Visar Zhiti: Instalimi i komunizmit
institucioni i parë ishin burgjet

30 Korrik 2016, 07:56| Përditesimi:

  • Share

Ky është fragmenti i dytë i shkëputur nga “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, një vepër kurajoze e Visar Zhitit, botuar pak vite më parë, ku një pjesë e mirë i  kushtohet metodave të dhunshme të regjimit për të siguruar jetëgjatësinë e tij dhe akteve kriminale që u kryen nga komunistët në Shqipëri në momentet kur po instalohej ky regjim. Duke trajtuar temën e arratisjeve të para të detyruara për shkaqe politike, e duke vijuar deri tek arratisjet e vona kur intelektualet nisën të lodhen nga izolimi i gjatë, censura dhe diktati, Zhiti e vijon argumentin e tij me krimet e para, pushkatimet me dhe pa gjyq, dhe gjithë format e tjera që do të përdorte regjimi për t’u forcuar e për të siguruar jetëgjatësinë e pushtetit.
Mjaft pikant në këtë pjesë të “Panteonit” të Zhitit është argumenti që ai sjell për burgjet, si institucioni i parë që ngritën komunistët ende pa ardhur mirë në pushtet dhe se si vijuan më tej të funksionojnë përgjatë viteve të gjata të diktaturës. Për lexuesit tanë e sjellim të plotë këtë fragment shkëputur nga “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar” e Visar Zhitit, në vijim të shkrimit të djeshëm.
Ad.Pe.
 
 
(Vijon nga dje)
 
Arratisje vazhdimisht:
 
Kishin nisur pa ardhur fitimtarët e rinj, që i besonin mizorisht kauzës së tyre (a mizorisë si kauzë), duke kërkuar të mposhtnin me dhunë gjithçka që kishte qenë kundër tyre e që mund të ishte, njerëz, vepra, ide që do të forconin diktaturën.
 
Do të ikte Mustafa Merlika-Kruja, Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që la në dorëshkrim një Fjalor prej 2.400 faqesh dhe me 30.000 fjalë shqip. Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të.
Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi.
Gazetari i famshëm italian Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë... të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”. 
Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri... (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e... thotë të vërtetën... Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë.”
Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi.
 
Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë...
Do të iknin edhe ministri i Arsimit, shkrimtari Ernest Koliqi, edhe ministri tjetër, ai i Bujqësisë, historiani Ago Agaj, lëvruesi i penës Mit’hat Frashëri, edhe Mehdi bej Frashëri, nga e dera e madhe e Frashërllinjve, patriotë të tjerë, gazetari Branko Merxhani, Tajar Zavalani, Tahir Kolgjini, Karl Gurakuqi, Stavro Skendi, Isuf Luzaj, etj., etj., do të iknin, në Itali, Turqi, Egjipt, Francë, Angli, SHBA...
Pasi të vendosej diktatura, do të arratisej edhe Martin Camaj, poeti që do të arrinte lartësitë evropiane në poezi dhe, me të dalë nga burgu, edhe poeti e studiuesi e filozofi i rëndësishëm Arshi Pipa. Më pas shkrimtari Bilal Xhaferri. E vonë, shumë më vonë, do të merrte atë rrugë poeti i ri Gjekë Marinaj. Do të shkonin përtej oqeanit, në SHBA, atje ku kishin jetuar e punuar korifenjtë Faik Konica e Fan Noli.
Deri në fund të diktaturës do të donin të arratiseshin artistë, patriotë, politikanë, njerëz të shkencës, të zakonshëm. Dhe do të ikte shkrimtarja Elvira Dones e do të dënohej me 25 vjet burg në mungesë, do të ikte violinisti Tedi Papavrami etj.
Dhe vepra e të ikurve do të ndalohej e do të dënohej në atdhe...
 
Por do të shëmbej Muri i Berlinit, do të binte perandoria komuniste e, që të ndodhte kjo dhe me diktaturën në Shqipëri, do të kërkonte strehim politik në Francë shkrimtari më i njohur i saj, Ismail Kadare. Dhe regjimi ra. Pa luftë. Jo siç kishin ardhur sundimtarët e tij. Por me kaos, që e krijonin ata që po binin dhe që do të ngriheshin ndryshe. Me qëllim që ata, regjimi dhe realizmi i tyre socialist të mund t’u fshiheshin përgjegjësive. Të cilët, ashtu si në Bashkimin e madh Sovjetik, edhe në Shqipërinë e vogël socialiste, më egër se gjithkund, e kishin nisur me pushkatime. Por gjatë ndryshimeve në tranzicion ta mbyllnin si milonierë. Dhe prapë më të shquarit.
 
 
Institucioni i parë: burgu.
 
Pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore, ende pa u çliruar, Shqipëria nisi me dënimet vrasje, pushkatime.
Institucioni i parë që u ngrit, ishte burgu. Në kujtimet e një bashkëvuajtësi, P. V., që e kaloi jetën burgjeve dhe internimeve, tregohet për arrestimet që bënin partizanët, kur nuk kishin marrë pushtet. Mbi një qerre krijuan qelinë e parë ambulante.
Përfytyroj ecjen e zvargur të asaj qerreje, gjithnjë duke u zmadhuar, duke u bërë makina e diktaturës, që do të përkryhej si një gijotinë e hatashme. Është Hark Triumfi thoshte Partia dhe poetët e saj do të nguteshin kush e kush t’i kushtonte poemën më të bukur, duke e krahasuar presën e gijotinës, që binte “pa ia da” mbi kokët e njerëzve, me vezullimet e diellit.
 
