Whatsapp, lëreni mënjanë djallin e gjelbër

15 Shkurt 2020, 12:34| Përditesimi: 15 Shkurt 2020, 12:39

  • Share

Mirë atëherë, po e nis kështu.Si 'kafshë urbane' që jemi nuk na duhet shumë të mendojmë se me çfarë të komunikojmë.Po globalizohemi dhe urbanizohemi dita-ditës duke "ruralizuar" veprimet tona ose formën tonë të të konceptuarit, mënyrën e të sjellurit të gjërave në mendje. Sikundër ecim me ca tipologji sjellore të cilat nuk i shkojnë dhe aq përshtat mënyrës më të ndjerë dhe më të përjetuar të komunikimit që ca qenie sociale mund të kenë midis njëra-tjetrës. Shpeshherë mendohem dhe mundohem të bindem se nuk po ndodh vërtet.Dhe duket sikur është një proces intensiv i të kërkuarit të gjërave nga mjedisi dhe aspak tek vetja. Është përhumbja në nivelet makrovirtuale që sjellin çarjet dhe sfidat e komunikimit ndërpersonal, veçanërisht këtij, ndër llojet e tjera të komunikimit masiv.Kemi tipizuar pak nga pak mënyrën "lilipute" të të shkruarit dhe pak nga pak edhe të komunikuarit të gjërave me njerëzit e tjerë. Dëgjoj lart e poshtë 'më shkruante, s'më shkruante...edhe mendoj që sa e papërfillshme është bërë dobia e foljes 'më dëgjonte...e dëgjoja, më telefononte, se telefonova...e takoja, më takonte..." etj.

Sesa ka rënë dëshira e të dëgjuarit të zërit të dikujt tjetër...!Po sillemi si përtesa të gjalla frymore, që duket sikur përtojmë të jetojmë e jo më për të tjera, të flasim, të pyesim.Një mpakje dhe mplakje graduale teknologjike.Jemi të vetëdijshëm se pa komunikim nuk ka zhvillim, nuk ndodh ndryshimi brenda nesh, nuk pasqyrojmë mikrometamorfozat mendore dhe shpirtërore që ushqejmë brenda ditës që na bëjnë këta që jemi, nuk përshtatemi dot dhe nuk lidhemi me mjedisin rrethues për t'u ndjerë pjesë e bërthamës sociale. Të mos komunikosh do të thotë të mos pyesësh dhe mos të pyetesh, të vetëshkëputesh nga çdo pjesë që të krijon mundësinë e përshtatjes me të tjerë. Ç'po ndodh sot ?Po ja...ne flemë dhe zgjohemi me një mjet afër vetes...pa thënë prerazi se ai mund të jetë patjetër një celular. Jetojmë jetë sinjalesh dhe alarmesh.

