Altin Dumani, kreu i SPAK

Ylli Pata: ‘Loja e rrezikshme’ me eskortën e kreut të SPAK

30 Gusht 2023, 19:35| Përditesimi: 30 Gusht 2023, 23:41

  • Share

Në hapësirën e zhurmshme mediatike të Tiranës, ku pjesa më e madhe e “ngjarjeve” kurdisen si të tilla, më shumë sesa janë, bëri përshtypje zgjimi me “eskortën e shtuar të kreut të SPAK”.

Një raportim i vagullt, i cili gjatë ditës ka tentuar të thithë komente, më shumë sesa një artikull i plotësuar në të gjithë komponentet e tij.

Ajo që bëri përshtypje më pas, ishhin sinjalet e dhëna nga disa qarqe të caktuara mediatike, sipas të cilave SPAK nuk mohon masat e sigurisë, e që më pas u bë edhe pyetje kryesore në konferencën për shtyp të ministrit të Brendshëm Taulant Balla në selinë e qeverisë.

Prokurorët e SPAK, por edhe kreu i tij, janë sot zyrtarët që kryejnë punën ndoshta më të rrezikshme në shtetin shqiptar.

Prokuroria e Posaçme, përveç hetimeve zinxhir të zyrtarëve të rëndësishëm shtetëror, është e ngarkuar, por edhe ka ndërmarrë hetime për baronët më të fuqishëm të asaj që quhet mafia shqiptare. Një numër i madh eksponentësh të krimit të organizuar janë arrestuar, çuar në gjykatë dhe dënuar nga ky institucion.

Por ajo që është më e rëndësishme, SPAK në këtë histori të shkurtër të ekzistencës së tij, ka sekuestruar një numër gjigand asetesh pasurore të të hetuarve dhe dënuarve për trafiqe e krim të organizuar, të cilat kapin shifra marramendëse, milionash euro.

Siguria e shtuar ndaj prokurorëve, por edhe stafit që punon në SPAK së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit, është logjika më normale që mund të mendojë çdo qytetar. Madje kushdo që e diskuton, e konsideron këtë si protokoll standard, madje duke menduar edhe masa sa më të shtuara për ta dhe familjarët.

Në të gjithë botën, çdo homolog i prokurorëve të SPAK kanë eksportë dhe siguri personale, madje disa herë më të madhe. Kolegët e tyre italianë që hetojnë mafien siçiliane, atë napoletane, puglieze dhe kalabreze, kanë jetuar për kohë të gjatë në kazerma ushtarake në ishuj të izoluar së bashku me familjet e tyre.

Nuk përbën fare lajm nëse kreu i SPAK dhe kolegët e tij ruhen me eskortë të posaçme, e me protokoll të veçantë sigurie. Madje, as nëse një ditë, protokollit të një dite i shtohen elementë shtesë apo modelohet plan paksa i ndryshëm nga një ditë më parë

E gjithë kjo, është një rutinë normale, e domosdoshme, e cila përpunohet me taktika specidike nga institucionet që dijnë dhe e kanë për detyrë që të kryejnë detyrën e ruajtjes. Çdo element operativ në këtë rast, nuk është aspak shtesë, por pjesë taktike e një thelbi që është konsideruar vendim strategjik që kur është ngritur SPAK.

Në raste të veçanta, duke parë modelet në vendet e tjera, edhe kur ka pasur raste të posaçme të rritjes së masave të sigurisë, kjo ka qenë një lajm i rezervuar i autoriteteve që përpunojnë planet operative.

A, nëse realisht ka pasur një përpjekje, tentativë, apo sulm ndaj prokurorëve, ky po që përbën lajm, madje i rëndësishëm e mjaft shqetësues.

Giovani Falcone merrte kërcënime të natyrave të ndryshme 24 orë në 24. Ai, e shoqja-Francesca që punonte gjykatëse në seksionin e të miturve, por i gjithë stafi që punonte me prokurorin e famshëm ishte nën kërcënime permanente. Ama, lajme ishin kur realisht kishte një akt apo tentativë për attentat ndaj tij. Siç ishte rasti në shtëpinë e pushimit në Addaura më 21 qershor 1989.

Kur Falcone po drekonte me prokuroren e famshme të Zvicrës, Carla Del Ponte, për të diskutuar në lidhje me hetimin Pizza Conection, ku po tentohej të gjendeshin paratë e Cosa Nostra-s Siçiliane në bankat zvicerane.

Në Adaura, rojet e prokurorit të Palermos panë një çantë të braktisur në breg, me 58 kallëpë eksplozivësh plastik, i cili kishte forcën për të hedhur në erë të gjithë zonën. Vite pas vrasjes së Falcones, një nga anëtarët e grupit rrëfeu se atentati u drejtua nga i përhershmi Leoluca Babarella, vëllai i gruas së Toto Riina-s.

Duke ardhur në rastin tonë, raportimi vlen kur ka rast të raportuar, denoncuar, e që do të kthehet edhe në hetim penal për një kërcënim konkret. Çdo indicie, çdo sinjal, çdo dyshim, apo lëvizje e çuditshme hyn në punën operative të një detyre tashmë rutinë, siç është siguria e afërt e drejtuesve të SPAK.

Fabula që nuk ka kush kërcënon prokurorët speciale nuk qëndron për vetë faktin sepse puna e tyre bie ndesh me interesa të rëndësishme njerëzish që janë pjesë e grupeve të organizuara kriminale, të armatosura që kryejnë krime makabre.

Por raportimi i çuditshëm i mëngjesit, ngjante me një lojë të rrezikshme, që më shumë se për të sensibilizuar faktin se prokurorët përballen me rreziqe, u duk se donte të përcillte një mesazh shumë, po shumë problematik. Madje të rrezikshëm fare!

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?