Skënderbeu ngre trofeun

Volejboll femra/ Skënderbeu mposht Tiranën dhe shpallet kampion i Shqipërisë! Festë dhe mijëra spektatorë në Korçë (VIDEO)

27 Prill, 20:55| Përditesimi: 27 Prill, 22:53

  • Share

KORÇË - Skënderbeu në volejboll për femra është shpallur kampion i Shqipërisë për këtë vit në Superligë. Vajzat korçare fituan ndeshjen e tretë 3-1 me sete kundër Tiranës në Pallatin e Sportit "Tamara Nikolla" dhe sigurojnë kështu titullin e shtatë në histori.

Në finalet play-off korçaret dominuan vajzat bardheblu duke i mundur në tre ndeshje, teksa afro 3 mijë tifozë të pranishëm në "Tamara Nikolla" kanë festuar një sukses të merituar.

Në ndeshjen e tretë të serisë së finaleve, Skënderbeu i Orlando Kojës e nisi jo mirë setin e parë duke e humbur 17-25. Më pas, të ndihmuara edhe nga publiku vendas, korçaret përmbysën gjithçka për 25-20 dhe 25-17.

Seti i katërt ishte edhe më emocionues, me Tiranën e Bulent Karslioglu që u duk se do barazonte, por vajzat korçare përmbysën në 25-23, për rezultatin final 3-1 me sete në ndeshjen e tretë.

Kështu, në seritë e finaleve mes tyre Skënderbeu fiton 3-0 kundër Tiranës dhe për herë të shtatë në histori feston me trofeun në duar. Vajzat korçare kanë dominuar sezonin duke zbritur nga froni Partizanin, që përpara ndeshjes së sotme ishte kampion në fuqi.

U deshën 1 orë e 54 minuta që korçaret të gëzonin tifozët në Pallatin e Sportit, me këta të fundit që braktisën pas pjesës së parë ndeshjen e futbollit Skënderbeu 1-0 Erzeni dhe u "derdhën" drejt shkallëve të "Tamara Nikolla".

Ky sukses i vendosi "vulën" një sezoni fantastik, me Skënderbeun në volejboll për femra që është fituese edhe e Ligës Gjergj Kastrioti, Kupës së Federatës dhe Kupës së Shqipërisë, teksa u shpallën nënkampione në Kupën Ballkanike.

Dy suksese në tre vitet e fundit për Skënderbeun e Orlando Kojës, me trajnerin që la SHBA-në për t'u shpallur kampion në vendlindje. Në ekipin kampion spikasin kapitenia Elena Bego, Paola Gjata apo Silva Pesce, Malaj, Kadriu, Ramo, Uilliams, Miliku, Kallundra, Metanje dhe Vivas Requena.

 

 

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?