Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Ylli Pata: 6 marsi i Bashës e Berishës si 30 qershori 2019

15 Shkurt 2022, 18:42| Përditesimi: 15 Shkurt 2022, 18:46

  • Share

Qoftë një qytetar që nuk jeton në territorin e 6 bashkive ku votohet më 6 mars, apo edhe vetë banorët e këtyre zonave, njohin shumë pak garuesit për kryetarë, por nuk dinë thuajse asgjë mbi projektet apo idetë që ata kanë për të zhvilluar qytetet dhe fshatrat që janë në territorin e tyre.

Vërtetë, mandate i gjashtë kryebashkiakëve do të skandojnë për një vit, por ama ata që zgjidhen pas afro 3 javësh, mund të krijojnë gjasat që të rikandidojnë lirshëm në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2023.

Përse ndodh kjo? Ndërkohë që mazhoranca ka një përtesë të dukshme për të nxehur motorët e saj elektorale e propagandistikë, nga ana e Partisë Demokratike dhe grupit të Sali Berishës, i cili është strehuar nën siglën e LSI, ka vetëm një betejë politike mes palëve. LSI, PDK apo partitë e tjera, thuajse nuk zhvillojnë asnjë aktivitet, ndërkohë që panelet e darkës, deri tani nuk kanë bërë asnjë emision në lidhje me përballjet e 6 marsit, ku të gjashtë bashkitë, po sidomos 2 prej tyre janë shumë të rëndësishme; Durrësi dhe Shkodra, të cilat janë qendra qarqesh. Në konfigurimin kombëtar politik, të gjashtë bashkitë do të kenë një impact të rëndësishëm për votën e gjysmës së qarqeve të vendit.

Mazhoranca, duhet thënë ka hapur krahun, e me zërin e Edi Ramës ka bërë të ditur se “ne nuk e kemi luftë për jetë a vdekje”. Ndërkaq, opozita, sidomos ajo e Lulzim Bashës ka realisht mundësinë për të dhënë apo treguar një model të saj. Një model, për të formuar një profil të kandidatit, por edhe idetë e tij për Durrësin, Shkodrën, Lushnjën, Dibrën, Vorën e Rrogozhinën.

Ç’mendim ka kandidati i PD-së për projektin e portit të ri turistik që ka ndërmarrë qeveria me partneritetin me kompaninë e njohur nga Emiratet e Bashkuara? Cili është vizioni i PD-së për planin e zhvillimit të zonës bregdetare, ku opozita ka hedhur mallkime e akuza pa fund?

Po Shkodra, e cila ka qenë në dorën e PD-së, si kur ajo ishte në opozita, apo në qeveri. Do vijojë të qahet se nuk na dha lekë Edi Rama? Cili është projekti i Xhemal Bushatit apo Bardh Spahinë për zhvillimin e një zone që konsiderohet një motor i fuqishëm ekonomik? Natyrisht e njëjta gjë mund të thuhet për 4 bashkitë e tjera.

Janë pyetje që nuk i është përgjigjur kush nga konkurrentët në garën e 6 marsit. E cila realisht duket se është bërë një betejë thjesht inati mes Lulit e Berishës. E kjo panoramë nuk është asgjë tjetër vetëm një bojkotim, gati- gati si 30 qershorti 2019, edhe pse jo tamam ashtu. Braktisja e kauzave është njësoj si ikje nga beteja. E nëse i merr Rama të gjashta, sërish ka masakër zgjedhore?!/ Tema

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?