Votimi për presidentin e ri, Bardhi: Mungesa në sallë nuk është bojkot, por qëndrim koherent! Misioni i Berishës, zvogëlimi i PD-së

3 Qershor 2022, 18:50| Përditesimi: 3 Qershor 2022, 20:29

  • Share

Gazment Bardhi deklaroi të premten në emisionin ‘Kontrast’ se mungesa në sallën e Kuvendit gjatë zgjedhjes së Presidentit është një qëndrim koherent i grupit ku ai bën pjesë. Ai deklaroi se ky vendim vjen si pasojë e prishjes së marrëveshjes nga ana e PS dhe se Grupi Parlamentar i PD nuk ka arsye pse ta legjitimojë seancën. Duke folur për akuzat e ‘Rithemelimit’, Bardhi tha se ky i fundit i ka 20 firma për të propozuar një kandidaturë të tijën për kreun e shtetit.

“Nuk jemi fare fasadë siç na akuzojnë. Ne nxorëm zbuluar fasadën që po përgatiste. Vota jonë nuk e bllokon dot Edi Ramën nesër që të zgjedhë Presidentin. Vendimi ynë nuk është bojkot. Nëse ata janë partizanët e mos-bojkotit, shumë mirë mund të kishin propozuar një emër me 20 firma deputetësh. Për aq kohë sa Rama ka vendosur të zgjedhë kreun e shtetit në një proces 24 orësh, kjo nuk është një situatë normale dhe nuk mund të bëhemi pjesë. Ne nuk kemi marrë pjesë në seancë as në raundin e tretë. I gjithë grupi ynë parlamentar pas raundit të dytë, kur mazhoranca u tërhoqe nga një marrëveshje publike mes palëve, deklaruam se nuk do të bëhemi më pjesë e këtij procesi. Pra është një qëndrim koherent dhe s’ka të bëjë me frikë për rrjedhje votash etj” – tha Gazment Bardhi për ‘Kontrast’ në Report TV.

Deputeti demokrat shtoi se qëllimi i Grupimit të Berishës nuk ishte emri i Presidentit të ri, por të njollosej ajo pjesë e PD që drejtohet nga Alibeaj.

“Nuk kishte asnjë arsye që opozita të ishte e përçarë në këtë proces dhe i gjithë grupi parlamentar që është përfshirë, ka deklaruar disa herë që opozita të ishte e bashkuar. Sigurisht që Grupimi që drejton zoti Berisha nuk kishte merakun se kush do të zgjidhej President, por të njollosnin zotin Enkelejd Alibeaj” – tha Bardhi.

Ai komentoi edhe votimin në PD për nënkryetarët dhe sekretarët, që ‘Rithemelimi’ zhvilloi sot. Sipas Bardhi, ky zhvillim në selinë blu tregon misionin e Berishës për të shkaktuar më tepër konfuzion tek demokratët dhe për të thelluar përçarjen.

“Në këtë moment ne nuk kemi nevojë për akte që thellojnë përçarjen, por për akte që i bashkojnë demokratët. Zoti Berisha nuk ndryshoi modelin e sjelljes duke faktuar që kishte si projekt për të zvogëluar Partinë Demokratike duke e bërë PD-në më struktura paralele dhe duke shtuar konfuzionin tek elektorati. Unë do të vazhdoj të jem në PD dhe do të them me zë të lartë në Grupin Parlamentar ku bëj pjesë mendimin tim se Berisha nuk e bën dot fituese partinë. Edhe pse vendimi i Shkallës së Parë nuk është i formës së prerë, unë jam i detyruar si jurist ta njoh. Por jo të njoh Berishën si kryetar. Uroj që edhe zoti Berisha të mbajë të njëjtin qëndrim me vendimin e Apelit siç mbajti me vendimin e gjykatësit Zhukri” – deklaroi Bardhi për ‘Kontrast’.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?