Ilir Meta dhe Bajram Begaj

Ylli Pata: Sulmojnë Begajn se s’shkoi në Athinë, ç’do ndodhte me Metën në Presidencë?!

21 Gusht 2023, 17:38| Përditesimi: 21 Gusht 2023, 17:41

  • Share

Ka pasur një seri sulmesh ndaj presidentit Bajram Begaj, nga qarqe pranë Berishës dhe Metës, meqë kreu shtetit refuzoi të shkojë në darkën e Micotaqisit në Athinë. E për këtë, e quajnë “sekretar” të Edi Ramës. Në fakt, ka ndodhur një zhvillim tjetër në politikën shqiptare në lidhje me “ziafetin beleris” në Pallatin Maximos në Athinë.

Zyrtari i PD-së për marrëdhëniet me jashtë, Kreshnik Çollaku, ka bërë thirrje për të mos mbajtur qëndrime partiake, kundrejt shantazhit të qeverisë greke për Belerin, të cilin politikani i opozitës e quan “nacionalist”.

“Do te luftoj cdo dite e cdo ore ne Shqiperi per te permbysur qeverine e Edi Rames. Por sot Shqiperia eshte qartesisht perballe nje shantazhi nacionalist te mbuluar me retorike europiane.  Perballe shantazheve te tilla shqiptaret duhet te jene te unifikuar,dhe Kosova ne krah te Shqiperise…edhe Albini”, shkruan deputeti Çollaku.

Qëndrim ky, që duket vite dritë nga logjika polarizuese 30 vjeçare, kur sidomos me Athinën, rrallë është unifikuar politika e lartë. E që në fakt përbën një qëndrim logjik, se nuk ka përse ndodhë ndryshe. Se, Micotaqis përpara se të jetë një politikan i PPE, aleat i së cilës është edhe PD, është një udhëheqës i Greqisë, që po ndëshkon zyrtarisht Shqipërinë, për një çështje që e keqpërdor për synim nacionalist.

Gazeta kryesore e Athinës, Kathimerini, theksonte në numrin e saj të djeshëm të edicionit në anglisht, se prapa “persekutimit” të Belerit qëndron “tentativa për të grabitur pronat etnike greke në Himarë”.

“Kryeministri shqiptar akuzohet se ka mbështetur  biznesmenët shqiptarë, të cilët i kanë vënë syrin titujve të pronësisë së grekëve etnikë, të cilët nuk janë rregulluar kurrë siç duhet pas rënies së regjimit komunist. Titujt mund të konvertohen leje dhe të drejta operimi në brezin bregdetar të Himarës, proces që rregullohet me vendime të bashkisë. Bazuar në këtë interpretim, zgjedhja e Belerit kërcënon planet e establishmentit shqiptar. Edhe politikani etnik-grek nuk pëlqehet shumë nga shqiptarët. Ai thuhet se ka pasur të paktën disa kontakte si 20-vjeçar me organizatën paraushtarake Fronti Çlirimtar i Vorio Epirit (MAVI). Megjithatë, ajo që e bën atë të padëshiruar në Tiranë nuk është “e kaluara e tij hiper-patriotike”, është paraja e ftohtë. Por ka më shumë”, thekson Kathimerini.

Pra parë në të gjitha këndvështrimet, por edhe opsionet e kësaj krize, asgjë nuk trajtohet si çështje të drejtash politike apo të njeriut të atyre që konsiderohen grekë, apo janë shtetas të Greqisë.

Por si gjithmonë edhe në të shkuarën, terrtori i Himarës, së bashku me elementët pronësorë të asaj zone, konsiderohen si “territor dhe prona etnike greke”.

Gjë që asnjëherë në të shkuarën apo edhe sot, nuk ka dalë një politikan shqiptar që ta artikulojë përkrahjen e kësaj teze. E sipas gjasave, ai që e bën këtë, nuk do të fitonte asnjëherë vota në Himarë. Rritja e votave të përfaqësuesve më të përkrahur të Athinës në Himarë: Vasil Bollano dhe Fredi Berberi, ka ndodhur thjesht sepse me ta është bërë aleat Sali Berisha nga Tirana, e sot edhe Ilir Meta.

Përgjigja zyrtare e Presidentit Bajram Begajt ndaj ftesës së Micotaqis, e cila është qartësisht një diversion i hapur, ka qenë mjaftueshmërisht diplomatike. Pasi me shumë arsye, kreu i shtetit shqiptar mund ta konsideronte edhe “provokacion”, këtë tentativë të Athinës.

E cila në fakt nuk është as e para, as e fundit, e ka një logjikë të caktuar. Ndërsa të gjitha forcat politike greke janë të unifikuara për të mbrojtur Fredi Belerin, ata kanë diskutime të ndryshme me rrugët që Athina duhet të ndjekë në konfliktin me Tiranën, në Shqipëri ka forca politike që janë në një qëndrim me qeverinë greke. Sali Berisha e ka thënë hapur dje në takimin publik me gazetarët.

