Foto ilustruese

Yield-et e bonove 12-mujore, tjetër rritje e lehtë në 3.44%

17 Janar, 07:16| Përditesimi: 17 Janar, 07:19

  • Share

Yield-et e bonove 12-mujore shënuan përsëri një rritje të lehtë në ankandin e dytë të vitit 2024. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar u rrit në 3.44%, nga 3.4% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, në datën 3 janar.

Nga 14 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur e bonove nga Ministria e Financave, shuma totale e kërkesave në ankand arriti në 14.8 miliardë lekë, ndërsa pro rata (pjesa e pranuar) e kërkesave konkurruese ishte rreth 66%.

Rritja e vogël e yield-eve në ankandet e para të këtij viti mund të shpjegohet me një shtim të kërkesës për financim nga qeveria në muajt e parë të këtij viti. Shuma prej 14 miliardë lekësh e bonove të emetuara në ankandin e ditës së martë ishte dy miliardë lekë më e lartë se shuma e instrumentit 12-mujor që maturohet këtë javë.

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar për tremujorin e parë 2024 do të ketë vlerën e 144.5 miliardë lekëve, në rritje me 19.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe me pothuajse 80% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2023.

Muajt me vlerën më të lartë të emetimeve të reja do të jenë janari dhe shkurti. Në janar dhe shkurt, MFE parashikon të realizojë pothuajse 30% të volumit vjetor të huamarrjes për vitin 2024.

Gjatë këtyre muajve, kërkesa më e lartë për borxh e qeverisë mund të vazhdojë të ushtrojë një lloj trysnie për rritje të lehtë të yield-eve, që sidoqoftë deri tani ngelen në nivele relativisht të ulëta. Diferenca mes normës bazë të interesit dhe yield-t të bonove 12-mujore qysh prej vitit të kaluar ndodhet pranë niveleve më të ulëta historike.

Ngadalësimi i ndjeshëm i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar ka ndikuar ndjeshëm në ruajtjen e yield-eve të ulëta për borxhin qeveritar.

Banka e Shqipërisë në muajin nëntor aplikoi rritjen e fundit të normës bazë të interesit, duke e çuar atë në 3.25%, nivelin më i lartë i dekadës së fundit. Sidoqoftë, norma bazë në Shqipëri është ende ndër më të ulëta në Europë. Në muajin nëntor, Banka e Shqipërisë paralajmëroi rritje të mëtejshme të normës bazë për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv, por megjithatë në mbledhjen e fundit të muajit dhjetor Këshilli Mbikëqyrës vendosi ta mbajë normën bazë të pandryshuar.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pritet të zhvillojë mbledhjen e parë vjetore në mesin e kësaj jave, në të cilën pritet të miratohet edhe kalendari i mbledhjeve për vitin 2024. Gjasat janë që mbledhja e parë për vendimmarrjen e politikës monetare të vendoset të mërkurën e fundit të janarit ose të mërkurën e parë të shkurtit, pas të cilës tregu do të marrë sinjale të reja për kursin e politikës monetare.

Mbështetur në orientimet e dhëna në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, të paktën një rritje e normës bazë të interesit ka të ngjarë të ndodhë në tremujorin e parë 2024. Inflacioni në tremujorin e fundit e ka ndërprerë rënien dhe në dhjetor të vitit të kaluar u rrit lehtë në 4%. Sinjale më inkurajuese ka dhënë inflacioni bazë (që përjashton çmimet e produkteve ushqimore dhe energjetike), që ka vazhduar rënien për dhjetë muaj me radhë dhe në dhjetor 2023 zbriti në 3.2%.

Vendimet e Bankës së Shqipërisë do të kenë një ndikim të rëndësishëm në trajektoren e yield-eve në muajt e ardhshëm, sidomos për instrumentet me afate më të shkurtra maturimi. Nëpërmjet mekanizmit të transmetimit, ecuria e yield-eve do të ketë një rol të rëndësishëm edhe çmimin e kredisë për sektorin privat. Vitin e kaluar kreditimi në Lekë shënoi rritje me 9%, edhe falë normave ende të ulëta të interesit./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?