Zbardhjet dosja/ Provat që bindën SPAK-un për të marrë nën hetim Ilir Metën dhe roli i Vangjel Tavos

25 Gusht 2022, 15:25| Përditesimi: 25 Gusht 2022, 20:13

  • Share

SPAK ka marrë nën hetim zyrtarisht Ilir Metën për lobim me para të pista në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht SPAK regjistroi procedimin me numër 122 pas kallëzimit që ish deputeti Halit Valteri referoi në këtë strukturë në 7 qershor 2022. Meta dyshohet për veprat penale të korrupsionit pasiv dhe falsifikimit të formularëve.

Në materialin e referuar në SPAK kallëzoheshin Ilir Meta, bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ish deputeti Vangjel Tavo dhe Iraklis T. Fidetzis, administrator i kompanisë Dorelita  Limited me seli në Qipro, përfshirë në skemën e lobimit në vitin 2017, për llogari të Metës dhe LSI, me para të padeklaruara.

Po cilat janë faktet që bindën më në fund SPAK për të marrë nën hetim Ilir Metën, i cili si taktikë mbrojtje ka zgjedhur sulmet ndaj SPAK, në bashkëpunim me aleatin e tij Sali Berisha?

Report Tv ka parë dhe siguruar kallëzimin e plotë, bashkë me provat bashkëngjitur.

Si fakt në dosjen e Metës referohet një kontratë e kompanisë McKeon Group me LSI-në dhe Ilir Metën, e datës 6 janar të vitit 2017, kohë gjatë të cilës Meta ishte ende kryetar i LSI-së.

Kontrata kishte si objekt lobimin në SHBA për pjesëmarrjen e Metës në inaugurimin e Presidentit Trump në vitin 2017, planifikimin e takimeve të Metës me liderë në Uashington përgjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira dhe speciale me administratën e ardhshme dhe Kongresin.

Kontrata ka një kohëzgjatje 6 mujore dhe vlera totale që parashikon është 90 mijë USD.

Personi i autorizuar për të lidhur kontratën dhe për të përfaqësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Ilir Metën me shoqërinë McKeon Group është Iraklis T. Fidetzis, një personazh i dyshimtë që deol në pah në disa kontrata të tjera lobuese, me vlerë qindra mijëra USD, gjithashtu të padeklaruara në Shqipëri.

Kontrata nuk qartëson mënyrën e transferimit të parave, por nuk ka asnjë dyshime se paratë janë shpenzuar, por që nuk janë deklaruar nga LSI-ja në shpenzimet vjetore në KQZ dhe as Meta në deklaratën e pasurisë të vitit 2017.

Është pikërisht ky fakt, pra fshehja e shpenzimeve me para që nuk u dihet burimi, që rrezikon Ilir Metën jo vetëm të merret i pandehur, por edhe që mund të arrestohet në vjeshtë. Deri më tani, Ilir Meta as nuk ka denjuar për të sajuar një alibi se pse nuk i ka deklaruar paratë e shpenzuara për lobim as në KQZ dhe as në ILDKPKI, siç e parashikon ligji sipas rastit!

Meta del zbuluar  

Kompanitë amerikane të lobimit kanë për detyrë të deklarojnë kontratat dhe të ardhurat që përftojnë nga lobimet që ato bëjnë në website-in e (FARA). FARA është homologu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri. Detyrimi i kompanive lobuese është vetëm të deklarojnë të ardhurat që i vijnë, por logjikisht jo sesi janë përftuar këto të ardhura nga kontraktuesi.  Kompania McKeon Group i ka deklaruar kontratat me LSI-në dhe Ilir Metën në FARA dhe në Departamentin e Drejtësisë Uashington. Ky fakt vërteton edhe një herë shpenzimin e bërë nga Ilir Meta, të cilin e ka fshehur në Shqipëri.

Roli i Vangjel Tavos

Personi që ka lidhur Ilir Metën me administratorin e kompanisë offshore Dorelita Limited, Iraklis T. Fidetzis është Vangjel Tavo, ish deputet i LSI-së. Roli i Tavos është konfirmuar nga vetë LSI-ja gjatë një reagimi për gazetën amerikane Mother Jones, e cila në 25 Prill 2018 publikoi një artikull për lobimet e LSI-së në SHBA. “LSI mohon çdo lidhje me Dorelitën. Një zëdhënës i partisë tha se kishte "zero kontakte me kompaninë dhe zero njohuri për" kompaninë. Zëdhënësi vuri në dukje se një anëtar i shquar i partisë, Vangjel Tavo, e kishte lidhur partinë me Fidetzis dhe se më vonë Tavo miratoi pagesën prej 15,000 dollarësh nga LSI për McKeon Group...”, thuhet në artikull.

Kontrata tjetër 600 mijë USD

Në materialin kallëzues referohet edhe një kontratë tjetër mes kompanisë McKeon Group dhe kompanisë offshore Dorelita Limited në Qipro, me datë 28 mars 2017, me vlerë 600 mijë USD. Administrator i shoqërisë offshore Dorelita Limited është pikërisht Iraklis T. Fidetzis, personi i autorizuar nga Meta për të lidhur kontratën e parë të lobimit.

Kontrata e dytë ka si objekt bërjen e telefonatave nga klienti i Shoqërisë Offshore Dorelita dhe asistimi, zhvillimi i marrëdhënieve me zyrat e qeverisë Amerikane. Menaxhimi i takimeve midis administratës Amerikane dhe Kongresit me Dorelita Limited dhe individëve të lidhur me të. Ndjekjen e takimeve me administratën Amerikane dhe Kongresin.

