Vllaznia bëhet e frikshme, trajneri Osmani: Radhën e ka Partizani! Shorti i Kupës, 8 ekipet çerekfinaliste ndahen në 2 vazo

25 Janar, 11:25| Përditesimi: 25 Janar, 13:18

  • Share

Me shifrat e thella 4-0 kundër Flamurtarit, Vllaznia siguroi çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, duke marrë fitoren e pestë radhazi pa pësuar gol dhe të 6-in sukses në të gjitha kompeticionet.

“Ky rezultat tregon se fitorja ishte e lehtë, por fillimi i ndeshjes tregoi se nuk ishte aq e lehtë. Ndeshjet e Kupës janë të rrezikshme sepse befasitë ndodhin kudo, por gjithsesi bravo iu qoftë futbollistëve,”-u shpreh Qatip Osmani, trajner i Vllaznisë.

Sinkron Dritan Resuli, trajner i Vllaznisë: “Mënyra sesi u ndëshkuam, me ato gabime që janë normale në futboll, por që duhet të ketë më shumë përgjegjësi, lë shumë vend për përmirësime në punën që do bëjmë.”

Për Vllazninë e vendit të tretë në Superligë, të dielën do jetë një ndeshje delikate ndaj Partizanit të vendit të dytë.

“Ky rezultat bindës na jep një qetësi para ndeshjes në fundjavë kundër Partizanit,”-tha Qatip Osmani, trajner i Vllaznisë.

Kupa e Shqipërisë këtë sezon mund të përkufizohet edhe si e ‘ekipeve të Superligës’, pasi 8 skuadrat çerekfinaliste vijnë nga kampionati elitar në vend. Në ndeshjet e tjera të 1/8-ve Teuta eliminoi 2-0 Skënderbeun, Egnatia mposhti me të njëtin rezultat Lushnjen, Partizani fitoi 3-1 me përmbysje kundër Apolonisë, Erzeni kaloi më tej falë fitores 2-1 kundër Bylisit, Elbasani u eliminua 1-0 nga Kukësi, Tirana fitoi pastër 3-0 kundër Korabit, ndërsa Laçi kaloi 1-0 Dinamon.

Çiftet çerekfinaliste do përcaktohen me short, teksa në vazon e parë qëndrojnë Partizani, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia, ndërsa në vazon e dytë Laçi, Teuta, Kukësi dhe Erzeni. Ndryshe nga deri më tani, në çerekfinale sfidat do jenë me dy përballje, vajtje-ardhje.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?