Germadha e nje shtepie te shembur vite me pare ne Ksamil, ne kete gjendje dhe kete vit

Është një mrekulli që pushuesit iu mbijetojnë disa kurtheve alla shqiptare!

16 Korrik 2023, 20:05| Përditesimi: 16 Korrik 2023, 20:17

  • Share

Duke lavdëruar magjinë e natyrës shqiptare, përpjekjet mbinjerëzore të privatëve për të bërë më të mirën e më të bukurën në ofertën për pushuesit që sa vijnë e shtohen, qytetet që janë zbukuruar nën një punë të mirë promovimi, përkushtimi për përmirësim, ka një realitet, të cilin duhet ta pranojmë e ta gjykojmë me ndershmëri: Ka tepër rreziqe kudo lëvizet nga jugu në veri.

Në disa ditë të kaluara në Jug, në qytetin e bukur të Sarandës, mjafton të përshkosh me këmbë distanca të shkurtra nga “Santa Quaranta” drejt shëtitores për të kuptuar se çdo hap është një rrezik për këmbësorët. Vizat e bardha për të kaluar nga një anë në tjetrën të rrugës, aty ku trotuarët janë holluar fare të rrëmbyer nga ndërtimet, mungojnë, ose ato që ekzistojnë janë të fshira. Rruga e ngushtë në vijën e parë të detit është një alarm i përhershëm, një luftë mbijetese mes këmbësorëve, makinave, shkarkimeve të autobusëve me pushues te hotelet, shkarkimet e mallrave te dyqanet. Fati dhe kujdesi shpëton shumë të tjerë, por rrezikoi një vogëlush 4 vjeçar i ardhur nga Gjermania, që u godit nga një makinë. Urojmë të kalojë sa më shpejt tronditjen, pasi, përsëri falë Fatit, deklarohet së është jashtë rrezikut për jetën.

Kullat e vrojtimit nëpër plazhe, janë një tjetër “gallatë” alla shqiptare. Diku janë fare formale, diku “roja e plazhit”, nuk do të ishte në gjendje fizike të shpëtonte as veten; diku, kullave nuk iu kanë vendosur as shkallë për të vrojtuar.

Për varkat në lumin Shalë apo në Koman, kujtohen vetëm tani të bëjnë kontrollet e gjendjes teknike dhe sigurisht, t’i bllokojnë me bujë, me teatralitet greko-bizantin. Sikur nuk mjaftoi një dimër i tërë për ministrinë e turizmit që ka tre muaj të përballojë fluksin që vjen falë reputacionit të rritur të Shqipërisë, të bëjë paralajmërimet e duhura, koordinimet e duhura, të japë licensat e duhura që si turizmi, por edhe mjetet ndihmëse të tij, të jenë në formën e pretenduar nga ligji dhe siguria në shërbim të të huajve dhe të shoqërisë.

Si të jemi “shtet i pulcinelave” vazhdojmë të lemë gërmadhat e shkatërruara të viteve më parë në Ksamil. Me betonin dhe hekurat e dala të ndryshkura me arsye rreziku dhe infeksioni për ata që i qëndrojnë përbri.

Për ata që nuk duan apo nuk e kanë mundësinë të shkojnë nëpër struktura luksi, apartamentet për pushime janë një alternativë e pëlqyeshme. Privatët i kanë rinovuar, i mbajnë pastër dhe bukur, por gjëndja e administrimit të pallateve, (që zgjedhin qindra turistë) e sidomos siguria e mirëmbajtja e ashensorëve është një tjetër rrezik. Shpesh janë jofunksionalë dhe kur funksionojnë dridhen dhe janë aq të vjetër e të shkatërruar saqë bllokohen përditë. Kontrollet dhe mbikqyrja e rreptë e bashkive në këtë pikë, është inekzistente. Urojmë të mos kemi lajme të këqija dhe nga ky drejtim.

Rrjetat e "merimangave" të fijeve të korrentit, apo të internetit, vazhdojnë të lidhin pallatet e ndërtesat me njëra-tjetrën pa mëshirë. Tela të zhveshur apo të paizoluar mirë has në çdo cep dhe mosprekja e tyre nga fëmijë, është gjithashtu një mrekulli që ndodh në vendin tim.

Rritja e fluksit të turistëve është një bekim, por në të njëjtën kohë pretendon seriozitet maksimal nga të gjitha strukturat, sidomos nga ato që kanë të bëjnë me kontrollin e sigurisë.

xy/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tata: 17/07/2023 10:28

    Shqiperia ska kontrolle e ndeshkime reale,sidomos kur behet fjale per fitimet e jo per detyrimet. Per here te fundit kam bere plazh atje ne vitin 1987-1988. Kam mall,por asnje deshire per ate qe shoh,masaker per syrin e per veshin,per trupin e per xhepin,pa as edhe nje respekt per detyrimin ndaj atin qe paguan sic eshte ne gjithe boten. 1000 euro java paguaj ne hotel,fjetje e ushqim per tre veta dhe sikur te jesh vetem,asnjeri neper kembe,seicili hapesiren e argetimin sipas moshave,zhurmat ne vendet ku ata qe sduan nuk degjojne gje,pasterti ngado qe rrotullohesh,,etj etj. Shqiperia eshte bere anarshi e gjalle,dhe une nuk jam aventuriere as injorante. Do rrija ne legen me uje te ftohte ne vape por plazh atje kurre.

    Përgjigju
  • Maldivet: 17/07/2023 10:24

    Shkrim teper i sakte. Halli qe lideri boteror ka marre persiper te zgjidhe hallet e botes e jo te popullit te tij!

    Përgjigju
  • Tirona: 17/07/2023 09:41

    Masa urgjentisht qe duhet te mari kryeministri eshte te shkarkoje menjehere Ministrin e Turizmit nese Ajo nuk jep doreheqjen. Kjo eshte nje thirje popullore sepse kjo ministre nuk ka bere asnje pune vetem sa pasurohet nga a taxapaguesit

    Përgjigju
  • Tirsna: 17/07/2023 07:10

    Shumr mire Alba , por eja shiko nje here dhe shkruaj per Pogradecin. Shiko si bllokohet e gjithe sperfaqja e gjelberur pergjate bregut te liqenit. Shtrohen derasa mbi barin dhe mbushen me tavolina nga lokalet. Ka edhe shtrime me beton, me “miratim” te Bashkise, lokale ne pjesen e reres se plazhit, etj qe bashkia i trajton me preference , per njerez te partise apo per xhepat e pushtetit, … por kjo gjendje e demton keq pamjen e vijes liqenore gjate sezonit turistik

    Përgjigju
  • Realiteti: 16/07/2023 23:01

    Po shumë e drejtë..secili duhet të "ndezë qirin e tij"...e të mos mallkojë tretësirën!..Gazetari i përditshëm të denoncojë më shumë,edhe qytetari e banori.. duke imponuar pushtetin lokal e qëndror!

    Përgjigju
    • Geri: 17/07/2023 07:45

      Mëse e vërtetë! Të merren masa urgjente jo vetëm për turistë, por për gjithë popullatën. Nuk është vetëm problemi kritik plehrave që mbetet, por dhe ato të listuara me të drejtë në artikull.

  • Toni: 16/07/2023 20:19

    bananistan...

    Përgjigju
    • ILI: 17/07/2023 09:46

      Bananistan... Lexo pak historine se ne vitet 60 ne Ameriken latine u shkaterruan shtete nga Banania dhe u bene pseudo revolucione... Bananen na kane dhene edhe ne me revolucionin ne drejtesi...

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?