Foto ilustruese

Zaloshnja: 4 faktorët kryesorë të vdekjeve e plagosjeve të rënda prej aksidenteve rrugore

15 Qershor 2022, 09:31| Përditesimi: 15 Qershor 2022, 09:35

  • Share

Indeksi i mortalitetit në aksidentet rrugore përfaqëson numrin e vdekjeve për 100 mijë automjete aktive. Indeksi i morbiditetit në aksidentet rrugore përfaqëson numrin e plagosjeve të rënda për 100 mijë automjete aktive. Të dy këta indekse në Shqipëri kanë regjistruar një ulje dramatike në periudhën 8-vjeçare 2013-2021 (shihni grafikun më poshtë).

Kjo ka ndodhur sepse vdekjet dhe plagosjet e rënda prej aksidenteve rrugore u reduktuan ndjeshëm, edhe pse numri i automjeteve aktive të regjistruara u rrit pothuaj dyfish gjatë së njëjtës periudhë.

Sidoqoftë, niveli i indeksit të mortalitetit dhe të morbiditetit në aksidentet rrugore ende mbetet tek ne më i lartë se në Bashkimin Europian. Kjo është e vërtetë sidomos gjatë periudhës së verës, kur qarkullimi në rrugët e Shqipërisë rritet ndjeshëm si rezultat i turizmit të brendshëm e të jashtëm (të dy llojet e turizmit janë rritur ndjeshëm vitet e fundit).

Po cilët janë faktorët që ndikojnë më shumë për vdekjet dhe plagosjet të rënda prej aksidenteve rrugore?

1-Drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkolit/drogave

Aksidentet ku alkoli ose droga janë një ndër faktorët e aksidentit e kanë trefish më të lartë probabilitetin të përfundojnë me të paktën një të vdekur apo të plagosur rëndë (pasagjerë, kalimtarë, ose çiklista). Studime të shumta tregojnë se kontrollet e shpeshta e të rastësishme, apo postblloqet e policisë për kontrollin e drejtuesve të mjeteve për konsum alkoli apo drogash e ulin numrin e aksidenteve në të cilat alkoli ose droga janë faktor.

2-Mospërdorimi i rripit të sigurisë

Mospërdorimi i rripit të sigurisë nga drejtuesit apo pasagjerët e mjetit e rrit dyfish probabilitetin e vdekjes ose plagosjes së rëndë në një aksident serioz. Me rritjen e gjobave për mospërdorimin e rripit të sigurisë dhe me policimin më aktiv të Policisë Rrugore, përdorimi i rripit në Shqipëri është rritur ndjeshëm, por nuk ka arritur ende në nivelet e bashkimit Europian (nga një sondazh që zhvillova para pandemisë për projektin suedez SCPA, rezultonte se 75% e të anketuarve e përdornin rregullisht rripin e sigurisë kur udhëtonin në Shqipëri; mesatarja e banorëve të BE-së është 88%).

Studime të shumta tregojnë se kontrollet e shpeshta e të rastësishme në lidhje me përdorimin e rripit të sigurisë në rrugët më të përdorura nga automjetet, e rrisin nivelin e përdorimit të rripit. E për rrjdhojë, ulet numri i vdekjeve ose plagosjeve të rënda nga aksidentet rrugore.

3-Parakalimet e gabuara

Parakalimet e gabuara (në kthesa ose kur përballë ka automjete ardhëse) e rrisin pesëfish probabilitetin e një aksidenti serioz (me pasojë vdekjen apo plagosjen e rëndë). Është pothuaj e pamundur që Policia Rrugore të patrullojë çdo kthesë e çdo rrugë, por përdorimi i dronëve të survejimit nga ajri dhe i automjeteve të pamarkuara nga policë rrugorë të veshur civilë mund të jetë një mënyrë për të shtuar frikën e drejtuesve të mjeteve, se mund të kapen papritur e pakujtuar, në qoftë se bëjnë një parakalim të gabuar.

4-Përdorimi i celularit në timon

Përdorimi i celularit në timon e trefishon probabilitetin e ndodhjes së një aksidenti rrugor. Dhe me rritjen e numrit të aksidenteve, rritet edhe numri i vdekjeve e plagosjeve të rënda prej tyre…

Nga sondazhi i sipërpërmendur, rezultoi se rreth 45% e drejtuesve të automjeteve e përdornin celularin në timon (reth 1/3 e tyre e përdornin vetëm brenda qyteteve). Një reduktim i përdorimit të celularit në timon do të ulte edhe më tej indeksin e mortalitetit dhe morbiditetit prej aksidenteve rrugore. Për këtë, Policia Rrugore duhet të tregohet më aktive në ndalimin e drejtuesve të mjeteve që përdorin celularin në timon.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?