'Vuajnë nga sindroma e dhunës', gazetari Guri nga Athina: Uroj që PAOK-AEK të luhet në Shqipëri, do vijnë shumë shqiptarë

10 Maj 2023, 13:31| Përditesimi: 10 Maj 2023, 15:59

  • Share

Finalja e Kupës së Greqisë, nga kompeticionet sportive me tifozërinë më të ashpër, që në historikun e përballjeve të kaluara ka prodhuar përplasje të ashpra në rrugë dhe në stadium, ka gjasa të zhvillohet në Shqipëri. Autoritetet policore atje nuk kanë marrë përsipër mbarëvajtjen e kësaj ndeshje dhe siç Report Tv mëson me burime, Federata Shqiptare e Futbollit, ka shprehur gatishmërinë që kjo përballje e rrezikshme të bëhet në vendin tonë. Së pari, u fol që ndeshja të mund të zhvillohej në Air Albania, por gjasat më të mëdha janë të zhvillohet në Elbasan Arena, pasi stadiumi i kryeqytetit, është i rezervuar për koncerte.

Ndeshja e programuar për më 24 maj, për shkak të përplasjes së axhendës në Air Albania, mund të mbahet në të njëjtën datë në stadiumin e Elbasanit.

Deri më tani e gjitha është dakordësuar në bisedime mes dy federatave, asaj greke të futbollit dhe FSHF-së, por vendimi përfundimtar nga Komiteti i Emergjencës së Federatës Greke të Futbollit do të merret të premten, nëse përballja mes PAOK-ut dhe AEK-ut do të bëhet në Shqipëri apo në Bullgari, Rumani dhe 3 Poloni, 3 shtete të tjera me të cilat po negociohet.

Report Tv kërkoi të marrë edhe një reagim nga Policia e Shtetit, nëse forcat tona blu marrin përsipër mbarëvajtjen e kësaj ndeshje me tifozëri huliganë, por një përgjigje ende nuk ka ardhur.

Por përse kjo finale është e pamundur të luhet në Greqi?

"Futbolli grek prej vitesh vuan nga sindroma e dhunës, nga grupet e huliganëve të organizuara siç i kanë ekipet e mëdha Olimpiakosi, PAOK-u, AEK-u dhe me radhë. Historikisht të dy ekipet me njëri-tjetrin kanë një historik përplasjesh dhe kjo tremb policinë greke,”-u shpreh Etmond Guri, gazetar në Athinë.

Nëse finalja e Kupës së Greqisë do të vijë në Shqipëri grekët nuk do jenë të vetmit të cilët do i drejtohen tokës shqiptare.

“Nuk është çudi që ata që vijnë të jenë më shumë shqiptarë se greke sepse një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare e ndjekin shumë futbollin. Edhe pse nuk thuhet shpesh një përqindje shumë e lartë e moshatarëve tanë janë tifozë të flaktë të ekipeve të Greqisë,”-tha Etmond Guri, gazetar në Athinë.

AKU i Athinës dhe PAOK-u i Selanikut janë dy skuadra që kanë shkruar historinë në futbollin grek dhe për shkak të rezultateve të fundit kanë zgjuar interesin shumë të madh tek tifozët.

 

Intervista e plotë

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?