Vrasësi Bujar Fandaj dhe viktima Vanessa Ballan

Vrasja e italianes nga 41-vjeçari kosovar, dy vite më parë një maroken përndoqi 27-vjeçaren

23 Dhjetor 2023, 22:12| Përditesimi: 23 Dhjetor 2023, 22:17

  • Share

Detaje të reja janë bërë publike nga mediat italiane në lidhje me 27-vjeçaren Vanessa Ballan, e cila u vra me thikë nga 41-vjeçari kosovar, i identifikuar si Bujar Fandaj.

Raportohet se 27-vjeçarja italiane është përndjekur nga një burrë tjetër në vitin 2022, të cilin e kishte takuar disa muaj para Fandajt.

Corriere del Veneto bën me dije burri tjetër ishte me origjinë nga Maroku. Ai ngacmonte italianen në supermarketin ku punonte, i telefononte në mënyrë të vazhdueshme, si dhe e kërcënonte.

Asokohe 27-vjeçarja denoncoi në polici marokenin duke bërë që të hapej një çështje penale kundrejt tij, e cila u mbyll më vonë pasi Vanessa Ballan tërhoqi denoncimin.

Një denoncim të ngjashëm Vanessa bëri dhe për kosovarin 41-vjeçar, më 25 tetor të këtij viti, nën shoqërinë e bashkëshortit të saj, Nicola Scapinello.

Ministri i Drejtësisë në Itali, Carlo Nordio u kërkoi zyrave kompetente të Dikasterit të merrnin një raport të detajuar dhe të hetonin pse nuk ishte vepruar në rastin e denoncimit të përndjekjes së dytë.

Vanessa Ballan u vra në pragun e shtëpisë e goditur të paktën shtatë herë më thikë nga ish-i dashuri. Pas një viti lidhje, 27 vjeçarja kishte vendosur t’i jepte fund gjatë verës, por shqiptari nga Kosova nuk e kishte pranuar ndarjen. Ky i fundit kishte filluar ta përndiqte duke u shfaqur disa herë në vendet ku ajo punonte, apo dhe në shtëpinë e saj duke e kërcënuar se "do ta vriste" në rast se nuk ribashkoheshin. 41-vjeçari nga Kosova donte që e reja shtatzënë të ndahej nga partneri i saj dhe të shkonte të jetonte me të në San Vito di Altivole, pak kilometra nga Spineda di Riese Pio X (Treviso), ku ndodhi tragjedia.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?