Basha, Rama, Berisha e Meta

Ylli Pata: Testi politik i valles vjeshtore të Kukësit

16 Gusht 2023, 19:39| Përditesimi: 16 Gusht 2023, 19:40

  • Share

Më 24 shtator zhvillohen zgjedhjet e reja vendore të Kukësit vetëm për kryetarin e bashkisë. Duke ju referuar shifrave të 14 majit, ku kanë votuar rreth 22 mijë zgjedhës, Kukësi është gati sa trefishi i Himarës, ku kanë votuar afro 7 mijë veta gjithsej.

Gjasat janë që nuk do të ketë atë zhurmë që po ndjek Himara, që ka përfshirë jo vetëm peshat e rënda nga Athina, por edhe kryepeshkopin Janullatos, i cili ka vizituar Fredi Belerin në burg, por pesha politike e bashkisë së Kukësit nuk është e vogël.

Numri i votuesve në këtë territor janë të rëndësishme, pasi aty dalin 2 nga tre deputetët e qarkut në zgjedhjet parlamentare. Plus rëndësisë politike që ka një zgjedhje kryebashkiaku, sidomos në një zonë me peshën e vet gjeopolitike në hartën e përgjithshme elektorale në vend.

Me rastin “Gjici”, Partia Socialiste natyrisht që do të ketë koston e saj, e në këtë rast është mëse e merituar si pasojë e atij gjesti të rëndë në sy të publikut. E nisur nga kjo, por edhe nga fakti se Kukësi është një bastion i hershëm i opozitës, gjasat për një ndërrim ngjyre më 24 shtator janë mjaft të dukshme.

E në këtë kontekst, testi politik i valles vjeshtore të Kukësit është më shumë një sprovë e sjelljes politike të opozitës aktuale, e cila ndarjen vijon ta ketë aq të thellë sa para 14 majit.

Partia Demokratike e Lulzim Bashës, duket se do të hyjë në garën e 24 shtatorit, ndërsa mungoi më 14 maj. Si hapje të kësaj loje, PD ka përcjellë një deklaratë e degës së Kukësit, e cila konfirmon pjesëmarrjen në garë, por që bën thirrje për të gjetur një kandidat të përbashkët të gjithë opozitës.

“Koha për të sjellë ndryshimin në Kukës ka ardhur. Ne ftojmë të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit tanë të bashkojmë energjitë dhe vullnetet tona për ta bërë realitet këtë ndryshim të shumëpritur.

Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve”, thuhet në deklaratën e PD-së së Kukësit.

Në çkodimin e saj politik, edhe pse nuk thuhet literalisht, bëhet e qartë se nuk flitet për të pranuar kandidatin e foltores së 14 majit, Admir Sinamati, i cili mori 2 mijë vota më pak se Safet Gjici, ndërsa si këshill bashkiak, kandidimi i foltores së bashku me aleatët e vegjël të së djathtës e lanë PD vetëm me një anëtar këshilli.

Gjasat janë qartë se PD kërkon të hyjë në garë me një kandidat të sajin, e thirrja bën pjesë për negociata, jo një pranim të foltores siç ndodhi para 14 majit, kur me insistimin e Gazment Bardhit e Jorida Tabakut, PD nuk paraqiti kandidatë në shumicën e bashkive të vendit.

Jorida Tabaku, e ka mbështetur menjëherë këtë deklaratë, duke tentuar që ta krahasojë me aksionin e saj politik të para 14 majit, edhe ai nuk kishte asnjë ngjashmëri me këtë deklaratë të PD Kukës. Pasi edhe në fushatën e 14 majit, PD ka bërë thirrje foltores për arritjen e kandidaturave të përbashkëta, jo vetëm me qëndrime të degëve, por edhe deklaratë zyrtare të kryetarit të atëhershëm të komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj. i cili kërkoi që të nisë një proces unifikimi.

Por siç dihet, Berisha me Metën që ngritën “Bashkë Fitojmë” vijuan pa konsultime dhe regjistruan në zgjedhje “kandidatët e primareve”. Kjo deklaratë e PD-së Kukës, duket qartë se është një lëvizje taktike e partisë së Bashës për të pritur përgjigjen e krahut tjetër të opozitës, pra subjektit “Bashkë Fitojmë”. Sali Berisha ka heshtur, por ka folur Ilir Meta, i cili ka bërë të qartë se do të mbështesë kandidatin e foltores.

Thënë shkoqur, kësaj radhe do të ketë garë ndërmjet PD-së dhe “Bashkimit për Fitore”. Garë e cila ndoshta për herë të parë në një situatë të ndryshme nga 6 marsi i shkodrës, përballja do të jetë “politikisht korrekte”.

Është e natyrshme që dalja përballë njëri- tjetrit e kandidatëve të opozitës favorizon PS-në. Por më mirë sesa një shtirje uniteti fals dhe lojra nën rrogoz të palëve për të fituar terren, zhvillimi më normal është një matje forcash politike. Sa vlen realisht lëkura e dy palëve përballë votuesve të opozitës. E kjo garë, e zhvilluar si një test i parë në një terren të favorshëm të opozitës si Kukësi, është një farë mënyre shansi më i mirë për arqipelagun politik anti qeverisë së sotme.

E pikërisht gara përpara votuesve do të tentojë të japë një sinjal gjithnjë e më të qartë sesi do të konfigurohet opozita e djathtë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndaj, më shumë sesa një test për qeverinë e mazhorancën, Kukësi është një mundësi për të hyrë opozita në vallen e madhe politike kombëtare, pikërisht nga 24 shtatori i Kukësit. Pas saj, duke parë shifrat do të jetë më e thjeshtë për të analizuar sesi mund të konfigurohet kjo pjesë e rëndësishme e politikës shqiptare.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?