Sali Berisha dhe Flamur Noka

Ylli Pata: Shkaku real dhe politik i irritimit berishjan për Postribën

11 Shtator 2023, 18:39| Përditesimi: 11 Shtator 2023, 18:43

  • Share

Sali Berisha, edhe pse është një politikan që ka si “pasaportë” të tij kaosin dhe zhvillimin brutal të aksionit të tij politik, nuk ka vepruar pa plan dhe shikim strategjik në mbjelljen e demarkimin e sinorit të tij politik.

Ndaj edhe ngjarje si ajo që ndodhi në Postribë në fundjavë, ku kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, nderoi viktimat e rebelimit komunist, e kanë nxjerrë nga shinat.

Në një logjikë krejt normale, çdo politikan do të ishte i kënaqur, madje shumë, nëse do të shikonte palën rivale politike që vjen në territorin e vlerave që për më shumë se 30 vjet ai dhe partia e tij kanë lançuar e kultivuar. Pra nderimin e viktimave të diktaturës komuniste. Rasti i Postribës bën fjalë për një organizim me armë, në vitet e para të çlirimit, kundër qeverisë së drejtuar nga Enver Hoxha.

Të gjithë ata që ndërmorrën përsipër atë revoltë, e kanë nisur me bindje se po përlesheshin me një regjim, nga i cili dilje o i vdekur, ose fitimtar. E sot kur Shqipëria, e ka braktisur totalisht një logjikë politike të atij regjimi, e është aleat i ngushtë i aleatëve të atyre që morën armët kundër Enver Hoxhës, e ka fituar të drejtën e qytetarisë për të nderuar, vlerësuar, e konservuar vlerat për të cilat luftuan të gjithë ata që morën pjesë apo mbështetën Kryengritjen Antikomuniste të Postribës, apo të tjera lëvizje të tilla.

Marrja pjesë e Partisë Socialiste, e cila meqë po flasim për Shkodrën, ka nderuar 5 Heronjtë e Vigut, apo Luftën e Reçit, e të tjera evente të Luftës Nacional Çlirimtare, do të duhet të bënte që Sali Berisha dhe çdo i djathtë, të shprehej i lehtësuar. Pasi kemi të bëjmë me një zhvillim që Shqipëria duhet ta bënte me kohë, edhe pse vonë, do të duhej ta bënte një ditë.

Por jo, Berisha dhe njerëzit e tij në Shkodër janë xhindosur keq, dhe bënë atë që kanë bërë për 30 vjet. Nuk e filluan ceremoninë e tyre pa u larguar jo vetëm Benet Beci dhe njerëzit e bashkisë, por të gjithë të tjerët që ata nuk i konsiderojnë të tijët, madje siç u bë publike, morën edhe kurorat e bashkisë e i larguan. Pastaj filluan avazin 30 vjeçar të ceremonisë. Ku nuk ka pasur asnjëherë nderime të përbashkëta për të gjithë ngjarjet e rëndësishme historike, por të ndara, sipas midesë dhe mendimit partiak mbi filan ngjarje apo zhvillim historik.

Në vitin 1991, kur Shqipëria qeverisej nga një qeveri koalicioni mes PD-së dhe PS-së, televizioni puublik shpërndante imazhe më 5 maj apo 29 nëntor, ku përfaqësues të të gjithë partive shkonin në varrezat e dëshmorëve për të nderuar martirët. Ishte piktoreske dhe është nëse hapen arkivat, mund të shikosh kronikat e rretheve, ku përfaqësuesit lokalë të PS-së nderonin me grusht, ata të PD-së me dy gishta, ata të Legalitetit me dorën e shtrirë agër gjoksit, e të tjerët sipas midesë. Pak parodike por në fund jepte një mesazh publik bashkimi dhe komuniteti. Këtë e prishi Sali Berisha sapo mori pushtetin në vitin 1992. Jo vetëm në datat historike, por edhe më gjerë.

Berisha krijoi datat e tij, zonat e tij, vendet e tij, ku nuk do të kishte askush tjetër vetëm ai dhe partia e tij. Ai krijoi të famshmet zona “politikisht të pastra”, duke e nisur nga Shkodra, ku logjikisht elektorati antikomunist ishte dhe është më i madhi. Ndaloi në vitet e para edhe aktivitetet normale të liderit të opozitës, kur Fatos Nanos ja bëri të pamundur që të mbante një miting apo mbledhje atje. “Shkodra nuk i do socialistët”, tha Sali Berisha nga karrikja e Presidentit të Republikës në majin e vitit 1993, ndërsa një detashment i dhunshëm i partisë së tij me njerëz të tatimeve dhe SHIK, ndaloi Fatos Nanon të shkonte në qytet.

Në vitin 1997, paramilitarët e  Sali Berishës i bllokuan rrugën në Bushat kryeministrit të vendit të ndjerit Bashkim Fino dhe e ndaluan të shkonin në Shkodër. Në fushatën elektorale të atij viti, Fatos Nano u nis për Shkodër dhe e njëjta bandë doli me armë në pritë. Nga Shkodra, shkuan për ta pritur Fatos Nanon, mjaft mbështetës të PS-së, të cilët gjithashtu ishin të armatosur gjer në dhëmbë. Disa prej të cilëve ishin emra të frikshëm të asaj kohe të tmerrshme.

