Vizita në Vjenë, Kurti flet për median austriake: Serbia nuk do paqe, por dëshiron të marrë territor nga vendi ynë për të kompensuar humbjen nga lufta

14 Nëntor 2023, 12:55| Përditesimi: 14 Nëntor 2023, 12:56

  • Share

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për median austriake TVTHEK, gjatë vizitës në Vjenë, ka folur për situatën në Veri të Kosovës dhe sulmin e 24 shtatorit.

“Dhjetëra terroristë paramilitarë erdhën nga Serbia dhe vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Zveçan, në komunën veriore dhe ata sollën me vete pajisje të shumta ushtarake dhe municione. Vlera e tyre është mbi 5 milionë euro, të prodhuara në Serbi në dy fabrika, Sloboda dhe Zasrava arms në vitet e fundit", tha Kurti.

Kurti tha se Radojçiçi e pranoi se e ka organizuar sulmin dhe se është parë shumë shpesh të ulet pranë presidentit Vuçiç “në takime të nivelit të lartë në Beograd.”

“Disa ditë pas këtij sulmi terrorist ai u arrestua në Serbi dhe u lirua brenda disa orësh. Presidenti i Serbisë është në krye dhe mbrapa këtij sulmi derisa përpara janë kriminelët që i njohin nga krimi i organizuar në Veri dhe në kufirin me Serbinë. Shenjat e Serbisë janë gjithandej në këtë akt agresioni dhe duhet të dënohet nga anëtarët e BE dhe SHBA-të pasi nuk ka asnjë dyshim që sulmi nuk ishte se qytetarët kapën armët apo fenomen spontan”, tha Kurti.

Kurti tha se Serbia po sillet si “Rusi e vogël” dhe se dëshiron të marrë territor nga Kosova për të kompensuar humbjen nga lufta.

“Serbia e di që s’mund ta ketë të gjithë Kosovën por janë vënë pas veriut, ku shumica e strukturave ilegale janë prezente për më shuëm se 24 vjet që nga përfundimi i luftës. Serbia nuk dëshiron paqe, nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe Be dhe dëshiron ta destabilizojë vendin tonë dhe të marrë territor që ta kompensojë humbjen e luftërave”, tha Kurti.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?