Daniel Serwer

'Vuçiçit nuk i duhet shumë për ta destabilizuar Ballkanin', eksperti: Uashingtoni dhe Brukseli ta ndalojnë, ai financoi sulmin terrorist të 24 shtatorit

11 Shkurt, 14:47| Përditesimi: 11 Shkurt, 14:49

  • Share

Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka folur lidhur me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe situatën e sigurisë në rajon.

Në një intervistë për Gazetën Sinjali, Serwer ka thënë se është bërë pak progres në drejtim të normalizimit të raporteve, teksa është shprehur se pengesa kryesore për këtë është rezistenca e Serbisë.

Por, profesori Serwer nuk e ka lënë krejtësisht të pafajshme as Kosovën, për të cilën thotë se ka dështuar të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar një mjedis të rehatshëm për serbët lokalë.

Kritika ka pasur edhe për bashkësinë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët sipas tij, kanë ecur keq vitet e fundit.

Sa i përket tensioneve etnike në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, Serwer nuk është shprehur i shqetësuar për një luftë të madhe apo të gjatë, por siç pohon ai, destabiliteti lokal dhe spastrimi etnik është një kërcënim serioz në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi.

E krejt në fund, ai ka thënë se për të pasur paqe dhe stabilitet në rajon, Kosova duhet t’ua sigurojë komoditetin dhe besnikërinë qytetarëve serbë në territorin e saj, ashtu siç duhet të bëjë Serbia me shqiptarët në territorin e vet, e po ashtu të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial i ndërsjellë.

Gazeta Sinjali: Çfarë progresi është bërë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në vite të fundit?

Daniel SerwerShumë pak. Pranimi i dokumenteve dhe targa të automjeteve. Pagesa e faturave të energjisë elektrike. Gjëra të mira që duhet të kishin ndodhur kohë më parë.

Gazeta Sinjali: Cilat janë pengesat kryesore që pengojnë procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë?

Daniel Serwer: Pengesa kryesore është rezistenca e Serbisë. Por Kosova gjithashtu ka dështuar të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar rehatinë dhe besnikërinë e qytetarëve të saj serbë, që është një pjesë jetike e normalizimit.

Gazeta Sinjali: Si e vlerësoni rolin e Bashkimit Evropian në lehtësimin e dialogut dhe pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë?

Daniel Serwer: Bashkimi ka dështuar të përdorë levat e tij me Serbinë. Ka përdorur levën me Kosovën, por në mënyrë të papërshtatshme dhe pa rezultate.

Gazeta Sinjali: Si e shihni rolin e Shteteve të Bashkuara në promovimin e stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Serbi?

Daniel Serwer: Washington-i ka ecur keq vitet e fundit. Ishte një gabim serioz që t’i jepej prioritet Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, gjë që sipas meje mund të vijë vetëm me njohje.

Gazeta Sinjali: Çfarë hapa duhet të merren për të adresuar çështjet e mbetura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, siç është statusi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë?

Daniel Serwer: Prishtina duhet të ndërmarrë veprime të njëanshme për të siguruar rehatinë dhe besnikërinë e qytetarëve të saj serbë, siç u përmend më lart. Kjo do të kërkojë përpjekje shumë më të mëdha për të përmbushur nevojat e tyre, për të lejuar rrjedhjen e subvencioneve legjitime të Serbisë dhe për të mbrojtur pronën e tyre, veçanërisht në manastirin në Deçan.

Gazeta Sinjali: Si e vështroni përfshirjen e aktorëve tjerë rajonalë, si Rusia dhe Turqia, në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Daniel Serwer: Ata nuk luajnë vërtetë drejtpërdrejt, por Rusia po e mbështet iliberalizmin e Vuçiqit në shtëpi dhe iridentizmin me fqinjët e tij. Turqinë e shoh si një lojtar relativisht minor, megjithatë rëndom do të ndikojë.

Gazeta Sinjali: Cilat janë implikimet potenciale të dialogut Kosovë-Serbi në stabilitetin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor?

Daniel Serwer: Dialogu i zhvilluar në vitet e fundit nuk ka qenë faktor për stabilitet. Vështirësitë e tij kanë bërë jehonë në rajon.

Gazeta Sinjali: Si mund të kontribuojnë bashkëpunimi ekonomik dhe iniciativat për integrim në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Daniel Serwer: Unë besoj se mundet: të kesh popullsi dhe kompani që përparojnë, do të mund të më pak armiqësi dhe të hapte mundësi të reja. Por refuzimi i Serbisë për të njohur Kosovën e bën këtë të vështirë.

Gazeta Sinjali: Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në dritën e zhvillimeve të fundit?

Daniel Serwer: Është e lëkundur, kryesisht për shkak të keqpërdorimeve serbe.

Gazeta Sinjali: Cilat janë sfidat kryesore të sigurisë në rajon dhe si mund të adresohen ato?

Daniel Serwer: Serbia dhe Rusia janë sfidat kryesore të sigurisë në rajon.

Gazeta Sinjali: Si e shihni rolin e NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare të tjera në sigurimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor?

Daniel Serwer: NATO është garantues në Kosovë, Kroaci, Mal të Zi dhe Maqedoni, si dhe garantuesi rezervë për BE-në në Bosnjë e Hercegovinë. Kjo e bën atë mjaft të rëndësishme për rajonin. BE-ja ka rol kryesor në Bosnjë.

Gazeta Sinjali: Çfarë ndikimi mund të kenë mosmarrëveshjet e pazgjidhura dhe tensionet etnike në situatën e sigurisë në rajon?

Daniel Serwer: Nuk shqetësohem për një luftë të madhe apo të gjatë, por destabiliteti lokal dhe spastrimi etnik është një kërcënim serioz në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi.

Gazeta Sinjali: Si e vlerësoni efektshmërinë e menaxhimit të kufirit dhe bashkëpunimit të sigurisë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Daniel Serwer: Më shumë do të ishte më mirë. Vonesat tregtare në kufij janë shumë të gjata, migrimi dhe trafikimi shumë i lehtë dhe kufiri ndërmjet Serbisë dhe Kosovës shumë poroz.

Gazeta Sinjali: Çfarë roli mund të luajë Bashkimi Evropian në promovimin e reformës së sektorit të sigurisë dhe ndërtimit të institucioneve në Ballkanin Perëndimor?

Daniel Serwer: Ju do të duhet të pyesni BE-në, por kuptimi im është se BE-ja bën shumë për menaxhimin e kufirit.

Gazeta Sinjali: Si e shihni potencialin për një bashkëpunim të zgjeruar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së fqinje në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë?

Daniel Serwer: Do të doja të shihja më shumë, veçanërisht midis Kroacisë dhe Bosnjës, si dhe Bullgarisë dhe Maqedonisë, por çështjet politike bëjnë që kjo të jetë ndonjëherë e vështirë.

Gazeta Sinjali: Cilat janë rekomandimet tuaja për politikbërësit dhe grupet e interesit për të promovuar paqen, stabilitetin dhe pajtimin në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht mes Kosovës dhe Serbisë?

Daniel Serwer: Kosova duhet të sigurojë komoditetin dhe besnikërinë e popullsisë së saj serbe, Serbia duhet të sigurojë komoditetin dhe besnikërinë e popullsisë së saj shqiptare dhe dy vendet duhet të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Kur bëjnë këto gjëra, paqja, stabiliteti dhe pajtimi do të jenë shumë më të lehtë sesa sot./Gazeta Sinjali

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, a forcohet pozita e Shqipërisë në rajon?