“Kryeministri i Greqisë nuk ftoi me të drejtë Edi Ramën për shkak të shkeljes nga ai i të drejtave kushtetuese, të drejtave që garanton Konventa Europiane të Drejtave të Njeriut dhe Kodi Zgjedhor, e ligje të tjera të vendit të qytetarëve shqiptar në farsën elektorale më 14 maj në tërësi dhe rastin Beleri në veçanti”, tha tekstualisht Sali Berisha.

Ndaj Micotaqis dhe qarqet zyrtare greke po tentojnë ta trajtojnë rastin Beleri, si një akt personal i Edi Ramës apo edhe i mazhorancës së tij. Kur në thelb, por edhe në të gjitha zhvillimet e rastit, ai është një çështje e pastër e drejtësisë shqiptare. E cila ka folur në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Por tani Athina, pasi ka marrë edhe kritika nga qarqe amerikane dhe europiane për këtë çështje, po del me artificin e betimit. Duke akuzuar qeverinë se po ndalon që Beleri të bëjë betimin.

Por në fakt edhe kjo është çështje totalisht ligjore, e ka të bëjë me statusin e Belerit si i ndodhur në masë sigurie arrest me burg, pra në paraburgim. Një person që ndodhet në paraburgim nuk mund të zhvillojë asnjë aktivitet me mjediset e jashtme, përveç të aspektit humanitar.

Shembulli janë ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë, që për 3 vjet janë totalisht të izoluar, e madje nuk kanë mundur të largohen edhe në raste ekstreme tragjedish familjare. Edhe kur ka ndodhur, ka qenë totalisht i monitoruar, duke ndaluar çdo kontakt. Vetëm procesi, pra vendimi i gjykatës zgjidh edhe rikthimin e të drejtave politike dhe atyre individuale. Gjithsesi, mos kryerja e betimit, mund të apelohet si çështje në të gjitha gjykatat e vendit. Madje edhe për ta intepretuar në Gjykatën Kushtetuese. E cila, mund të vendoste pikat mbi i edhe për precedentë të tjerë në të ardhmen.

Pra, në të gjitha kuptimet, në një shtet ligjor, jo vetëm këtu, por edhe në Greqi, nuk do të kishte bërë betimin, një i paraburgosur. Kjo kleçkë do të trajtohej ligjërisht, edhe rrugët janë. Inati i Greqisë mund të shfryhet gjithsesi, e në të shkuarën kemi parë edhe më keq, si operacionet fshesa, si dëbime të dhunshme, apo edhe më keq fushatat e ndryshimit të korpusit etnik dhe fetar në mënyrë massive të shqiptareve në Greqi, të nxitur nga autoritetet helenike. Këto nuk i ka kryer ndonjë i panjohur për kryeministrin aktual, por babai i tij, Kostandin Micotaqis, kur ishte në krye të qeverisë greke, gati 30 vjet më parë.

Megjithë inatin grek, Athina asnjëherë nuk do të merrte konsensusin e të paktën BE-së në logjikën e sulmit ndaj një drejtësie që monitorohet nga Komisioni Europian. E ky monitorim është subjekt kushtetues dhe shtetformues i Republikës së Shqipërisë. E cila drejtësinë e saj, e ka të kontrolluar e monitoruar nga ONM. Korpus që kreun e saj e ka as më shumë e as më pak, por zyrtari më i lartë i BE-së për Zgjerimin.

Ndërkaq, duke parë sulmet ndaj Bajram Begaj, nga ata qarqe që janë e kanë qenë mbështetës të zellshëm të parardhësit e tij, kuptohet qartë se çdo të ndodhte nëse Ilir Meta do të ishte sot President, apo nëse incidenti me Belerin do të ndodhte kur ai ishte në krye të shtetit.

Jo vetëm që do të shkonte në darkën me Micotaqisin, por sipas gjasave do të mbante edhe një miting para Pallatit Maximos me “popullin e 2 Marsit” të Athinës për lirimin e “Fredismou”.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • VICENCO: 22/08/2023 09:58

    presidenti begaj eshte nje klloun i rames, ndersa meta dhe berisha sherbetore te beogradit dhe athines dhe natyrisht te ushqyer e mbajtur ne kembe me parate e korrupsionit dhe ato te rusise.

    Përgjigju
  • erion: 22/08/2023 09:25

    kllouni i rames

    Përgjigju
  • vlonjati: 22/08/2023 08:16

    Ne rast se do ishte thirrur Rama o Ylli ne ngjitje i rilindjes a do te shkonte ne samit ? Me siguri qe po. Atehere ku qendron e drejta e veprimit te presidentit i cili nenvlereson veten duke mos treguar se eshte udheheqes shteti por qe eshte nje sekretar i Rames ? Sipas teje o pate Rama eshte qeveria,shteti, partia.Sipas teje o pate duhet ti hekim emrin Shqiperi vendit tone e ta quajme "Shteti Rama"

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?