Baza e falsifikimit të dokumenteve u zbulua nga përgjimet! Autorët bënin certifikata për tjetërsim prone e zgjerim kufiri

17 Prill, 11:46| Përditesimi: 17 Prill, 15:03

  • Share

Çlirim Bregun dhe Arben Rushitin, Krimi Ekonomik në Policinë e Shtetit i njihte shumë mirë dhe veprimtarinë e tyre kriminale të falsifikimit e kishte trajtuar edhe më herët. Së fundmi hetuesit kuptuan se punat e pista jo vetëm që nuk e kishin harruar, por e intensifikuan më shumë. Pas informacioneve se shpërndanin dokumente të falsifikuara u vunë në përgjim, dhe përmes tyre u garantuan prova, të cilat bindën hetuesit për të ndërhyrë në operacionin që e koduan “Vula”.

Sipas burimeve, dy të arrestuarit Bregu dhe Rushiti, prej kohësh kishin arritur të ngrinin skemën e mashtrimit të falsifikimit, kryesisht të certifikatave të pronësisë së tokës dhe dokumenteve të martesave që klientët do i përdornin jashtë shtetit për përfitime dokumentesh. Të njëjtat burime thonë se ka shumë raste ku të arrestuarit, kundrejt pagesës, e cila varion nga disa qindra në disa mijëra euro, kanë tjetërsuar prona apo kanë zgjeruar kufijtë e tyre, kryesisht në Kashar dhe Kamzë, por nuk mungojnë edhe rastet nëpër zona të tjera.

Dokumentet e sekuestruara po verifikohen nga Krimi Ekonomik. Ndërkohë, vulat që u gjetën në firmën e tyre në Kashar, prodhoheshin nga vetë Bregu e Rushiti dhe i përkasin shumë institucioneve, përfshirë këtu njësi të ndryshme administrative, e deri në prefekturë.

Gjatë ekzekutimit të operacionit, policia gjeti dhe arrestoi në flagrancë edhe një të tretë, i cili po kryente pagesën për marrjen e një dokumenti fals. Brenda ambienteve të firmës u gjetën edhe 210 shishe me verë kontrabandë, një zakon i vjetër i pronarit Çlirim Bregu. Bregu rezulton i dënuar më parë, pasi në dhjetor 2018 u arrestua pasi tentoi që të fusë në vendin tonë 8 mijë litra verë kontrabandë. Burime pranë policisë thonë se ai për vite të tëra njihet si falsifikator dhe për këtë në të shkuarën ka bërë edhe burg.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?