Vlahutin largohet nga takimi?
Kokë më kokë "sekret" Basha-Hahn

10 Nëntor 2017, 10:21| Përditesimi:

Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Evropian Johannes Hahn ka vijuar valën e takimeve të tij në Shqipëri.

Raportohet se ai ka kryer një takim kokë më kokë me kreun e opozitës Lulzim Basha gjatë mbrëmjes së djeshme, takim i cili ka zgjatur rreth dy orë në zyrën e këtij të fundit në Tiranë.

Mësohet se në takim ka qenë e pranishme edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin. Detajet për këtë takim nuk janë bërë ende të ditura.

Mediat opozitare ngrenë dyshime se Hahn mund të ketë diskutuar me Bashën në lidhje me një dosje të mundshme që ministri i Brendshëm italian, Marco Minitti i ka dorëzuar Bashës gjatë një takimi larg kamerave, pak ditë më parë.

Sipas të njëjtave media, largimi i parakohshmë i Vlahutin nga ky takim, mund të jetë pasojë e konfidencialitetit të bisedës mes Bashës dhe Hahn. 

Hahn gjatë pasdites së djeshme ishte në shoqërinë e kryeministrit Edi Rama në zonën e “Lungomares” në qytetin e Vlorës. Ndërkohë, më herët, po gjatë ditës së djeshme, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte shprehur në Parlament se “Edi Rama po përpiqet të gjejë çdo hile, çdo manovër çdo truk të mundshëm për të mos ndryshuar fatin e Roshëve, Tahirëve, Dakove dhe natyrisht fatin e tij. ‘Të ndryshojmë çdo gjë për të mos ndryshuar asgjë’, siç thotë siçiliani i famshëm”, theksoi Basha në Kuvend.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?