Zaloshnja: Teksa automjetet në qarkullim janë shtuar, aksidentet dhe vdekjet e plagosjet e rënda rrugore janë pakësuar

1 Shtator 2023, 11:37| Përditesimi: 1 Shtator 2023, 11:47

  • Share

Ndër faktorët afatshkurtër që ndikojnë në numrin e aksidenteve rrugore, numri i automjeteve në qarkullim, sasia e reshjeve, dhe puna e policisë rrugore janë më kryesorët. Ndërsa ndër faktorët afatgjatë, më kryesorët janë sjellja e drejtuesve të mjeteve dhe kalimtarëve, si dhe cilësia e rrugëve dhe e automjeteve. Faktorët afatgjatë ndryshojnë nga dekada në dekadë, ndërsa faktorët afatshkurtër nga viti në vit.

Në këtë shkrim, analiza do të përqendrohet tek faktorët afatshkurtër: 8-mujori i parë i këtij viti, krahasuar me 8-mujorin e parë të vjetshëm.

Ndër faktorët afatshkurtër, puna e policisë rrugore nuk mund të matet në mënyrë të drejtpërdretë – ajo mund të matet vetëm në mënyrë të tërthortë, përmes indikatorëve të mortalitetit dhe morbiditetit rrugor. Ndërsa numri i automjeteve në qarkullim dhe sasia e reshjeve janë tregues që mund të maten saktësisht.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor na tregojnë se numri i automjeteve aktive me targa shqiptare është rritur me 8.1% këtë 8-mujor, krahasuar me 8-mujorin e vjetshëm. Ndërkohë, sipas sistemit TIMS, edhe numri i automjeteve me targa të huaja të futura në Shqipëri gjatë këtij 8-mujori është rritur me 20.4% (krahasuar me 8-mujorin e vjetshëm). Por edhe sasia e përgjithshme e reshjeve këtë 8-mujor, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ka qenë 7.8% më e lartë se në 8-mujorin e vjetshëm.

Nisur nga shifrat e mësipërme, numri aksidenteve dhe i vdekjeve e plagosjeve rrugore mund të ishte rritur në mënyrë proporcianale (ngaqë shtimi i automjeteve në qarkullim dhe i reshjeve rrisin probabilitetin e aksidenteve). Në qoftë se aksidentet dhe vdekjet e plagosjet e rënda rrugore do të kishin ndjekur kurbën e rritjes së mjeteve në qarkullim dhe të reshjeve, do të kishim patur rreth 875 aksidente dhe 281 vdekje e plagosje të rënda rrugore.

Po në fakt, në 8-mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar vetëm 766 aksidente (29 më pak se vjet në të njëjtën kohë) dhe vetëm 242 vdekje e plagosje të rënda rrugore (13 më pak se vjet në të njëjtën kohë). Pra mund të thuhet se indikatorët e mortalitetit dhe morbiditetit rrugor janë përmirësuar këtë 8-mujor, krahasuar me vjet. Puna e Policisë Rrugore mund të ketë ndikuar në këtë përmirësim.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?