Vujanoviç-Metës: Mali i Zi dhe 
Shqipëria s'kanë çështje të hapura

11 Dhjetor 2017, 11:39| Përditesimi:

  • Share
Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim homologun e tij të Malit të Zi, Philip Vujanoviç. 

Pas takimit kokë më kokë, dy presidentët kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp ku kanë vlerësuar si shumë të mira marrëdhëniet mes dy vendeve ndërsa theksuan si domosdoshmëri rritjen e bashkëpunimit ekonomik. 

Meta theksoi se nevojitet përmirësimi i infrastrukturës në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, ku krijohen radhë të gjata kalimtarësh dhe automjetesh në të dy anët e kufirit. "Mjafton të shohësh pikën e kalimit të Muriqanit, sidomos në pranverë dhe verë, një sukses i përbashkët, kur sheh radhët e gjata atje shikon se ende ka nevoje për përmirësimin e infrastrukturës, pasi shkëmbimet po rriten në mënyrë të jashtëzakonshme. Jemi të bindur se ka nevojë për t'u fokusuar së bashku me Kroacinë për realizimin e disa projekteve madhore siç është autostrada Adriatiko-Joniane, dhe gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP)", tha Meta. 

Duke u ndaluar te pakica shqiptare në Mal të Zi, Meta tha se po ecet drejt respektimit të të drejtave dhe përmirësimit të kushteve të jetesës. "Respektimi i pakicave është mjaft i rëndësishëm. Jemi shumë të kënaqur për rolin përcaktues të shqiptarëve në Malin e Zi. Besojmë se duke e forcuar bashkëpunimin me Malin e Zi, do ecet më tej në përmirësimin e kushteve ku ata jetojnë. Pakica e Malit të Zi që jeton në Shqipëri është një pasuri dhe do bëjmë çdo gjë për të ruajtur identitetin kulturor". 

Si Shqipëria ashtu edhe Mali i Zi janë në rrugën e integrimit europian, me fqinjët të cilët janë një hap përpara pasi i kanë çelur negociatat e anëtarësimit me BE-në. "Të dyjave vendet janë në momente decizive, Shqipëria pret çeljen e negociatave, ndërsa Mali i Zi është një hap përpara. Detyra jonë në këto momente është të forcojmë bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe me rajonin. Sepse në këtë mënyrë kontribuojmë maksimalisht për paqen dhe sigurinë. I uroj suksese Malit të Zi për aderimin në NATO. Shpresoj që vitin e ardhshëm edhe Maqedonia të realizojë një sukses të tillë, kjo do të forconte sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë". 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?