Viti i ri shkollor me 150 nxënës më pak në qarkun Elbasan! Risia e këtij viti, gjuha rome në dy shkolla

10 Shtator 2023, 16:46| Përditesimi: 10 Shtator 2023, 16:56

  • Share

Ky vit i ri arsimor në Elbasan po gjen më pak nxënës në bankat e shkollës. Klasën e parë dhe te dhjete do ta nisin rreth 1 mijë e 900 nxënës, afro 150 më pak se vitin e shkuar.

“Regjistrimet kanë ecur në proces normal. Të gjitha shkollat janë plotësuar. Shpërndarja e librit shkollor ka arritur në masën 95 %.  Ulja e numrit të nxënësve për këtë vit është 100 nxënës në klasë të parë dhe 50 në vitin e parë. ZVA, sistemoi të gjithë mësuesit pa nxjerrë nga puna asnjë mësues. Festë do të jetë për 1100 nxënësit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, në klasë të parë”, tha drejtori i ZVA, Elbasan.

Kreu i zyrës arsimore në Elbasan, Ermir Çela, tregon se në bashki nuk do të ketë shkolla të mbyllura, por vetëm bashkim të drejtorive.

“Në Bashkinë Elbasan, nuk kemi asnjë shkollë të mbyllur, por bashkim të drejtorive. Problemi kryesor që duhej të zgjidhej është shkolla e Treganit që ka 4 vjet që është dëmtuar dhe nxënësit e bëjnë mësimin në shkollë tjetër” na thotë Ermir Çela

Megjithatë gjatë këtij viti të ri shkollor nuk do të mungojnë as risitë. Në dy shkolla, si lëndë do të futet edhe gjuha rome.

“Risi për këtë vit shkollor është dhe hapja e gjuhës rome në shkollën “Hamit Mullisi” dhe “Abdyl Paralloi”, me qellim që nxënësve të kësaj kategorie të ju ofrohet gjuha amëtare. Risi tjetër është dhe paketa e sigurisë nëpër shkolla”, informon më tej Çela.

Në të gjithë shkollat e vendit mësimi do të nisë me datë 11 shtator, ndërsa për të gjithë ata që nuk janë regjistruar do të kenë kohë deri të dielën në darkë.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?