Xhaçka: Të kërkojmë me ngulm anëtarësimin në BE! Ballkani Perëndimor teatri i dytë më i rëndësishëm i pasojave të luftës në Ukrainë

17 Mars 2022, 14:15| Përditesimi: 17 Mars 2022, 14:47

  • Share

Ministrja e Jashtme, Olta Xhacka gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se duhet të kërkojmë me forcë që politika e zgjerimit të kthehet në vëmendjen e Bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së saj Xhaçka e cilësoi Ballkanin Perëndimor si teatrin e dytë më të rëndësishëm të pasojave të luftës në Ukrainë.

“Gjatë vitit 2021 kemi marrë disa vlerësime të njëpasnjëshme nga Komisioni Evropian, si dhe nga Këshilli i BE-së në dhjetor 2021, se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit, çka pritet të bëhet nëpërmjet Konferencës së parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Siç jeni të gjithë të njohur, për shkak të një artifice të krijuar nga një mosmarrëveshje mes dy fqinjëve të Shqipërisë, po e mban pezull edhe vendimmarrjen për Shqipërinë në Këshill.

Me të dyja vendet në fjalë ne gëzojmë marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera reciprokisht. Gjithmonë kemi lobuar që mosmarrëveshjet dypalëshe të mos pengojnë avancimin e vendeve kandidate në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Kemi lobuar përherë që perspektiva e integrimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor të jetë e qartë dhe konkrete dhe procesi të jetë i besueshëm dhe i parashikueshëm.

Siç e përmendi më herët edhe z. Balla, jemi në një moment kyç për të avancuar kërkesën tonë për mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mundësisht brenda termit të Presidencës franceze të Këshillit të BE-së.

Ashtu si ky Kuvend i nderuar e ka përjetuar këtë moment tejet delikat gjeopolitik në Evropë, ku në fakt dy botëkuptime të ndryshme vlerash dhe parimesh po përballen dhe një vend i pafajshëm, vetëm sepse guxoi të zgjedhë të ardhmen e vet, po vuan në breshërinë e bombave dhe bota ka ndaluar së frymuari nga krimet e pakuptimta që po kryhen në Ukrainë prej agresorit rus.

Në këtë përballje madhore, po në fakt edhe shumë më herët, ashtu si ne kishim paralajmëruar, rajoni i Ballkanit Perëndimor është teatri i dytë më i rëndësishëm i pasojave të atij konflikti.

Kemi parë se si rajoni është përçarë, kemi parë një influencë të jashtëzakonshme ruse në rajon, kemi parë se si pikat e dobëta në rajon janë ato që nuk kanë një perspektivë të qartë evropiane, kemi parë se si forca e marrëdhënies kontraktuale me BE-në apo forca e bashkëpunimit rajonal janë forca të fuqishme që ndalin konflikte pavarësisht ndasive.

Prandaj më shumë se kurrë, sot e në këtë kohë sfidash, do të duhet ta kërkojmë me forcë që politika e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor të rikthehet në vëmendjen e Bashkimit Europian. Sepse kjo politikë zgjerimi është një policë sigurimi për BE-në në radhë të parë e së dyti për vetë rajonin, i cili ende nuk i ka të shëruara plagët e të shkuarës së afërt.”, tha ministrja.


Lajmi kryesor:

Kuvend, Braçe interpelancë me Krifcën: Çmimet e imputeve bujqësore 3 herë më shtrenjtë, tregu i kapur! Nesër beteja do jetë për ujin! Ministrja: 3.4 miliardë të investuara në Divjakë


J.GJ.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?