Vlorë/ Ujësjellësi 'përplas' bashkinë me këshillin bashkiak! Këshilltarët: Negocio për shoqëri të re! Leli: Kërkesa e paligjshme, pritet padi

21 Korrik 2022, 19:20| Përditesimi: 21 Korrik 2022, 19:29

  • Share

Situata me furnizimin e ujit të pijshëm në Ujësjellësin e Vlorës ka detyruar këshilltarët bashkiakë t’i kërkojnë kryebashkiakut Dritan Leli të negociojë për krijimin e ujësjellësit të ri që të përfshijë edhe bashkitë Selenicë e Himarë. Por kërkesa nuk është pritur mirë nga Leli, i cili sipas burimeve po përgatit një padi kundër Këshillit Bashkiak.

Reforma e re e ujit që parashikon ristrukturimin e ujësjellës kanalizimeve ka përplasur këshillin Bashkiak të Vlorës me Bashkinë e qytetit. Anëtarët e Këshillit i kërkojnë kryetarit të Bashkisë Dritan Leli, që të nisë negociatat me Ministrinë e Infrastrukturës për krijimin e shoqërisë së re të ujësjellës-kanalizimeve që të përfshijë bashkitë Vlorë, Selenicë dhe Himarë, me argumentin se ujësjellësi aktual është prag falimenti.

“Ujë pa të ardhura në ujësjellsin e Bashkisë Vlorë për vitin 2021 është në masën 77% humbje. Detyrimet që ka kjo shoqëri ndaj shtetit dhe palëve të treta aktualisht janë 33 milionë euro. Mbulimi i Kostove totale të operimit të kësaj shoqërie në raport me arkëtimet është ne nivelin e 29.2%. Humbja Vjetore e UK Vlorë për vitin 2021 është 75,206,694 leke të reja. Hmbjet janë katastrofë, bilancet janë tërësisht negative, kjo shoqëri i ka të gjitha llogaritë e bllokuara. Kjo shoqëri nuk mbulon kostot e veta dhe është në prag falimentimi”, tha Ardian Skëndaj kreu i grupit PS në këshillin bashkiak Vlorë.

Por kjo kërkesë për kryebashkiakun Leli është e paligjshme, siç thuhet në letrën drejtuar këshilltarëve. Madje sipas burimeve,  Bashkia do të ngrejë një padi kundër projektvendimit e Këshillit.

 “Projektvendimi i paraqitur nga ana juaj në vlerësimin e administratës së Bashkisë ndoshta për shkak të ngutjes për ta miratuar me çdo kusht  ose nga moskuptimi i asaj që duhet të arrihet  konstatohet si një vendim i marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore”, tha Aulona Veizi n/kryetare e Bashkisë Vlorë, teksa lexoi letrën e Lelit.

“Në ligjin 139/2015 për vetëqeverisjen vendore  në nenin 23 pika 1 dhe 2 thuhet është parashikuar, “ Bashkia ka funksion prodhimin, trajtimin, transmetimin dhe furnizimin me uji të pijshëm si dhe mbledhjen, largimin dge trajtimin e ujërave të ndotura”. Natyrshëm lind pyetja pa ndryshuar një dispozitë të ligjit, cili organ e shkarkon nga përgjegjësia bashkinë në rast të një vendimmarrje të tillë” tha nënkryetarja e Bashkisë Vlorë.

Reforma e re parashikon shkrirjen e 46 ujësjellësve në të gjithë vendin, dhe krijimin e 15 shoqërive të reja, ku 51% e aksioneve i përkasin Ministrisë së Infrastrukturës dhe 49 përqind shoqërive aksionere. Sipas VKM-së së 11 majit 2022 parashikohet formimi i Shoqërisë së re të UK, ku do përfshihen Bashkitë Vlorë, Himarë dhe Selenicë.  Bashkia Himarë dhe Selenicë i kanë marrë vendimet e Këshillave Bashkiak për t’u bere pjese e kësaj shoqërie, ndërsa mbetet vetëm Vlora pa vendim, pasi nënkryetarja thotë se kompetencat e ujësjellësit i takojnë Bashkisë.

Reforma e re e ujësjellës-kanalizimeve, vjen pas detyrimeve të larta që kanë shoqëritë, problemeve në mbledhjen e të ardhurave si dhe në furnizimin me ujë të qytetarëve.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?