Nano, mund të kishte hyrë në Shkodër, pasi të fortët e tij negocuan dhe siguruan që nuk do të kishte rezistencë. Por kryetari i PS-së, mori vendimin që të mos shkojë në qytet, pikërisht për të shmangur ndonjë incident, që sipas gjasave do të ndodhte, e ndoshta edhe ndonjë “2 prill” i ri. Drejtuesit lokal të PS-së, por edhe militantët e armatosur u xhindosën dhe mallkuan kreun e opozitës atëherë për këtë “tradhti” që ata e quajtën.

Kur PS fitoi zgjedhjet në 1997, e arriti rezultat mjaft pozitiv në Shkodër, paramilitarët e gatshëm dogjën komisariatin e policisë, morën peng në zyrën e tij Prefektin e Shkodrës Gëzim Podgorica, ku truprojat e tij nga Postriba ishin gati ta zgjidhnin situatën brenda disa minutash në mënyrën e tyre e pa viktima, por Nano ndoqi zgjidhjen e butë duke shkarkuar Podgoricën.

I gjithë ky tension i akumuluar në Shkodër ka pasur një synim të qartë; për ta polarizuar situatën atje, që të mos lejonte një politikë normale, e cila kishte nisur të hapte udhë që në vjeshtën e vitit 1996.

Ku qarqe politike të djathta, madje të djathta tradicionale si Balli Kombëtar e Legaliteti arritën të fitojnë zgjedhjet vendore duke zgjedhur një kryetar bashkie të tyre-Bahri Boriçin. I cili me një qytetari tipike bashkejetoi normalisht jo vetëm me të gjithë komunitetin socialist të Shkodrës, i cili e kishte votuar në raundin e dytë, por edhe me qeverinë e PS-së e ministrat e saj.

Berisha nuk e donte këtë rrymë dhe si Enver Hoxha që prishi marrëveshjen e Mukjes nga frika se do të prodhohej politikë jashtë Partisë Komuniste, ndaloi çdo politikë tjetër që kalon jashtë tij.

Doktori e ka ditur gjithmonë se në Shkodër, ka një pjesë të konsiderueshme të elektoratit antikomunist që jo vetëm nuk e donte, por edhe e përçmonte madje e urrente. Në fund, ata votonin PD-në, pasi ishte mundësia e vetme dhe e rëndësishme antagoniste e atyre që ata i konsideronin si partia e persekutorëve të tyre.

“Nuk e duam Berishën, por nuk mund ta votojmë PS-në, të paktën ne, ndoshta fëmijët tanë apo nipat do të kenë një tjetër terren, një tjetër logjikë”, thonin njerëz të kultivuar nga shtresa e të përsekutuarve. E në një farë mënyre, kjo ishte edhe e logjikshme dhe e arsyeshme.

Ata ishin përndjekur thjesht sepse kundërshtonin komunistët, e kanë vuajtur thjesht për të votuar kundër tyre. Dita erdhi, natyrisht jo si ata e prisnin, por së paku lirisht mund të votonin një parti që është kundër komunistëve, ani pse një komunist e drejtonte.

Por kjo situatë militare s’mund të vijonte gjatë. Edi Rama, ndryshe nga Fatos Nano, ka pasur që në fillim një derë të hapur tek nje pjesë, madje e njohur e shtresës së viktimave të komunizmit. Që kur ishte ministër Kulture, Rama takohej lirshëm me komunitetin e artistëve dhe sportistëve shkodranë që ishin mbështetës e madje militantë të PD-së. Këto kontakte, Rama i fuqizoi edhe më shumë kur mori në dorë qeverisjen e vendit. Duke nisur që nga kandidimi i Keti Bazhdarit për kryetare bashkie, e ku babai i saj kishte qenë i burgosur politik i komunizmit, por edhe te emërime të tjera në qeverisjen qendrore e vendore.

Këto lëvizje, sidomos fitorja e bashkisë së Shkodrës nga Benet Beci, ka krijuar të gjitha kushtet e “çberishizimit” mental të logjikës militare në politikë. Pas asaj që ndodhi në Postribë, ka shumë gjasa që një ditë, edhe përfaqësues të së djathtës së Shkodrës të bëjnë homazhe tek varrezat e dëshmorëve apo te monumenti i 5 Heronjve të Vigut, siç socialistët të nderojnë rregullisht heronjtë e Postribës apo Malësisë së Madhe.

E kjo atmosferë krejt normale, që ndodh në çdo vend të ish-lindjes komuniste, i heq Berishës teorinë e “kordonit sanitar”, një strategji politike që edhe kaq shumë ka zgjatur. Në këtë mënyrë votuesit e djathtë nuk e shohin më “ish-sekretarin e PPSH” si të “keqen e domosdoshme”. Pasi mund të kenë variante më të qeta e të leverdisshme, siç ndodhi më 14 maj të këtij viti kur ata zgjodhën Benet Becin. I cili ka marrë vota në të gjitha lagjet e qytetit dhe fshatrave, edhe aty ku janë antikomunistët më të tërbuar.

E në respekt edhe të kësaj vote, Benet Beci nderoi zyrtarisht viktimat e kryengritjes Antikomuniste të Postribës. Vitin e ardhshëm, sipas të gjitha gjasave, të gjithë do të shkojnë në ceremoni, pasi këtë herë e dinin se do të xhindosej doktori. Herën tjetër, sipas të gjitha gjasave nuk do ta lejojnë ta ndajë e polarizojë një ngjarje që ka fituar të drejtën e qytetarisë, edhe në krahun tjetër të politikës.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?