Vendngjarja

Vritet një polic bullgar në zonën kufitare me Turqinë

8 Nëntor 2022, 20:55| Përditesimi: 8 Nëntor 2022, 20:51

  • Share

Një efektiv i policisë bullgare është vrarë me armë zjarri në kufirin me Turqinë, raporton Ministria e Brendshme bullgare. Ministri Ivan Demerdzhiev tha se incidenti ndodhi të hënën në orën 20:30 me orën lokale, kur një person i paidentifikuar qëlloi në drejtim të efektivëve që po patrullonin pranë fshatit kufitar, Golyam Dervent.

Efektivi i policisë, 30-vjeç, ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa kolegu i tij kishte arritur të fshihej pas automjetit dhe shpëtoi i padëmtuar.

Patrulla të shumta u dërguan në zonë, por vrasësi nuk është kapur dhe besohet se ka kaluar në territorin turk. Ministri u tha gazetarëve se kishte marrë garanci nga pala turke që vrasësi do të kapej.

“Patrullat po hasen me rritje të numrit të refugjatëve çdo ditë. Ai i mbrëmshmi ishte një akt i dhunës ekstreme. Kërkoj të njëjtën gjë nga Europoli dhe Komisioni Europian. Ky është sulmi i parë me armë pas shumë vitesh”, tha Demerdzhiev.

Demerdzhiev u ka bërë thirrje gjithashtu për më shumë mbështetje nga Europol dhe Komisioni Evropian.

Bullgaria ka vendosur rreth 350 trupa dhe 40 mjete të rënda përgjatë kufirit me Turqinë për të ndihmuar policinë kufitare që të përballojë fluksin e emigrantëve. Trupat do të kryejnë patrullime të përbashkëta përgjatë vijës prej 259 kilometrash që ndan dy shtetet.

Bullgaria kishte rritur tashmë masat pasi dy policisë u vranë nga një autobus që transportonte emigrantë në fund të gushtit. Sipas shifrave zyrtare, rreth 12,700 emigrantë të paligjshëm janë arrestuar në vend që nga fillimi i vitit 2022, 2.5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Shumica e emigrantëve që vijnë në Bullgari nga Lindja e Mesme e përdorin vendin si një korridor tranziti për në Evropën Perëndimore.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?