Drejt Punës

‘Shqipëria turistike’/ Voskopoja, ‘kryeqendra’ e turizmit në juglindje! Vizitorët: Këtu gjen gjithçka, natyrë e paqtë dhe histori

29 Korrik 2022, 18:13| Përditesimi: 29 Korrik 2022, 22:02

  • Share

Voskopoja, vendbanim që daton prej 1330-ës me vlera historike, kulturore dhe natyrore zë vendin e parë në turizmin e juglindjes. Shëtitjet në ajrin e freskët, vizitat në kishat  dhe bazilikat e stilit post-bizantin, eksplorimi i shtigjeve malore janë disa prej atraksioneve. Hotele, bujtina e restorante ndërtohen rishtazi në Voskopojë, të cilat kanë ruajtur stilin arkitekturor të shtëpive të vjetra. Ndërsa në tryeza serviren gatimet tradicionale, lakrori, rakia e kumbullës, petullat e fshira dhe mishi i qengjit, duke impenjuar familje, te moshuar e te rinj.

"Na ofroi rruga që është shtruar dhe ka akses më të madh dhe vij 2-3 herë në vit. Pëlqej klimën, ajrin e pastër por dhe kulinarinë. Më pëlqen më shumë lakrori", tha një vizitore.

"Voskopoja është e bukur, ka kishat, traditën, gatimet dhe gjithçka", tha një tjetër vizitore.

Nga 22 kishat e dikurshme kanë mbetur 5 të tilla në Voskopojë dhe manastiri i Shën Prodhomit që prej vitesh qëndron mbyllur. Për të vizituar kishat duhet më parë të takoni kujdestarin e tyre apo priftin e fshatit. Shëtitjet nëpër rrugët karakteristike me gurë në fshatin turistik janë mbresëlënëse pasi mund të dëgjosh historitë e vjetra nga banorët. 

Në qendër të Voskopojës ndodhet Vila Falo, aty na mirëpret Antoni, i cili është kthyer nga emigrimi për të investuar në vendlindje.

"Kam qenë 20 vite në emigrim, ndërtova hotel të vogël familjar. Kemi 7 vite që kemi hapur dhe ka plot sfida. Në Greqi turizmi është më i zhvilluar, po ecim por kemi vështirësi. Më shumë kemi gjatë dimrit kur bie borë dhe në verë nga 15 korrik deri më 15 gusht. Sa më shumë nxehet koha në Tiranë e qytete të tjera, aq më shumë ijnë tek ne për fresk", tha Anton Falo.

Rrugët e qëndisura me kalldrëme dhe avllitë e shtëpitë të ndërtuara prej guri, të ofrojnë origjinalitetin e kulturës së trashëguar prej Mesjetës. Ajri i pastër malor dhe freskia, bëjnë që Voskopoja të vizitohet nga qindra qindra turistë vendas e të huaj gjatë verës!

A.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?