Nekromania ideologjike nisi me masakër. Por së pari duhej vrarë At Gjergj Fishta, patjetër, poeti homerik, e fundmja lahutë e botës, ndërkohë dhe satiristi më i madh në Ballkan, akademik në Itali, i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, studiues, polemist, kritik, arkitekt, piktor, politikan. Mos ishte gjë kundër komunizmit, të atij që na vinte nga sllavët, të cilët i kishin nxjerrë pengesa kombit tonë, që donin të copëtohej, të zhbëhej? Ah, Fishta kishte vdekur që gjatë luftës. Atëherë të vritej i vdekur, pavdekësia e tij. Fitimtarët ia thyen varrin në një kishë të Shkodrës, që e shndërruan në kinema a pallat sporti, dhe eshtrat u dha urdhri të hidheshin në lumin Drin. Dhe ashtu u bë. Por ka zëra tani që thonë se nuk u zbatua ai urdhër i kobshëm.
Dhe pranë hendekëve të pushkatimit u vunë shkrimtarë të tjerë, të shkollës Veriore të Klerit Katolik, u rrafshua akademia e tyre e kulturës dhe e atdhetarisë. Do të pushkatoheshin ministra të qeverive të mëparshme, dhjetëra. Dhe, kur të mbaronin ata, do të kalohej te ministrat e mëpastajmë, tek të tyret. Por do t’i kujtojmë më pas.
Duhej filluar nga e para, duke mohuar mijëvjeçarët. Të mbylleshin burgjeve mbartësit e së kaluarës, ata, të asaj kulture që do të shndërrohej në qëndresë, që pengonte. Do të dënoheshin dhe shkrimtari i romanit të parë shqiptar, dhe shkrimtarja e parë grua, dhe autori i librit të parë me kritika, dhe kompozitori i operës së parë, piktorë, dhe… 
 
Themelet e ndërtimeve në vend, e veprave më të rëndësishme, pothuaj të gjitha: aeroporte, stadiume, pallate banimi, tharje kënetash, uzina, miniera, brezare, kudo e kudo, janë hapur me të burgosur, madje dhe vetë burgjet, me punën e tyre të papaguar kurrë, duke mbetur kështu i shkelur përgjithmonë edhe parimi themelor i socializmit: shpërblimi sipas punës. Në fakt ka ndodhur dënimi sipas punës, asaj pune që i shërbente ardhmërisë.
Aradhë shkrimtarësh dhe artistësh, vit pas viti, do t’í vinin në rresht, me pranga, për në burgje, në minierat e vdekjes. Dhe do të pushkatonin herë pas here, edhe do të varnin.
 
                                    *   *   *
 
...nisën zhgënjimet, rënia shpirtërore dhe rrënimi i traditave, i ekonomisë, i karakterit dhe i moralit njerëzor etj., etj., dhe pas prishjes me Jugosllavinë, më pas dhe me shtetin më të madh komunist, Bashkimin Sovjetik, dhe më në fund me shtetin tjetër me popullsinë më të madhe në botë, Kinën, gjithmonë për shkaqe të mbështjella me parime, politikë e doktrinë, që në fakt fshihnin etjen për sundim, vendi u vetëmbyll, mbeti pa horizonte, si me piktura të hequra, të ndaluara, artet u asfiksuan tërësisht prej totalitarizmit dhe letërsia mbeti pa lidhje, as me vetveten, me pjesët e tjera të saj, aq sa të përhiteshin vëllezërit siamezë, njëri gjithmonë i vdekur për tjetrin.
 
Kur Shqipëria socialiste u mbyll dhe u bë si një kështjellë kafkiane, kur, për gjysmë shekulli, shtypej gjithçka për të ndërtuar një utopi dhe eksperimentohej monstra e njeriut të ri - kur njeriu më shumë është i vjetër dhe i ri vazhdimisht, i shenjtë dhe djall - teksa prisheshin me radhë vlerat në kulturë e kudo dhe historia shpjegohej si zhvillim i luftës së klasave, që, po e përsërit, është luftë civile në kohë paqeje, sipas meje, ishte e detyruar të ushtrohej në arte vetëm metoda e realizmit socialist. Do t’i këndohej komunizmit, që s’dihej si do të vinte, me dhunë patjetër, me poema e romane, kushtuar partisë dhe diktatorit, pa lejuar të merreshe realisht me realitetin. Duhej krijuar një realitet tjetër, jo ai magjepsësi që krijon arti, por siç e donte partia, politika e saj, një si lumturi e lemerishme, absurde dhe vrastare, që duhej besuar si ndërtim e i një jete të re.
 
Dhe kështu shoqëria bëhej më e keqe, e egër, e pacivilizuar, që shpellat prehistorike i zëvendëson me apartamente të ngushta, baraka e biruca. Duke tromaksur kolektivitetin e vetvetes, shoqëria absolutisht nuk zgjidhte asgjë të rëndësishme, veçse inkriminohej edhe më, kurse shteti besonte idiotërisht se, sa më i keq të ishte, aq më i fortë do të bëhej. Dhe i duhej kjo dukje. Një shtet njerëzor do të vetëndihej si i dobët, humbanak. Pra më mirë mosarsyetimi se arsyetimi, madje dhe furia e shkalluar për të hyrë në kafkat e të tjerëve, qoftë dhe duke i thyer ato.
Pra dhunë gjenerale për të gjithë dhe dhunë e veçantë, e çuar deri në torturë. Rendi i torturave, zoologjia e saj, panik, shtypje, ankth, kthetra, dhëmbë,  pranga, libër, propagandë, dënime, u bënë gati dhe u vësulën me sy të kuq, qiklopikë.
 

Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com

 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?