Zbardhet takimi i KSA: Vettingu
kyç për integrimin e Shqipërisë

15 Nëntor 2017, 12:41| Përditesimi:

  • Share
Këshilli i Stabilizim dhe Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbajti takimin e tij të 9-të më 15 nëntor 2017. KSA konstatoi Raportin e vitit 2016 të Komisionit për Shqipërinë, i cili njohu përparimin e vendit drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim dhe vazhdimin e progresit përgjithësisht të qendrueshëm në pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të aderimit.

Këshilli konstatoi gjithashtu se Komunikimi i vitit 2016 nga Komisioni mbi Strategjinë e Zgjerimit të BE, mbi bazën e progresit në përmbushjen e prioriteteve kyçe dhe në varësi të zbatimit të reformës në drejtësi dhe rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) në veçanti, rekomandoi hapjen e negociatave të aderimit me Shqipërinë. Që prej këtij momenti, Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm domethënës.

KSA konstatoi përkushtimin në vazhdimësi të Shqipërisë për axhendën e reformave dhe nënvizoi se së bashku me prioritetet e tjera kyçe, reforma në drejtësi mbetet thelbësore në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe mund të ketë efekt transformues edhe për reformat e tjera. Në këtë kontekst, KSA përgëzoi për krijimin e institucioneve përgjegjëse për vetting-un në qershor 2017 dhe theksoi se ky sukses i rëndësishëm përbën një hap përpara në zbatimin e reformës në drejtësi.

KSA gjithashtu mirëpriti vendosjen e monitoruesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili ka filluar punën nën udhëheqjen e Komisionit Evropian. BE mirëpriti gjithashtu hapat e mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht rezultatet pozitive të arritura në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Gjithashtu, KSA vlerësoi pozitivisht hapat e ndërmarrë në çështjet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë miratimin e Ligjit Kuadër mbi Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

KSA konfirmoi se Shqipëria ka mbajtur një ritëm të lartë në zbatimin e masave të reformës së administratës publike dhe mirëprit në veçanti konsolidimin e masave që kanë si qëllim fuqizimin e transparencës dhe meritokracisë në Shërbimin Civil dhe përmirësimin e efektivitetit në kryerjen e shërbimeve publike.

KSA njohu rolin e Shqipërisë në rajon si një partner pro-aktiv dhe konstruktiv. KSA vlerësoi pjesëmarrjen e vazhdueshme të Shqipërisë në nismat rajonale dhe strukturat në Evropën Juglindore, si dhe marrëdhëniet fqinjësisë së mirë dhe qendrimet konstruktive në rajon. BE ritheksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabiliteti në rajon janë elementë thelbësorë të procesit të Stabilizimit dhe Asocimit.

KSA mirëpriti vazhdimësinë në bashkimin e plotë të Shqipërisë me vendimet e Këshillit të BE dhe me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Takimi u kryesua nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë/Zv. Presidentja e Komisionit, Federica Mogherini. Delegacioni shqiptar u kryesua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati. Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Christian Danielsson, përfaqësoi Komisionin Evropian.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?