Periferi

Vizioni 65 m2 i Albin Kurtit

23 Janar 2020, 08:39| Përditesimi: 23 Janar 2020, 09:32

  • Share

Nganjëherë entuziazmohemi nga metrat katrorë që një njeri publik, mendimtar, politikan, vizaton për veten duke kursyer për të tjerët. Dhe nuk e kemi gabim. Në kohën e urisë dhe babëzisë materiale 65 metrat katrorë (pak më shumë a pak më pak) të shtëpisë së Albin Kurtit thonë diçka. Por nuk mjaftojnë.

Dhe nuk është hera e parë që njerëz të fjalëve e të betejave, kur vjen fjala për punë, për zgjidhje, nuk ndriçojnë. Që nga zgjedhjet e Tetorit po kalojnë shumë ditë e shumë fjalë për formimin e qeverisë së Kosovës me Albin Kurtin e Vetvendosjes kryeministër dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëqeverisës. Por për të bërë një marrëveshje, një aleancë harmonike duhet art dhe të bësh art, veç fjalëve, duhet punë. Punë e mirë dhe e paqtë.

Pas vitesh opozitar Albin Kurti ka në dorë të qeverisë, por kjo fjalë e anatemuar, e sharë e mallkuar, nuk është për këdo. Në kohë të kohëve pak politikanë kanë treguar se dinë të bëjnë e të drejtojnë qeveri. Ata janë të veshur me aftësi të caktuara që tejkalojnë dogmat dhe formulat teorike që kishin në mendje më parë. Të bësh e të mbash qeveri duhet të kesh disa marshe më shumë, teorike, por sidomos praktike.

Në Tiranë jemi mësuar me shumë teoricienë, që kur vjen puna për të folur e shkruar nga mëngjesi në darkë, krijojnë realitete virtuale fantastike, perfekte, por nëse dikush u lë në dorë çelësat e një përgjegjësie, të një pune konkrete, ia mbathin si fëmijët e llastuar përballë një ushtrimi të vështirë fizkulture, duke thënë: E ka fajin ai, unë s’kam faj.

Në Kosovë, populli shqiptar i dha mundësinë Albin Kurtit që me fjalët të bëjë punë, por nuk ia bëri aq të kollajtë. Të kishte fituar me shumë avantazh, do të ishte rruga më e lehtë, por jo, në vështirësi njihen politikanët më të mirë. Dhe, a është i mirë Albin Kurti? Pas fitores, erdhi e bëri disa takime-falenderime-qoka në Tiranë. Nga përzgjedhjet e rënditja, tregoi shumë se çfarë zemre e vizioni ka. Urojmë të mos jetë, për të mirën e Kosovës e të popullit shqiptar, një zemër e vizion i “burgosur” në 65 metra katrorë pallat.

 

xy/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?