Viti i ri shkollor, PD: Qeveria nuk ka asnjë plan për rifillimin e mësimit, korrupsion me rindërtimin

18 Gusht 2020, 12:27| Përditesimi: 18 Gusht 2020, 16:50

  • Share

Eksperti i arsimit në PD, Ndriçim Mehmeti ka deklaruar se se qeveria nuk ka asnjë përgjigje se çfarë do të bëhet me nxënësit e 106 shkollave të shembura pas tërmetit.

Në një deklaratë zyrtare, Mehmeti thotë se "njësoj si për pandeminë, edhe plani për shkollat është imagjinar. Ministrja nuk na tha sesi do të bëhet mësimi online, do të bëhet në klasë apo i alternuar. Nuk na tha masat për secilën alternativë. Me pak fjalë, ajo që mësuam se gjithçka do të improvizohet në minutën e fundit."

Sipas Mehmetit, janë 106 shkolla të rrënuara plotësisht dhe deri tani asnjë shkollë e përfunduar.

"Gjithashtu PD i rikujton publikut dhe organeve të drejtësisë, se rrënimi i shkollave, nuk ishte vetëm pasojë  e tërmetit por edhe e aferave korruptive të qeverisë dhe pushtetit lokal . Le t’u referohemi fakteve konkrete. Shkolla “Ramazan Jangozi “, në Thumanë u inaugurua si ndërtimi ri nga themelet, në shtator të vitit 2019 dhe u rrënua në themel nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Investimi i përbashkët i Bashkisë Krujë dhe MASR, për ndërtesën e shkollës, kapte shifrën 500 mijë euro. Pyetja është: Si u shkatërrua shkolla në më pak se dy muaj.

Rast tjetër flagrant është edhe ai i shkollës “Sami Frashëri”. Z. Veliaj e promovoi në 9 gusht 2018 si modelin e shkollës së rikonstruktuar, që do të përhapej në të gjithë bashkinë e Tiranës. Në 26 nëntor 2019 ajo u bë e pabanueshme. Ku shkoi gjithë ai investim dhe mburrje e kryetarit të bashkisë së Tiranës? Ku shkuan tabletat, të cilat kushtuan qindra mijëra euro, që sipas ministres Shahini, ishin në shkollë dhe do të bëheshin aktive për nxënësit sa të përfundonte periudha e COVID-19?

Këtyre aferave të mëparshme u shtohet edhe fati se shumica e shkollave janë planifikuar të rindërtohen me PPP, duke rënduar barrën e borxheve për shqiptarët dhe duke shtuar hijet e korrupsionit në rindërtimin e shkollave", deklaron eksperti i arsimit të PD-së.

Ndriçim Mehmeti shprehet se qeveria nuk ka një plan masash të detajuar për fillimin e vitit të ri shkollor.

"Publiku, prindërit, nxënësit mësuesit duan të dinë nga Ministria e Arsimit dhe kryeministri në ikje Edi Rama, se: A ka një plan Ministria e Arsimit për hapjen e shkollave të arsimit para universitar; A janë marrë masat për distancimin fizik të nxënësve; A ka një zë të veçantë në buxhet për përballimin e kostos së mësimit në klasë apo edhe në distancë; A do të vihen në dispozicion të nxënësve të cilëve i kanë shkollat e rrënuara, godina të tjera etj.", përfundon Mehmeti.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?