Foto ilustruese

Yield-et e bonove 12-mujore bien përsëri, ndodhen pranë niveleve të gushtit të vitit të kaluar

3 Maj 2023, 07:29| Përditesimi: 3 Maj 2023, 07:31

  • Share

Yield-et e bonove 12-mujore pësuan përsëri rënie në ankandin e parë të muajit maj dhe aktualisht kanë zbritur pranë niveleve të gushtit të vitit të kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve zbriti në 3.75%, nga 3.82% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Që prej fundit të vitit të kaluar, yield-i mesatar i bonove 12-mujore ka rënë me 1.7 pikë përqindje.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë stopoi rritjet e shpejta e të normës bazë të interesit, duke parë sinjalet rënëse të inflacionit. Ky frenim më në fund e qetësoi tregun financiar dhe solli një korrektim në ulje të yield-eve, që deri në nëntor 2022 ishin rritur me ritme më të shpejta se norma bazë e interesit.

Por, rënia e yield-eve vazhdoi edhe pasi Banka e Shqipërisë iu kthye lëvizjeve shtrënguese të politikës monetare dhe rriti normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje në muajin mars të këtij viti. Vijimi i rënies së yield-eve mund të shpjegohet me likuiditetin e lartë në treg dhe me kërkesën e lartë të investitorëve në ankande.

Në ankandin e kësaj jave, vlera totale e kërkesave të paraqitura arriti në 14.3 miliardë lekë, nga 9 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ndërkohë, pro rata (pjesa e pranuar) e kërkesave konkurruese rezultoi tejet e ulët, në nivelin 3.79%.

Ndryshimi vjetor në yield-et e bonove 12-mujore tashmë është në nivelin 1.45 pikë përqindje, nga një maksimum prej pothuajse 4.2 pikësh përqindje që shënonte në nëntor të vitit të kaluar. Rritja e yield-eve në 12 muajt e fundit është ndjeshëm më e ulët se rritja me dy pikë përqindje e normës bazë të interesit.

Përveçse për qeverinë shqiptare, rënia e yield-eve në muajt e fundit është një lajm i mirë edhe për huamarrësit që kanë kredi me norma të ndryshueshme interesi në lekë, për të cilat treguesi më i zakonshëm benchmark është yield-i i bonove 12-mujore.

Tashmë, duket se pritshmëritë e tregjeve për rritje të mëtejshme të normave të interesit në afatin e shkurtër janë zbehur ndjeshëm. Inflacioni në muajin mars zbriti për të pestin muaj radhazi, në nivelin 5.3%. Për të njëjtën periudhë, edhe inflacioni bazë pësoi gjithashtu rënie, në nivelin 6.5%.

Paralelisht, monedha vendase ndodhet në pozita mjaft të forta në kursin e këmbimit me valutat e partnerëve kryesorë tregtarë. Veçanërisht, euro ka prekur nivelet më të ulëta historike dhe ndodhet pranë nivelit të 111 lekëve. Inflacioni në rënie nga njëra ana dhe forcimi i paprecedent i monedhës vendase nga ana tjetër për momentin paralajmërojnë ruajtjen e nivelit aktual të normës bazë të interesit nga banka qendrore.

Analistët financiarë mendojnë se norma bazë pritet të qëndrojë në nivelin aktual për tremujorin e dytë të vitit, ndërsa vetëm në gjysmën e dytë të tremujorit të tretë mund të pritet një rifillim i rritjes, në varësi të informacioneve të reja./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?