Sociale

Vonesa me marrjen e bonusit të qirasë dhe në rindërtimin e banesave, disa familje të prekura nga tërmeti në Kurbin protestë para Bashkisë: Duam zgjidhje, jemi pa strehë

8 Tetor 2021, 12:33| Përditesimi: 8 Tetor 2021, 12:51

  • Share

Disa familje në Kurbin janë ngritur në protestë para bashkisë ditën e sotme, me pretendimin se prej një muaji e gjysmë nuk kanë marrë bonusin e qirasë, ndërsa tërmeti i 26 nëntorit të 2019 i ka shkatërruar shtëpitë. 

Ata shprehen se kanë 6 muaj që kërkojnë takim me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Carën, për të marrë një përgjigje në lidhje me bonusin e qirasë dhe rindërtimin e banesave të tyre, proces që shprehen se po vonon shumë. Sipas tyre, gjatë gjithë kësaj kohe janë shmangur nga kryebashkiakja dhe se askush nuk po i jep një zgjidhje.

"Ne jemi të pastrehë, shtëpitë i kemi të dëmtuara. Nuk jemi takuar me kryetaren e Bashkisë, sa herë vijmë në Bashki dhe kërkojmë takim, kryetarja është larguar në drejtim të paditur, nuk po dimë se kur do kthehet në drejtim të ditur. Kemi 6 muaj që duam t atakojmë. Ne po protestojmë se bonusi e qirasë nuk na e kanë dhënë, ndihmën ekonomike jo, se ça do bëhet me shtëpinë nuk dimë gjë. Unë banoj akoma në çadër", shprehet një banorë.

"Të na japë Bashkia bonusin e qirasë. Ne na shembur tërmeti shtëpinë dhe nuk kemi mundësi të paguajmë qiranë. Kam 3 fëmijë. Ka një muaj e gjysmë që nuk e kemi marrë dhe nuk na japin arsye. Vijmë këtu e na sorollatin, nuk dimë nga të shkojmë", thekson një tjetër.

I kontaktuar përmes telefonit për këtë çështje, Drejtori i Planifikimit Urban në Bashkinë Kurbin, Benard Pali thotë se vonesat në kalimin e bonusit të qirasë janë krijuar nga thesari, duke premtuar se problemi është drejt zgjidhjes. Ndërsa përsa i përket procesit të rindërtimit për banesat individuale  do të jenë gati brenda vitit që 2022.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?