Guvernatori i Bankës Gent Sejko takim me Yuri Kim: Rritja e çmimeve nuk do ndikojë në rimëkëmbjen ekonomike të vendit

15 Prill 2022, 18:23| Përditesimi: 15 Prill 2022, 18:46

  • Share

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka takuar sot Guvernatorin e Bankës, Gent Sejko në kudër të rizgjedhjes së tij në krye të Bankës së Shqipërisë.

Kjo rizgjedhje sipas Kim, mbështet qëndrueshmërinë e Bankës së Shqipërisë si një institucion kyç në zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Fokus i bisedës ka qenë edhe situata ekonomike post COVID-19 në Shqipëri dhe mjedisi kompleks i krijuar për shkak të tensionit gjeopolitik nga sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës.

Pas rikuperimit të ekonomisë shqiptare nga pandemia, Sejko u shpreh se vendi ynë po përballet me një krizë tjetër, atë të rritjes së çmimeve. Sipas Sejkos, kjo rritje e çmimeve pritet që të ketë një ndikim të konsiderueshëm, por do të prishë rimëkëmbjen e vazhdueshme ekonomike dhe pritet të jetë kalimtare.

Sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe rritja e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare diktuan një rishikim të projeksioneve të mëparshme të Bankës së Shqipërisë dhe nevojën e rivlerësimit të përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare.

Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë reagoi nëpërmjet instrumentit të politikës monetare për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend, si dhe për të minimizuar pasojat që goditja e çmimeve mund të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar.

Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme ligjore e rregullative që disponon, në bashkëpunim me të gjitha autoritetet në vend, me qëllim përballimin e kësaj situate, duke ruajtur parametrat makroekonomikë, si dhe stabilitetin e çmimeve e atë financiar në vend.

Në vijim, Guvernatori Sejko prezantoi gjendjen e sektorit bankar në vend duke theksuar se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit dhe shëndetit financiar, ku mund të përmendet raporti i kredive me probleme i zbritur në nivelin aktual prej 5.4%.

Kim vlerësoi rolin që Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar kanë luajtur në vazhdimësi, si dhe mbështetjen që Banka e Shqipërisë po jep për minimizimin e efekteve të mundshme negative të krijuara tensioni gjeopolitik.

Ambasadorja vuri theksin në rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës nga institucionet në vend, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur. Ambasadorja Kim vlerësoi marrëdhëniet mjaft të mira që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë dhe shprehu gatishmërinë e saj për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë situatë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?