Jorgo Leku, Gentian e Nezir Beqiri

Ekzekutoi armikun e Sokol Çapjas, GJKKO i komunikon masën 'arrest me burg' Jorgo Lekut! Dy ditë më parë u ekstradua nga Greqia

17 Qershor 2023, 10:51| Përditesimi: 17 Qershor 2023, 14:02

  • Share

Gjykata e Posaçme i komunikoi sot (17 qershor 2023) masën e sigurisë arrest në burg 44-vjeçarit Jorgo Leku, i dënuar përjetësisht në mungesë nga po e njëjta gjykatë për vrasjen e babë e bir në Elbasan në 2012-ën, Nezir e Gentjan Beqirit. Ai u ekstradua dy ditë më parë nga Greqia. 44-vjeçari i njohur edhe me emrin Olsi Leka dhe me një tjetër identitet grek, u dënua në mungesë në prill të këtij viti, bashkë me Ardjan Çapjan dhe Florenc Çapjan.

Fillimisht, dosja e vrasjes së babë e bir po hetohej nga Prokuroria e Elbasanit, por më pas kaloi në SPAK, pasi të akuzuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal. Pasi Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin, çështja është ankimuar në Apel. Po për këtë dosje, Gjykata e Posaçme dënoi me 15 vite heqje lirie bashkëpunëtorin e drejtësisë Ervis Bardhin që mori edhe pjesë në krimin e ndodhur 11 vite më parë. Nga 25 vite burgim u dha për Klaidi Dokoli dhe Etien Çani.

I shumëkërkuari Jorgo Leku u arrestua në Greqi më 12 qershor 2020 pasi gjykata e Elbasanit vendosi masën e arrestit në mungesë për 5 vepra penale për vrasje, përfshirë edhe atë të grupit të strukturuar kriminal. Gjykata e Posaçme përveç Jorgo Lekut si ekzekutor, dënoi me burg përjetë edhe Ardjan Çapjan dhe Florenc Çapjan në rolin e porositësve.

Florenc Çapja është i vetmi person i pa arrestuar dhe me dënim në mungesë, pasi prej vitesh rezulton në Dubai, një vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë, duke e bërë të vështirë sjelljen e tij. 44-vjeçari Leku nuk veproi i vetëm si ekzekutor në atë kohë. Bashkë me të ishte Ervis Bardhi, i cili u bë bashkëpunëtorë i drejtësisë dhe për këtë arsye GJKKO e dënoi me vetëm 15 vite burg, ndërsa Klaidi Dokoli dhe Etien Çani u dënuan me nga 25 vite burg.

Babë e bir u vranë brenda banesës së tyre në Elbasan ku Gentiani ishte në “arrest shtëpie” i paralizuar dhe ruhej nga dy policë në derë të shtëpisë, për akuzën e vrasjes së Sokol Çapjas në vitin 2005. Teksa hynë në banesë pasi bindën policët se ishin miq të familjes, autorët qëlluan Gentian Beqirin me 7 plumba pistolete me silenciator, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas vrasësit Jorgo Leku dhe Ervis Bardhi i mbytën edhe babanë dhe u larguan duke lënë në derë të shtëpisë dy policët, që më vonë u akuzuan për shpërdorim detyre. Krimi i dyfishtë ishte pjesë e një seriali të gjatë vrasjesh e konfliktesh në Elbasan.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?