se "kjo foto është relike e vërtetë". Është e vërtetë, sepse shumica e fotove që kemi ne nga Ismail Qemali nuk na e kanë ofruar kurrë kaq të qartë vështrimin e tij. Fotoja ka qenë pjesë e familjes së Vlorave dhe koleksionisti e mban sekret vendin ku e ka marrë këtë foto. Edhe pse muzeologjia bazohet mbi objekte origjinale, siç thotë ish-drejtori i MKHK-së, fatkeqësisht Muzeu i Pavarësisë në Vlorë nuk ka asnjë relike origjinale të Ismail Qemalit, asnjë fotografi, as një send tjetër që të dëshmojë se është prekur nga dora e tij. Të gjitha janë kopje. Fotografitë janë të riprodhuara, të ristampuara. Fotoja e bërë në Bruksel në vitin 1900 është origjinale. Ajo është gjendur së bashku me kornizën e saj, ku ka qenë e përdorur në familje dhe koleksionisti ia ka lejuar autorit të albumit ta botojë këtë foto të veçantë, por nuk ka treguar se ku e gjeti.

RRËFIMI TRONDITËS I ISMAIL QEMALIT NË "ALBANIA", BRUKSEL 1900
Pasi ka takuar Faik Konicën që drejtonte edhe gazetën "Albania" gjatë vizitës së tij në Bruksel në vitin 1900, Ismail Qemali ka dhënë një intervistë për këtë gazetë. Kjo intervistë është botuar në librin "Flamuri që ringjalli një komb. 100-vjet pavarësi" të studiuesit Moikom Zeqo. Ja një nga fragmentet e kësaj interviste tronditëse: "Më duket e tepërt për të dëftuar kush jam. Mjafton të ju thomë se jam shqiptar, bir shqiptari, se gjaku që rrjedh në dejet e mija është gjak shqiptar, se kam një zëmërë me të vërtetë shqiptare...

Të 40-vjet që unë dolla në shërbim të Dovletit, që janë 40 vjet mundimesh dhe larg djemve të mij, mësova të shkoj jetën në syrgjyn e në vende mundimesh, të pësoja gjithsesa të liga që mund të heqë zëmëra e njeriut, të gjitha këto hidhërime i njoha, por këto të vojtura të padurueshme nuk ma pakësuan dashurinë e Atdheut. Megjithatë duke parë se mjerimet e egra po afroheshin, un më tepër e lartësoja zërin. Më tepër ishin duke u vërtetuar mjerimet ndaj unë e çilja zërin, e pata burrërimin të them të vërtetën e të përpiqem të zgjojë ata që ishin në gjumë. Më duket se është më mirë të vdes e të bëhem hi, sesa të shoh sesa poshtë kishte rënë atdheu. Ishte e thënë që të shihnim këto ditë të zeza e këto re të errëta të varura përmbi atdhe, porsi një rrezik i afërm..."

PROCESVERBALET E QEVERISË SË VLORËS
Procesverbal i Mbledhjes së Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë mban datën 5 Nëntor, 1912. Ja një fragment: “Pasi të gjithë të mbledhurit e përgëzuan dhe iu falën nderit Ismail Qemal Beut, që deshi të mbetej për ca ditë në mes të tyre e t’u japë këshilla e tij të vlefshme mbi veprimin që duhet të bëjnë për t’i ndihmuar atdheut në rrezikun në të cilin ndodhet, z. e tij Ismail Qemal Beu mori fjalën mbi gjendjen e sotme të Shqipërisë dhe mbi masat që duhet të marrin shqiptarët për të mbrojtur të drejta e tyre.” Shkruhen edhe emrat e protagonistëve: “E morën fjalën z, Kristo Meksi, Ahile Eftimiu, Athanas Kantili, Dhimitri Zografi, Luigj Gurakuqi, e të tjerë. Më poshtë: “Dhimitër Berati dhe Milto Sotiri treguan dëshirën të venë në Shqipëri e të punojnë bashkë me ata që do përpiqen për mbarimin e qëllimeve tona”. Dokumentet tregojnë rrugëtimin e themeluesit të shtetit shqiptar; më 5 nëntor Ismail Qemali gjendej në Bukuresht, më 9 Nëntor në Vjenë, etj: Ja dokumenti:
“Vjenë, 9 nëndor 1912.
Me vaporin e parë po nisem. E ardhmja e Shqipërisë është siguruar. Ju porosis që duke iu mbështetur fatit të atdheut, të punoni së bashku edhe si vëllezër, të merremi me rregullimin e punëve të përgjithshme, edhe të ruani qetësinë. Jepuni rretheve lajmin e gëzueshëm. Ju falem të gjithëve atërisht.
Ismail Qemali”

(marrë nga Shqiptarja.com, datë 30 tetor)
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?