Vlahutin: BE e angazhuar për zgjidhjen e çështjes së pronës, Vlora qarku më problematik

27 Mars 2018, 20:09| Përditesimi: 27 Mars 2018, 20:47

  • Share

Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, sot ka vizituar qytetin bregdetar të Vlorës nga ku ka deklaruar se do të angazhohet për zgjidhjen problemeve të pronës. Kohët e fundit qarku i Vlorës ka qenë në qendër të vëmendjes sa i përket çështjes së tjetërsimit të pronave. Vlahutin është shoqëruar nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje për zgjidhjen e problemit me pronën private në vendin tonë. Nga qyteti i Vlorës, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, deklaroi se BE do të angazhohet për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme lidhur me çështjen e pronës private.

“Po e nisim nga Vlora pasi është më problematiku sa i përket çështjes së pronave. Pas reformës në drejtësi, çështja e pronës është mjaftë e rëndësishme për shqiptarët pasi prej më shumë se 27 vite ka ndikuar në shoqërin shqiptare. Ne si BE duam të angazhohemi për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme lidhur me çështjen e pronës private”, tha Vlahutin.

Përkrah ambasadores Vlahutin në Vlorë është edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila deklaroi se gjatë ditës së sotme do të zhvillohen një serë takimesh për të nxjerrë dhe problematikat kryesore të pronave. Gjonaj u shpreh: “Pranova të jem prezente me ambasadoren e BE në Vlorë, pasi është pikërisht çështja e pronave që bashkon Shqipërinë dhe misionin që do të ndërmarrë delegacioni i BE në Shqipëri. Së fundi, janë zhvilluar një sërë veprimesh ligjore dhe administrative lidhur me çështjen e pronës, ku edhe sot në takimet që do të kemi me administratën e dy agjencive kryesore të pronave do të nxjerrim shumë problematika”,

Nga ana e saj, Qeveria ka vendosur pezullimin përkohësisht të regjistrimit të pronave në bregdet dhe reformës së tokës në tërësi, pas abuzimeve të panumërta dhe grabitjes së mijëra hektar tokë në bregdet. Një ditë më parë, Report Tv raportoi se dy qarqet më të prekura nga problematika e pronave janë Vlora dhe Gjirokastra, të cilat mbajnë rekordin e padive në prokurori dhe gjykata për zgjidhje ligjore.
 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?