Vuajmë nga sindroma e "kokave të varura" dhe shumë shpejt edhe me ndonjë disfunksion të gishtit të madh të dorës. Jetë e shkurtër ngjarjesh. Trafik mesazhesh ose heshtje për gjithë ditën e ditës. Jetë e keqkuptuar aty për aty dhe pritje të gjata për ndonjë email ose diçka tjetër.E akoma më shumë lexohen gabim, kuptohen gabim e gabim mbi gabim.E gjitha kjo ndodh nga pamundësia për t'u takuar, por jam e mendimit se mundësia është gjithmonë dhe pa kërkuar pak kohë e sakrificë nga vetja mundohemi të qartësohemi duke u ngatërruar e "emojizuar" bisedat.S'është kohë e letrës dhe vulës për fat të keq. S'është koha e adresave. S'është koha e gjërave që ruhen, që mbeten nëpër ato kutitë romantike të prindërve e gjyshërve tanë. Është koha për të ruajtur ndonjë "mesazh me yll" në whatsapp e për t'ju rikthyer kur ke mall.Për të jetuar me frikën se mos të humbasin të gjitha fotot dhe ngelesh pa identitet pamor. Për të menduar sesa 'thesare të vogla' kemi ne sot për t'ua treguar nesër fëmijëve tanë apo njerëzve tanë të dashur. Sesa lule kemi ruajtur të thara apo sa letra e pusulla fshehim në ndonjë cep të dhomës. Se ç'sende që 'flasin' kemi...!E gjitha është rreth faktit sesa i kujdesshëm është brezi ynë, sa gjëra ruan sot për nesër, a fsheh gjëra domethënëse, a përpiqet të arratiset nga whatsappi, a ndërvepron, a hedh një 'mesazh në shishe' në det, a mundohet të befasojë marrësin, a shkel në postë, a përpiqet sa duhet, a koleksionon gjëra romantike, a mendon për bibliotekën e nesërme, a shkruan letra për miqtë dhe të dashurit e zemrës, a është i pasur shpirtërisht, a ka faqe leksionesh me shkrime momentale...,a ka faqe ditari, a ka kalendar për kujtesë ngjarjesh... Whatsappi, ky "djall jeshil" po na dëmton. Po stërmundon lidhjet shpirtërore dhe marrëdhëniet sociale. Në 'hiperçatimin' e ditëve tona dëgjoj njerëz që përtojnë të shkruajnë e të tjerë që të hapin namin se u shkruan 'romane' kur në të vërtetë ke shkruar një paragraf me gjithë zemër duke u munduar të jesh sa më e thjeshtë dhe e qartë. Sikur ç'u bëre...kur në të vërtete u dhe shumë rëndësi. Kaq. Të paktën të 'evolucionarizojmë' whatsappin u pa puna...!Unë kam mënyrën time. Kam shumë" starred messages " për gjëra qesharake, sensitive dhe ndonjë gjë qē s'lihet pa përmendur. Mundohem t'i them gjendjet e mia momentale sa më shpejt të jetë e mundur, t'u them njerëzve që dua ndonjë gjë ngacmuese, t'i lumturoj në mënyrën time, t'u dërgoj shkrime, këngë, batuta. Por 'unread' dhe 'seen' mund të jenë çdo gjë përveçse pozitiv.

Ato vetëm sa e zbehin fillin e komunikimit dhe krijojnë barriera të ftohta, të cilat padyshim ndërpresin rrjedhën klasike të komunikimit. Whatsappi na kurthon në çdo sekondë. Janë të larta mundësitë për të ngatërruar bisedë në 'çatim e sipër' dhe truri ndonjëherë fiton një ngarkesë mendore të parëndësishme. Me gjithë teknalitetet e rrjetëzura të trurit përpiqemi të përfytyrojmë " një intonacion zëri, një shprehi fytyre dhe një gjestikulacion " të personit me të cilin po flasim. Këto që sapo përmenda e presionojnë trurin tonë për persona që nuk i njohim aq mirë dhe as nuk i takojmë dhe bien në një mini-kontradiktë që tek ne vjen si divergjencë. Mund të shihet thjesht si vazhdim. Me këtë dua të them se ky " djall i gjelbër" nuk na hap rrugën e njohjes me dikë, nuk na ndihmon, thjesht na iluzionon, na nguc.Grumbulloni gjëra spirituale nëpër kutitë tuaja, bëni varka prej letre, takojini njerëzit nga afër, lëreni mënjanë "djallin e gjelbër" ruani shënime, kujtoni data të rëndësishme, dehuni me shishe të vjetra parfumi, dehuni me çdo gjë të mirë, komunikoni, lërëni shiun t'ju lag, mendoni sikur jeni një balonë e lirë në qiell, bëhuni të pasur shpirtërisht, kini besim, hapeni zemrën.

Komento

Komente

  • Balona: 15/02/2020 17:37

    "Çpune ke ti me whatsap njerezve ju hyn ne pune se komunikojn me familjaret e tyre jasht te flasesh me telefon ka shpenzime shume te larta bej ndonje roman se ke shkruar shume pak frymezim personal

    Përgjigju
  • vanesa: 15/02/2020 16:06

    ahaha ky vertet eshte djall por imagjino sa djaj jan kta qe e perdorin. realiteti eshte shum i bukur por djalli i ka gjetur menyra ku ti burgosi djallushet e tij mbi toke dhe shprehja qe me diferencon nga kta fali zot se se dine c bejne

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?