Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Apeli urdhëron të rindërtohet skena e krimit, caktohen ekspertët! Nga u qëllua, drejt kujt e distanca e qitjes?

18 Mars, 14:29| Përditesimi: 18 Mars, 16:51

  • Share

TIRANË- Gjykata e Apelit e Juridiksioni të Përgjithshëm ka vijuar këtë të hënë seancën për Arbër Paplekajn, i dënuar nga shkalla e parë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm pranoi më 4 mars rihapjen pjesërisht të procesit ndërsa në senacën e sotme trupa gjykuese ka urdhëruar që Arjan Hako, ekspert i Institutit të Policisë Shkencore dhe 2 ekspertë të pavarur, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, do të rindërtojnë skenën e krimit ku u vra Xhuvani. Sipas gjykatës ekspertët duhet të përcaktojnë drejtimin e qitjes së armëve ditën e ngjarjes, distancën dhe pozicionet nga është qëlluar. 

Mësohet se eksperti i Policisë së Shtetit ka deklaruar në seancë se “nuk mund të marrë pjesë në këtë proces, nuk ma lejon rregullorja e punës". Ai u shpreh se ishte i specializuar për gjurmët papilare jo balistike, por kjo kërkesë nuk u pranua nga gykata e cila sugjeroi të punojnë në grup.

Gjykata vendosi të shtyjë seancën për kryerjen e akt ekspertimeve në datë 9 prill ora 12:30. Gjithashtu gjykata njofton policinë e Elbasanit dhe drejtorinë e përgjithshme të policisë që t’ju garantojë masat për kryerjen e eksperimentit dhe të rindërtimit të ngjarjes.

Trupa gjykuese vendosi t’i kërkojë informacione shtesë prokurorisë së Elbasanit për pushimin e çështjes penale ndaj Kelmed Xhaferrit  i njohur si Kel Çami, i denoncuar më herët nga Gazment Bardhi si i përshirë në bandën që solli përplasje ditën e Verës në Elbasan. Informacione ka kërkuar dhe për procedimin në ngarkim të Mehmet Grecës.

Paplekaj kërkon rikualifikim të veprës penale, nga vrasje me dashje në vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike. Ai u dënuar me 22 vite burg nga shkalla e parë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit më 21 prill 2021, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota. Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës.

Për vrasjen e Xhuvanit, u dënuan me 1 vit shërbim prove dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla. Po ashtu dënim me nga 16 muaj shërbim prove u vendos edhe për 6 efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?