Volkan Karaman

Vritet në mes të Vienës ish-futbollisti i Austrisë

9 Shkurt 2023, 11:33
  • Share

Ish-futbollisti i kombëtares austriake të futbollit, 43-vjeçari Volkan Karaman u vra dje në mes të një rruge në Vienë pas një debati në një restorant. Karaman është konfliktuar verbalisht me shokun e tij në bar dhe më pas dy personat kanë dalë në rrugë. Shoku i Karaman ka nxjerrë befas armën dhe e ka qëlluar në kokë.

Pasi qëlloi Karaman, autori kreu vetëvrasje. Mediat në Austri nuk bëjnë me dije shkakun e një konflikti të tillë momental, çka solli tragjedinë. Dëshmitarët e pyetur nga policia janë shprehur të tronditur sesi diçka e tillë mund të ndodhë në mes të Vienës.

Karaman në vitet '90 konsiderohej si shpresa e futbollit austriak. Ai e filloi karrierën e tij profesionale te Feyenoord Rotterdam,në moshën 17-vjeçare dhe në vitin 1998 u transferua në Excelsior Rotterdam, gjithashtu në elitën holandeze, ku luajti për tre sezone.

Pas dy sezoneve të suksesshme në Bundesligën austriake, Karaman u ftua në kombëtaren austriake, për të cilën luajti tre ndeshje në vitin 2002. Ai doli në "pension" në vitin 2010 pas disa vitesh pjesëmarrje në ligat e ulëta austriake.

Karaman ka lindur në Vienë në një familje emigrantësh turq dhe në vitin 2017 ishte kandidat i Partisë Popullore Austriake (OVP) në zgjedhjet parlamentare, por nuk pati sukses.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?