Xhelal Sveçla: Lista Serbe e udhëzuar nga Beogradi sabotoi procesin e zgjedhjeve në Veri të Kosovës

21 Prill, 22:06| Përditesimi: 21 Prill, 22:30

  • Share

1713730136_svela.png

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një reagimi thotë se Lista Serbe është udhëzuar nga Beogradi për të ushtruar forma të ndryshme që serbët të bojkotojnë procesin zgjedhor për shkarkimin e kryetarëve nga katër komunave në Veri të Kosovës.

Ai ka përgëzuar institucionet e sigurisë për përmbylljen e këtij procesi pa incidente.

“Përgëzoj institucionet tona të sigurisë falë përkushtimit të së cilave sot përmbyllëm këtë ditë të zgjedhjeve pa asnjë incident të vetëm në katër komunat veriore. Republika e Kosovës i dha mundësinë qytetarëve të katër komunave veriore që sot të vendosin për kryetarët e katër komunave të tyre. Në anën tjetër, Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tash, përmes formave të ndryshme të udhëzuar nga Beogradi bojkotoi e sabotoi procesin demokratik si mundësi për të çuar komunat në zgjedhje të reja. Ky subjekt i mishëruar me metoda jodemokratike nuk e gjen asesi veten te një proces kaq demokratik”.

“Komisioni Qendror Zgjedhor në bashkëpunim me institucionet tjera edhe njëherë dëshmoi përkushtim në zbatimin e mandatit të tij dhe respektimin e plotë të të drejtës së qytetarëve për të vendosur për të ardhmen e tyre.  Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për qytetarët tanë pavarësisht dallimeve, institucionet tona do të jenë në shërbim të të gjithëve dhe për sigurinë e vendit tonë. Kosova është Republikë demokratike, e gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Sveçla.


Lajmi kryesor:

Serbët bojkotojnë zgjedhjet, shqiptarët mbeten në krye të komunave në veri të Kosovës! Osmani: Vuçiç shkeli fjalën që u dha ndërkombëtarëve


B.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?