Von der Leyen në Serbi: Njohja de facto e Kosovës nënkupton zbatimin e marrëveshjes së Ohrit

31 Tetor 2023, 15:33| Përditesimi: 31 Tetor 2023, 15:34

  • Share

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shpjeguar në Beograd se njohja de-facto e Kosovës nënkupton implementimin e Aneksit të dakorduar në Ohër në mars të këtij viti.

“Për çfarë bëhet fjalë, për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh hapa të ndryshëm, përfshirë pranimin e dokumentave dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe shkon krahas themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin duhet ta zbatojë Kosova”, ka thënë Von der Leyen në një konferencë për media të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke iu përgjigjur një pyetjeje që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës, që e ka përmendur në Prishtinë një ditë më parë dhe që po e kërkojnë liderët evropianë.

Von der Leyen ka theksuar se një gjë e tillë do t’i hapte rrugë normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ka theksuar, se është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane.

Në anën tjetër, Vuçiç ka thënë se “njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje për Serbinë” dhe se nuk i vjen turp ta përsërisë edhe para presidentes së Komisionit Evropian.

“E dimë cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim”, ka thënë Vuçiç.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?