Foto ilustruese

Zaloshnja: Panorama statistikore e punësimit të banorëve të rritur në Shqipëri

17 Prill, 09:07| Përditesimi: 17 Prill, 10:07

  • Share

Në një sondazh rigoroz që drejtova kohët e fundit, zhvilluar me rreth 1100 anketime të drejtpërdrejta në terren nga Konispoli në Vermosh, të anketuarit e moshave mbi 18 vjeç e sipër u pyetën edhe për punësimin e tyre. Ja çfarë panorame statistikore të punësimit në Shqipëri na dha ky sondazh rigoroz.

Rreth 66.2% e banorëve të rritur janë aktualisht të punësuar/vetëpunësuar në Shqipëri. Me ekstrapolim të përafërt, kjo përqindje përkthehet në rreth 1 milion e 323 mijë banorë të rritur të punësuar/vetëpunësuar. Rreth 3.9% e banorëve të rritur (ose rreth 77 mijë) janë në kërkim të një vendi pune, ndërsa rreth 30% (ose rreth 600 mijë) të tjerë as janë në punë e as kërkojnë punë (shihni tabelën e mëposhtme). Tek ky grupi i fundit përfshihen pensionistët e pleqërisë apo invaliditetit, shtëpiaket, si dhe studentët që nuk shkojnë në punë pasdite.

Dy grupet e para në tabelën e mësipërme formojnë atë që në literaturën ekonomike quhet forca aktive e punës, e cila aktualisht ka në përbërje rreth 1.4 milionë banorë të rritur të Shqipërisë (ka në përbërje plus edhe disa mijëra adoleshentë që punojnë, por ata nuk janë përfshirë në sondazhin e sipërcituar). Nga 1.4 milionët e mësipërm, vetëm 77 mijë janë në kërkim të një pune që ende s’e kanë gjetur – ata përbëjnë 5.5% të forcës së rritur aktive të punës.

Bazuar në literaturën ekonomike, niveli i papunësisë në popullsinë e rritur (18 vjeç e sipër, e jo 15-64 vjeç, sa ç’është zakonisht grupmosha e referencës për punësimin) aktualisht regjistrohet pikërisht në nivelin e mësipërm 5.5%.

*SHËNIM: Nga 1.323 milionë të punësuarit/vetëpunësuarit ndër banorët e rritur, rreth 30% rezultuan të vetëpunësuar. Ndërkohë, rreth 32 mijë banorë të Shqipërisë rezultojnë që vazhdojnë të punojnë edhe pasi e kanë festuar datëlindjen e 65-të.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?