Pra, Dorelita Limited ka lidhur kontratë në vlerën 600 000 USD që McKeon Group të lobojë në favor të personit që ka kontraktuar Dorelita Limited dhe pagesat që do të bëhen për McKeon Group do të bëhen nga llogaritë offshore të Dorelita Limited.

Po kush është ky personi që ka kontraktuar Dorelita Limited për t’u fshehur? Në materialin kallëzues ngrihen dyshime se është pikërisht Ilir Meta, i lidhur me administratorin e kompanisë fantazmë Dorelita Limited, Iraklis T. Fidetzis.

“Personi që ka përfaqësuar Ilir Metën në kontratën e parë është Iraklis T. Fidetzis, po i njëjti person rezulton edhe në këtë kontratë si firmëtar, gjithashtu dhe pronar i shoqërisë Dorelita Limited. Fakti se më datën 29 Prill 2017, pra një muaj pas kontratës së McKeon Group dhe Dorelita Limited shoqëria McKeon Group ka postuar në llogarinë e saj në Facebook foto të Ilir Metës me Howard Buck McKeon (pronari i kompanisë McKeon Group), gjë e cila fakton vazhdimin e marrëdhënieve midis Ilir Metës dhe shoqërisë lobuese. Fakti se Dorelita Limited është shitur nga një pronar në një tjetër, një muaj para datës së lidhjes së kontratës në vlerë 1000 euro. Shoqëria Dorelita Limited nuk rezulton të ketë staf punonjësish, por vetëm një individ, gjë e cila është e pamundur për një shoqëri që do të lidhë kontrata me vlera kaq të mëdha me mungesën e theksuar të stafit”, thuhet në kallëzim.

Që Ilir Meta fshihet edhe pas kontratës së dytë, nuk është raportuar vetëm nga gazeta amerikane Mother Jones, por edhe nga gazeta prestigjioze austriake Kronen Zeitung, në datën 16 maj 2022.

“…Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote, që të siguronte një foto në ceremoninë e inagurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump. “Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, 700,000 dollarë kanë kaluar përmes kompanisë offshore Dorelita Limited nga një avokat i afërt me Metën” “Në listën e tyre të dyshimtë të shpenzimeve: 50 mijë euro në muaj për takime me senatorë amerikanë, darkë, udhëtime dhe me sa duket edhe operacione estetike për zonjën Meta, Monika Kryemadhi, e cila mori kryesinë e LSI-së nga bashkëshorti i saj”. Denoncuesi iku në Austri për shkak të akuzave dhe frikës së një atentati. Aty ku tani duhet të kishte marrë statusin e mbrojtjes. Ai mund të tronditë mjedisin politik shqiptar. Ajo që tregon denoncuesi në prani të avokatëve të njohur të Vienës ju bën të uleni dhe të dëgjoni me vëmendje. Provat mund të tronditin peizazhin politik të Shqipërisë dhe të rrëzojnë askënd tjetër veç presidentit të Shqipërisë…”.

Gjithsesi, edhe nëse nuk provohet me dokumente se Meta fshihet pas kontratës së dytë, do të mjaftonte kontrata e parë dhe kontratat e tjera në vijim, që Meta të vishet me përgjegjësi penale, pasi është faktuar shpenzimi nga LSI-ja, para të cilat nuk janë deklaruar dhe nuk u dihet burimi.

Kallëzimi në SPAK për Ilir Metën

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Kontrata mes MCKeon Group dhe LSI e 1 janarit 2017

 

Kontrata mes MCkeon dhe Dorelita

 

Takimi me kompanine lobuese

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Anti Troll: 26/08/2022 10:38

    Mire Ilir Meta, qe megjithese nuk ka firmosur personalisht kete kontrate dhe nuk dihet nese i ka paguar ato para, me siguri e meriton te shkoje ne burg per nje kohe te gjate, po pse nuk flitet per lobimin ne USA te Saimir Tahirit? NE FARA (https://efile.fara.gov/docs/6783-Exhibit-AB-20200116-3.pdf) ka edhe nje kontrate mes Saimir Tahirit dhe "Stone Strategic Solutions", ne 14 Janar 2020, per nje shume prej 20 mije dollaresh ne tre muaj. Kjo kontrate eshte firmosur personalisht nga Saimir Tahiri. Eshte e sigurt qe Saimiri ka paguar te pakten 20 mije dollare, por nuk dihet nese ka vazhduar te paguaje edhe pas tremujorit te pare. A i ka deklaruar Saimiri keto pagesa? Nga i ka gjetur gjithe keto para, nderkohe qe ka qene vetem me rroge shteti? Pse nuk flet askush per kete?

    Përgjigju
  • Mario: 26/08/2022 00:28

    Dashka ta haje edhe Tavua.

    Përgjigju
  • Cubel breca: 25/08/2022 23:11

    Sa meziiiiii i ka saju i shkreti duke i mbledhur cika cika. Sa gjynah. Keta jan kriminela hajduter mafioze e cfar sjan. Keta kan 30 vjet qe bejn vepra penale dhe as do tja dij njeri.

    Përgjigju
  • Niku: 25/08/2022 16:47

    "FARA është homologu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri." Jo, FARA eshte Foreign Agents Registration Act, nuk eshte komision. Eshte akt normativ qe detyron gjithe personat qe veprojne si agjente te organizatave te huaja ne SHBA (pra,lobiste), te regjistrojne te gjitha te ardhurat dhe aktivitetet e tyre qe kryejne ne emer te organizatave qe perfaqesojne. Ekuivalenti i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve ne SHBA eshte Federal Election Commission.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?