Vinte baste sportive online, pranga 19-vjeçarit në Kavajë

18 Janar, 11:05| Përditesimi: 18 Janar, 11:09

  • Share

KAVAJË- Një 19-vjeçar është arrestuar në Kavajë, pasi është kapur në ambientet e një kancelari duke vënë baste sportive në telefon.

Ndaj të riut rëndon akuza për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, si dhe iu sekuestrua celulari, me faqe aktive për baste online.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve policia ka konstatuar se pronari i kancelarisë nuk kishte licencë për ushtrimin e aktivitetit dhe është vënë në hetim.

“U kap në flagrancë, në ambientet e një kancelarie, duke vënë baste sportive, me celular, arrestohet 19-vjeçari. Sekuestrohet celulari. Procedohet penalisht pronari i kancelarisë, pasi nga verifikimet rezultoi se nuk kishte licencë për veprimtarinë ekonomike.

Nga kontrollet e kryera në kuadër të megaoperacionit "Sundimi i ligjit", me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë konstatuan se në një subjekt privat (kancelari), në lagjen nr. 5, një shtetas po vinte baste sportive, me celularin e tij.

Në vijim, shtetasi K. A., 19 vjeç, banues në Kavajë, u arrestua për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, si dhe iu sekuestrua celulari, me faqe aktive për baste online.

Gjithashtu, nga verifikimet u konstatua se pronari i kancelarisë, shtetasi H. Xh., 33 vjeç, banues në Kavajë, nuk ishte i pajisur me licencë për këtë veprimtari ekonomike. Për këtë shtetas u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?