Von der Leyen dhe Zelensky

Von der Leyen në Kiev: Në krah të Ukrainës sa kohë të jetë e nevojshme! Zelensky: Vendimi për anëtarësimin tonë në BE do të jetë historik

4 Nëntor 2023, 16:20| Përditesimi: 4 Nëntor 2023, 16:22

  • Share

UKRAINË- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen po zhvillon një vizitë në Kiev. Vizita në kryeqytetin ukrainas nuk ishte njoftuar paraprakisht për arsye sigurie. Von der Leyen është pritur nga kryeministri ukrainas Volodymyr Zelensky ndërsa temë kryesore bisedimesh ka qenë rrugëtimi i Ukrainës drejt anëtarësimit në BE.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, presidenti Zelensky tha se vendimi për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian do të jetë historik.

"Është një moment shumë i rëndësishëm, momenti në të cilin ne presim vendimin politik për Ukrainën për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE. Ky vendim do të ketë një rol themelor në historinë jo vetëm të Ukrainës por të gjithë Evropës", tha Zelensky.

Me fillimin e negociatave, nënvizoi ai, "do të garantojmë themele të reja për rritjen e Ukrainës dhe të gjitha vendeve evropiane" dhe "do të garantojmë siguri të vërtetë ekonomike dhe sociale për vendin tonë dhe popullin ukrainas".

"Ukraina nuk kërkon zbritje në procesin e anëtarësimit në BE dhe respekton të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian të nevojshme për të avancuar në proces”, tha Zelensky duke nënvizuar fushat në të cilat Kievi ka ndërhyrë, duke përfshirë sundimin e ligjit, forcimin e sistemit antikorrupsion të vendit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke shtuar se "Ukraina nuk ndalet në transformimin e institucioneve" dhe "reformat do të vazhdojnë".

Von der Leyen u shpreh se Ukraina ka bërë progres në rrugëtimin drejt BE dhe u shpreh e bindur se do të përfundojnë reformat.

“Ukraina ka bërë progres të shkëlqyeshëm drejt anëtarësimit të mundshëm në Bashkimin Evropian. Do ta dëshmojmë këtë javën e ardhshme kur Komisioni të prezantojë raportin për zgjerimin”, tha Von der Leyen.

Presidentja e KE paralajmëroi se së shpejti do të prezantojnë një propozim për përdorimin e aseteve të ngrira ruse

“Bashkimi Evropian do të paraqesë së shpejti një propozim për përdorimin e aseteve ruse që ne besojmë se duhet të përdoren në rindërtimin e Ukrainës”, tha Presidentja e KE.

Nga ana tjetër, Zelensky tha se SHBA dhe BE nuk po i bëjnë më presion Moskës për negociata.

"Të gjithë e dinë qëndrimin tim, i cili përkon me qëndrimin e shoqërisë ukrainase. Askush nuk bën presion, as liderët e BE-së dhe as Shtetet e Bashkuara” , u shpreh Zelensky.  

Sa i takon luftës në Rripin e Gazës, Zelesnky tha se po largon vëmendjen nga Ukraina.

Lufta në Lindjen e Mesme, ky konflikt largon vëmendjen nga Ukraina. Unë besoj se ky ishte një nga qëllimet e Federatës Ruse. Vëmendja ndaj Ukrainës do të ulet dhe ky është një fakt. Por ne tashmë e kemi gjetur veten në situata të vështira. Ne ishim tashmë në situata shumë të vështira kur pothuajse nuk kishte vëmendje ndaj Ukrainës," tha Zelensky.

Kjo është vizita e gjashtë e Ursula von der Leyen në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022. Presidentja e KE tha se ndonëse se vëmendja është aktualisht në Lindjen e Mesme, këtë vizitë në Kiev kishte kohë që e kishte planifikuar.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?