Opinion

Ylli Pata: Përqafimi i kauzës anti-LGBT nga Berisha, si axhendë të luftës së tij me Perëndimin

29 Tetor 2021, 17:10| Përditesimi: 29 Tetor 2021, 17:11

  • Share

Një alarm i ngritur prej ditësh nga një grupim miks gazetarësh e klerikësh, në vend për të quajturën “Lufta për Familjen” është marrë menjëherë nga Sali Berisha.

I cili që prej shpalljes Non Grata nga SHBA, po gjen andej këtej “kauza” politike që përdoren si teza për të sulmuar SHBA, Europën e Perëndimin.

Ja shikoni dje postimin e Sali berishës për të ashtuquajturin “skandal” që rezultoi një fake news, siç ishte fake news, ai i grupimit që ka dalë në “mbrojtje të familjes”.

Berisha shkruan se Rama dhe Veliaj po shkatërrojnë familjen, duke ju shpërndarë fëmijëve formularë që heqin emrat Baba e Nënë.

Ka ardhur një përgenjështrim i Bashkisë së Tiranës, që e ka rrëzuar totalisht këtë tezë, mirëpo grupimi “në mbrojtje të familjes” ka përshëndetur Berishën për qëndrimin “e djathtë e konservator” e më pas janë zhvilluar edhe panele, ku shtrohej teza se “përse Perëndimi po kërkon të shkatërrojë familjen”?

Ja kaq e thjeshtë është kjo situatë. Synohet një e ashtuquajtur axhendë, ku Perëndimi të sulmohet si një shoqëri e korruptuar që kërkon të rrëzojë familjen, e në këtë rast është “Bud Spenceri” shqiptrar, “lexhenda e xhallë e demokracisë” që po e shpëton familjen shqiptare nga “Perëndimi i degjeneruar”.

Realisht, ka kohë që qarqe pro Erdoganit apo edhe klerikale në vend, si dhe mbështetës të Ilir Metës e Sali Berishës po ngrene si kauzë, një argument jo real, ndërkohë që këto qarqe nuk merren realisht me punën e tyre si klerikë me besimtarët. Por janë kthyer në celebritete, duke pasur synime të qarta për tu katapultuar në politikë.

Këto qarqe flasin për “vlerat konservatore për Zot e Atdhe” që po “duan t’i shkatërrojnë të majtët botërore me Biden në krye”.

E para, kjo është një axhendë, e cila nuk është në rendin e ditës në Shqipëri në aspektin politik, pasi ne nuk kemi grupime politike që kanë “flamur” të drejtat civile.

Tek ne, madje e majta socialiste e ish-komuniste, është edhe më konservatore sesa PD-ja në këtë aspekt.

Në kohën e Enver Hoxhës marrëdhëniet homoseksuale dënoheshin me burg në Kod Penal, ndërkohë që heqjen e këtij dënimi, pra depenalizimin e marrëdhënies së të njëjtës gjini e ka bërë mazhoranca e Partisë Demokratike.

E cila realisht erdhi jo si një e djathtë konservatore, sovraniste e populiste, por si një grupim liberal i qendrës së djathtë me një orientim Perëndimor.

Tani, për ta sqaruar mirë këtë çështje të atyre që e cilësojnë Perëndimin si “dekadent”  apo të “degjeneruar”.

SHBA, por edhe gjithë bota demokratike perëndimore ka shumë vjet që ka ndërtuar një legjislacion që mbron të drejtat e atyre komuniteteve që janë pakicë, ku hyjnë edhe ato komunitete që kanë një orientim seksual jo konvencional, pra burrë-grua.

Një shoqëri demokratike, krijon ambjentin që të drejtat të realizohen, e jo kufizohen. E në këtë aspekt nisi njëherë dekriminalizimi, më pas lejimi i “çifteve civile” e më pas e drejta e tyre për të adoptuar fëmijë.

E ndërsa këto të drejta u dhanë, është bërë edhe implementimi përkatës në Kodin e Familjes.

Nuk është përmbysur bota në Perëndim, thjesht kanë rregulluar një realitet që ekzistonte që nga lashtësia.

Marrëdhëniet homoseksuale ekzistojnë padyshim si në Turqi, Hungari, apo edhe vendet Arabe që bëjnë “më katolikun se Papa” në këtë rast. Thjesht ata nuk duan ta kodifikojnë një të drejtë të këtij komuniteti, që vepron i fshehur dhe ilegalisht.

Në Perëndim, çështja është politike, pasi njëra palë, ajo laike që janë të majtët e liberalët, mbrojnë pakicat gjinore, e pala tjetër ajo e lidhur me ndjenjën fetare mbrojnë familjen tradicionale.

Por gjithsesi nuk kemi një përmbysje apo një degjenrim shoqërie. Kjo, pasi një shoqëri e mbyllur i mban problemet brenda dhe ato shpërthejnë në një rrugë tjetër të pakëndshme, siç kanë shpërthyer skandalet me Kishën superkonservatore greke, apo me Kishën Katolike kudo në botë.

Megjithatë, në Shqipëri kjo çështje nuk ka gjasa, të paktën aktualisht të kthehet në kauzë politike. Kjo sepse komunitetet që përfaqësojnë këto pakica, nuk kanë fuqinë e depërtimit në lobime siç ndodh në Perëndim.

Partia Demokratike Amerikane nuk se është kundër familjes edhe pse mbron të drejtat e komunitetit LGBT, madje disa i ka sjellë edhe në poste të larta shtetërore, por bashkëjeton me këto ekzigjenca që janë realitet.

Po ashtu edhe Partia Republikane. Në partinë e Donald Trump ka një lob të fuqishëm të komunitetit LGBT, madje Richard Grenell, është një nga politikanët më të njohur të të djathtëve -gay.

Por hipokrizia e mbështetësve të Berishës e Metës është uluritëse: nga njëra anë sulmojnë Biden dhe demokratët për shkak se e shpallën Non Grata- si të degjeneruar, duke ngritur në qiell Trump-in, se mbron familjen, e nga ana tjetër politikanë si Grenell nuk i njohin si të djathtë.

E gjithë kjo panoramë në Shqipëri për të ashtuquajturat “vlera konservatore” është totalisht false, e fsheh thjesht antiamerikanizmin për hallin e Berishës e Metës, e jo për “Zot, Komb e Atdhe” që betohen këta politikanë që kanë bërë për 30 vjet pakt me dreqin e të birin, thjesht për interesa të çastit.

Shqipëria është një shoqëri ende në ngritje, ku ka të paplotësuar të drejta themelore njerëzore që nga prona, e drejta e punës, mbrojtja sociale, të drejtat sindikale etj. Ka rrugë të gjatë për të shkuar tek shoqëria Perëndimore, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, flamurin politik ka pasur pikërisht zgjerimin e mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të saj, e jo mbylljen e mosrespektimin e tyre.

Ndryshe shoqëritë e mbyllura të shteteve autoritare, e përdorin familjen si flamur, ndërkohë që bëjnë njëmijë të zeza e perversitete. Të cilat, siç i dimë të gjithë, i kanë bërë me okë, mjaft nga këta politikanët e paudhë të Shqipërisë…TemA

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?