Vulgariteti e padija në piedestal

31 Janar 2017, 13:20| Përditesimi: 30 Nëntor -0001, 00:00

  • Share
Kush nuk e ka provuar dhe nuk i ka dhënë rol e pushtet vulgaritetit e padijes në këtë tranzicionin tonë të gjatë: Në ndërmarrje private, organizata jofitimprurëse, administratë, parti, arsim apo kulturë. Nëpër parti. Ta pranojmë diçka: padija dhe vulgariteti kanë ambicje, bërtasin fort, janë agresivë dhe bëjnë sikur punojnë. "E di, është agresiv, i paditur, por punon", këtë shprehje kush nuk e ka thënë për të justifikuar vendosjen në piedestal të padijes dhe vulgaritetit, të cilët kanë edhe një zakon: servilë dhe të ëmbël me padronët, të ashpër e shtypës me kë kanë nën vete. Pastaj janë dhe gënjeshtarë, manipulues të të vërtetave edhe pse të qarta në sy të të gjithëve. Padija dhe vulgariteti ka forcë, kurajo, guxim të vetëpropozohet dhe të rezistojë në një mjedis, të kuptohemi, aspak të lehtë, siç ky i yni.
Dhe ja ku jemi. Nuk mund të mohojmë se përpjekje janë bërë për të përzgjedhur të aftët, të edukuarit e të kulturuarit. Disa stafe administrate apo ndërmarrjesh private, sa i sheh, sapo komunikon, të japin përshtypjen e një ekipi perëndimor, por janë aq pak, aq pak, sa treten si kripa në oqeanin e madh të padijes dhe të vulgaritetit që  na sundon.
Pasi patëm kritikuar në media agresivitetin pa bazë, të shprehurin pa edukatë e vulgar të një drejtuese të rëndësishme administrate, të cilën politika na e serviri e po politika e hoqi më pas, komunikoj me të në telefon. Dëshironte të më mbushte mendien se nuk ishte ashtu siç e kishim përshkruar me foto e tekst: "O Albaaa - më tha, - se ne nuk njihemi bashkë. Po e di ti se unë vij nga një familje shumë e kulturuar... e di ti sa libra kam lexu unë apo jo? Po unë tani kështu duhet të sillem më këta. Do ua q... nonat të gjithëve".
Çfarë mund të themi për Kundurën, për plumb ballit, apo për varje te Palmat. Kur individët arrijnë në këto artikulime, dikush duhet të shqetësohet t'i ndalojë, t'i mënjanojë si rrezik për shoqërinë. Por kjo, jo vetëm nuk ndodh, por i shohim të ripropozuar me veshje e etiketa të ndryshme, kur të gjithë i kemi njohur në padijen, agresivitetin e vulgaritetin më ekstrem.
Në shoqëri duket sikur plluskon një pesimizëm i përgjithshëm: Ja këta gjejnë, këta vënë të punojnë. Dhe është e vërtetë: të edukuarit, të mirësjellurit, të diturit e mbajnë kokën ulur përballë tyre. Nuk luftojnë me dhëmbë e me thonj të duken duke shkelur të tjerët. Por a ka ardhur koha të dallojmë, të reflektojmë, të vëzhgojmë: më mirë një punë e bërë më ngadalë, më pa bujë, por që të çon mirë, shëndoshë e bukur në destinacionin final. Dhe uroj, shpresoj se dëshira, të jetë kjo: Sa më mirë, në paqe e në mirëqënie të jetojmë të gjithë bashkë, aq më shoqëri të drejtë, civile e njerëzore ndërtojmë. 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?